Administrata 5 ditë pa rroga, qeveria del për borxh 3.5 miliardë lekë

-Ankandi zhvillohet nga Banka e Shqipërisë ornela manjani Rreth 85 mijë punonjës të administratës nuk kanë marrë ende pagat e muajit korrik. Arka e shtetit është bosh dhe qeverisë do ti duhet fillimisht të marrë një borxh në tregun e brendshëm dhe më pas të shlyejë detyrimet ndaj punonjësve të saj. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se vonesa për pagat ka ardhur si rrjedhojë e një ndryshimeve në serverin e thesarit të shtetit. Nga ana tjetër përmes një njoftimi zyrtar Ministria e Financave bën të ditur se sot do të dalë në treg për të marrë një borxh prej 3. 5 miliardë lekësh. Bëhet fjalë për obligacione 5-vjeçare me kupon fiks dhe shuma e përgjithshme e shpallur është 2 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në obligacioni me kupon të ndryshueshëm më të njëjtin afat dhe shuma e përgjithshme do të jetë në masën 1. 5 miliardë lekë. Kriza Situata në buxhet për 7 muajt e parë Zyrtarisht edhe raportet mujore të ministrisë së Financave pranojnë rënien e të ardhurave në arkën e shtetit dhe një tejkalim të konsiderueshëm të shpenzimeve. Gjysma e parë e vitit ka nxjerrë në pah krizën e thellë në të cilën është zhytur buxheti i shtetit.
Deficiti është thelluar më tej gjatë muajit qershor, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e qeverisë edhe për të mangësinë e pagesës së pagave dhe pensioneve. Ministria e Financave ka publikuar shifrat e muajit Qershor ku të ardhurat nga administrata fiskale llogariten të jenë rreth 5,5 miliardë lekë më pak se planifikimi në fillim të vitit. Sipas tabelës së Ministrisë së Financave mësohet se të ardhurat tatimore rezultojnë 3,1 miliardë lekë më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga doganat janë 2,4 miliardë lekë më pak. Referuar të njëjtave të dhëna, të ardhurat llogariten të jenë 21,2 miliardë lekë, ndërkohë që në fillim të vitit ishin planifikuar në vlerën 30,3 miliardë lekë. Edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, përsëri niveli I mbledhjes së të ardhurave është në rënie. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin në vlerën 23,8 miliard lekë, ose 2,6 miliardë më shumë se muaji Qershor i këtij viti. Deficitit buxhetor nga 3,9 miliardë që ishte planifikuar, ka shkuar në 5,5 miliardë lekë vetëm për muajin Qershor.
Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë këtij viti. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360,6 miliardë lekë, shpenzimet në 409,5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48,9 miliardë lekë. Të ardhurat Niveli i të ardhurave në arkën e shtetit shqiptar në pesë muajt e parë të viti 2013 është i njëjtë me atë të vitit 2008. Ekonomia, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ka qëndruar 5 vjet në vend. Në periudhën Janar- Maj të ardhurat në arkën e shtetit ishin rreth 125,2 miliardë lekë. Nga krahasimi i të dhënave, tabelës fiskale të vitit 2008 dhe saj të vitit 2013, rezulton se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, akciza dhe Tatim Fitimi janë në të njëjtat nivele. Ndërkohë, të ardhurat kanë shënuar rënie të ndjeshme që nga viti 2010 dhe deri në vitin 2013, ndërsa shpenzimet janë rritur me thuajse të njëjtat ritme. Kjo ka sjellë një rritje të pakontrolluar të deficitit buxhetor, i cili tashmë kërcënon financat publike.
Të dhënat fiskale për 5 mujorin tregojnë një rritje të investimeve në dy vitet zgjedhor 2011 dhe 2013. Në 2011 investimet u rritën me 9,7% kundrejt vitit të mëparshëm, për të rënë një vit më pas në -13% dhe për tu rritur përsëri në 2013 me 36% ose me ritme gati 4 here më të larta edhe se viti 2011. Sipas të njëjtave të dhëna shpenzimet korrente ndjekin të njëjtën tendencë rritje. Ndërkaq, të ardhurat vazhdojnë rënien e tyre drastike kundrejt vitit të kaluar, ku si 5 mujor ranë me 7 miliard ose 5,7 % (ne kushtet e një inflacioni prej 2,4%, në terma reale të ardhurat kanë rënë 8% ). Sipas të dhënave të fundit fiskale, në 5 muaj u realizua 420 milionë dollarë deficit buxhetor ose në 5 muaj u realizua 90% e deficitit vjetor. Këto të dhëna vërtetojnë plotësisht tendencën e shfaqur qysh në 3 muajt e parë të vitit 2013, se ekonomia shqiptare ka hyrë në pikën e vdekjes.
Borxhi
Borxhi publik ka prekur shifrën 63 % te GDP-se. Qeveria pothuajse ka shfrytezuar te gjitha mundesite e huamarrjes ne tregun e brendshëm. Të dhënat nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se, niveli i huamarrjes arrin për 4 muajt e parë në vlerën 22.8 miliardë lekë, nga 15 miliardë që ishte planifikuar për këtë periudhë, ose 7.7 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar në 89.3 %. Po të krahasohen shifrat me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezulton një rritje e huasë prej 10.7 miliardë lekë. Kjo lidhet dhe me faktin se jemi në një vit zgjedhor dhe investimet publike kanë njohur rritje të dukshme. Këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive qe kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të reja.
Shekulli
Add new comment