Abuzimi me fondet e rrugës, 3 zyrtarë lokalë nën akuzë

Tre zyrtarë të komunës Bërzhitë në periferi të Tiranës janë marrë të pandehur nga prokuroria, pasi dyshohet se kanë skualifikuar pa të drejtë një kompani nga tenderi i ndërtimit të një rruge në këtë zonë. Sipas prokurorisë, tre zyrtarët e pandehur kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kanë shpallur fituese të tebnderit kompaninë që ka patur ofertën më të lartë. Shtetasit B. Zeqiri, R. Abdija, Y. Llupa janë kallëzuar penalisht më 22 shkurt 2013, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas abuzimeve të konstatuara në tenderin për rikonstruksionin e rrugës në fshatin Dobrosh, pjesë e komunës Bërzhitë.
Objekti i tenderit ka qenë “Rikonstruksion i rrugës së fshatit Dobresh”, me fond limit 10 milionë 929 mijë e 83 Lekë pa TVSH. Ky tender është zhvilluar nga Autoriteti Kontraktor Komuna Bërzhitë në datën 07.03.2011, ora 18:00 në bazë të urdhërit të prokurimit datë 03.02.2011. “Këta shtetas si anëtare e KVO-së në tenderin në fjalë kanë skualifikuar një shoqëri “H…..” Sh.p.k, me argumentin se kjo shoqëri nuk plotësonte kriteret kualifikuese, pasi nuk kishte paraqitur listë-pagesat dhe nuk dispononte mjetin fadromë”- thuhet në dosjen e prokurorisë. Në kriteret e veçanta të kualifikimit të tenderit duke ju referuar dokumenteve standarde, nuk janë kërkuar listë-pagesa, por dëshmi nga administrata tatimore.
Gjithashtu rezulton se shoqëria e skualifikuar në dokumentet e ofertës së saj ka paraqitur një kontratë qiraje të noterizuar. “Nga këqyrja dhe marrja e dokumenteve të ofertës së shoqërisë “H….” Sh.p.k pranë Komunës Bërzhitë rezulton se nga kjo shoqëri janë dorëzuar një sërë vërtetimesh të lëshuara nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, të cilat plotësojnë kriterin kualifikues sipas dokumenteve standarde”,-thuhet në hetim.
MAPO
Add new comment