50 mijë lekë në këmbim të favorit, pranga kreut të Përmbarimit Vlorë

Drejtoresha e Zyrës së Përmbarimit në Vlorë dhe një avokate kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme, pasi morën 50 mijë lekë të reja për mosekzekutimin e një vendimi. Në kuadër të operacioni të koduar “Përmbaruesi”, policia e Vlorës arrestoi në flagrancë për “korrupsion pasiv” kreun e Zyrës së Përmbarimit, Algerta Fejzulla 28 vjeç, ndërsa avokatja Dhurata Sulaj, 46 vjeç, u arrestua për “ushtrim i ndikimit të paligjshëm”.
Sipas policisë së Vlorës, arrestimi i tyre u krye pasi “shtetasja Algerta Fejzulla dyshohet se nuk ka kryer ekzekutimin e një titulli ekzekutiv në këmbim të një shume të konsiderueshme parash të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë momentit të ndërhyrjes së policisë në një qendër estetike në afërsi të Stadiumit “Flamurtari”, ku ishte dhe vendi i takimit dhe i dorëzimit të lekëve përmbarueses nga avokatja. Paratë janë siguruar nga shtetasja Dhurata Sulaj, e cila ka qenë ndërmjetësja midis Përmbarueses dhe një personi tjetër”.
Arrestimi i kreut të Zyrës së Përmbarimit Vlorë dhe avokates u krye falë hetimeve intensive 2-javore në bashkëpunimi te ngushte me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Sipas Kodit të ri Penal, 28-vjeçarja Fejzulla do të hetohet nga Krimet e Rënda.
Add new comment