Administrata, derë më derë për votat e PD

Punonjësit me nga 20 vite përvojë, nën presion nga shtabet elektorale në lagje
Përdorimi i administratës, kryesisht i militantëve të emëruar nga forcat politike në pushtet, për fushatë elektorale, është një veprim i cili është kryer disa herë në zgjedhje, por sivjet çdo specialist i punësuar në shtet, pavarësisht se kurrë nuk ka deklaruar bindjen e tij politike, duhet të përballet me presione nga më të ndryshmet për të qenë aktiv në këtë proces, ose duhet të largohet nga vendi i punës. Ky është një shqetësim i ngritur nga shumë punonjës të administratës publike, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal, pa përjashtuar asnjë institucion.
Fillimisht, kjo praktikë nisi të përdoret para pak kohësh, fill pas daljes së Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë, ndaj punonjësve në ministri të ndryshme, kurse tashmë i njëjti fenomen thuhet se është shtrirë deri në arsim dhe shëndetësi. Sipas punonjësve të ndryshëm, nuk bëhet fjalë për ata persona të cilët janë punësuar si militantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, apo aleatëve të tyre, por edhe për specialistë, që kanë mbi 20 vite të punësuar në administratën publike. Nga këto informacione mësohet se specialistët, qofshin të çdo moshe dhe që nuk kanë deklaruar ndonjëherë bindjen e tyre politike janë kërkuar nga shtabet elektorale të PD-së në lagje dhe zona të ndryshme, që të jenë aktivë për sensibilizimin e banorëve që të votojnë për aleancën, që aktualisht është në pushtet. Sipas të dhënave, punonjësve në ministri të ndryshme, sipas vendbanimeve përkatëse, u janë dërguar numrat e telefonit pranë shtabeve elektorale. Në këto kushte, ata thirren nga përfaqësuesit e fushatës dhe u kërkohet të trokasin në dyert e fqinjëve, apo të banorëve të tjerë, që t’i bindin për të votuar Partinë Demokratike. Madje, nëse ata nuk shkojnë në këto mbledhje, ku merren direktivat, atëherë ata kërcënohen se do të humbasin vendet e punës.
Por, kjo praktikë, edhe më e zgjeruar po zhvillohet në arsim dhe në mjekësi. Sidomos mësuesit, pasi janë pyetur me dëshirë apo pa dëshirë se për kë do të votojnë më 23 qershor, tashmë duhet të dërgojnë emra dhe numra telefoni të personave mbështetës për Partinë Demokratike. Sipas të dhënave, këto informacione verifikohen më tej nga shtabet elektorale dhe nëse nuk rezultojnë të vërteta, arsimtarët duhet të largohen nga vendi i punës, pavarësisht aftësive në mësimdhënie.
Në krye të këtyre shtabeve mësohet se në shumë raste qëndrojnë të punësuar në administratën qendrore dhe vendore. Secili prej tyre është vendosur në një prej shtabeve elektorale dhe ndjek aktivitetet e liderëve politikë, ndërkohë që kanë të përcaktuara qartë edhe detyrimet si pjesë e angazhimit politik për zgjedhjet e 23 qershorit. Në varësi të postit në dikaster, ministri, institucion, bashki apo institucione të varësisë, punonjësit e administratës por edhe shefat e tyre u kanë lënë detyrë të kujdesen, të bëjnë propagandë, por edhe të diskutojnë e t’u flasin votuesve, duke u kërkuar të jenë aktivë për mbajtjen e kontakteve për pesë apo më shumë familje. Pjesë e angazhimit të tyre është edhe krijimi i një baze të dhënash, ku personi të vendosë emrat e familjarëve, adresat, njësinë e votimit si dhe numrat e telefonave për secilin votues. Këto janë kërkesa të përgjithshme, ndërkohë që sipas punonjësve të administratës, numrat e telefonave duhet të jenë të saktë, pasi bëhet konfirmimi i tyre nga “eprorët” apo ata që monitorojnë punën e bërë në bazë.
SHQIP
Add new comment