24 qershori, çfarë do të bëjë meta?

Tetë ditë para 23 qershorit ekzistojnë dy skenarë për zgjedhjet, por shumë më tepër për Ilir Metën. I imponuar me “hambarin” e tij të votave përgjatë zgjedhjeve të fundit, kryetari i LSI vjen edhe në këtë përballje elektorale me pozicionin e kingmaker-it, që me gjasë i rri ngushtë ambicies së tij politike. Ndaj edhe rreshtimi përkrah Edi Ramës që prej 1 prillit, nuk i ka shuar aludimet rreth rolit të Ilir Metës pas 23 qershorit. Vetë ai, pa ndonjë përpjekje për t’u vënë fre dyshimeve, ka deklaruar se koalicioni parazgjedhor përcakton edhe pozicionin e LSI-së pas zgjedhjeve. “Nëse e majta humbet zgjedhjet, ne do të jemi në opozitë”,- tha pak net më parë Ilir Meta në “Opinion”, duke shprehur bindjen se e majta do të jetë fituese. E megjithatë, ka ende shumë pikëpyetje rreth Ilir Metës, paktit të tij me Edi Ramën apo ADN-së pragmatiste të partisë së tij, të cilat verbi diskret i politikanit të kthesave të forta, nuk ka mundur t’u japë përgjigje shterues. Çështja e kryeministrit është njëra prej tyre, brenda çështjes së madhe të pushtetit të nesërm.
Ambicia e kryeministrit
Edi Rama është imponuar si kryeministër në hije për 35 partitë e koalicionit të majtë. Por jo për LSI-në e Ilir Metës! Në dy muaj e gjysmë të aleancës mes tyre e sa herë është pyetur për kryeministrin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Ilir Meta nuk ia ka përmendur asnjëherë emrin kryetarit të PS. Bash për këtë arsye, insistimet kanë qenë të shumta, por Meta i ka dhënë dum me një përgjigje formale: kryeministrin do ta përcaktojnë qytetarët me votën e tyre! E vetmja kordinancë me PS-në për këtë çështje ka qenë pritja e së njëjtës fraze prej Edi Ramës, i cili gjithashtu është përpjekur të shpjegojë se e majta nuk e vuan çështjen se kush do të jetë kryeministër. Në të vërtetë, nuk duket fort kështu! Në një miting entuziast në Berat, kandidati i LSI-së, Nasip Naço, i cili nuk shquhet për protagonizëm publik deklaroi se Shqipëria do të votonte Ilir Metën si kryeministër. “Benzina” e hedhur në këtë miting lokal u ndez ndërkohë në Tiranë, duke u kujtuar skeptikëve historinë konfliktuale Rama-Meta në politikën shqiptare. Shumë e cilësuan këtë deklaratë si tipike elektorale për mobilizimin e militantëve, të tjerë si manovër për të ngritur pazarin. Por një njohës i mirë i Ramës dhe i Metës bashkë si Skënder Gjinushi sheh përtej këtyre aludimeve. Madje edhe përtej 23 qershorit. “Kjo do të thotë se e mbështet fushatën vetëm mbi pazar elektoral… tregon një ambicie të fshehtë që fle gjithmonë te LSI. Ambicien, Meta e ka treguar që me Nanon: që i thoshte, o kryeministër, o s’ka! Dhe përplasja me Nanon kështu u justifikua”, – tha Skënder Gjinushi, duke paralajmëruar kështu një skenar të ngjashëm edhe në marrëdhënien Rama-Meta.
***
Në funksionin e ambicies së “princit që do të bëhet mbret” duket se është formësuar edhe fushata e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me mitingjet masive e në ambiente të hapura, Ilir Meta është duke thyer vizualisht monopolin dypartiak, të vetmet që guxonin të bënin mitingjet në sheshe të hapura. Edhe pse në koalicion me Ramës, marshimi i Metës drejt 23 qershorit duket krejt i pavarur prej tij. Mesazhi politik i LSI-së përmbledh edhe tranzicionin nga pushteti në opozitë të kësaj partie. Me sloganin “ Të ecim më shpejt”, Meta ka zgjidhur raportin kontrovers me qeverinë, të cilës dy muaj pas largimit, por i bën një opozitë fasade. Me koalicionin në favor që i maksimalizon votat, Ilir Meta është përfshirë tashmë në kalkulimet e pas 23 qershorit. Ndarja e pushtetit nuk duket një shqetësim primar i tij, por eksponentët e LSI e kanë hapur edhe këtë temë, ende pa fituar zgjedhjet. Pas deklaratës së Nasip Naços, ajo e Vangjel Tavos për ndarjen e 40 % të pushtetit me PS shkaktoi sërish jehonë në Tiranë. Oponenti i përhershëm, Skënder Gjinushi e cilësuar këtë ngut një rritje pazari, por asgjë nuk duket se e trazon Ilir Metën më shumë se ambicia e tij politike. Ndryshe nga PS dhe PD, ajo e 23 qershorit nuk është betejë për jetë a vdekje për të. Sepse ndryshe nga dy partitë e mëdha që kalkulojnë fitoren ose humbjen, Ilir Meta ka përballë më shumë se dy rrugë.
***
Bashkimi i Ilir Metës me Ramës u komentua gjatë në korridoret e medias dhe politikës. Shumë ranë në një mendje se në të majtë, ai fitonte më shumë. Më së pari, i hapte rrugë ambicies së tij për një mandat të dytë si kryeministër, që koalicioni me Berishën nuk ia bënte të mundur. Ndaj edhe skenari i parë për Metën është marrja e një numri të madh deputetësh brenda koalicionit të majtë, çka rrit shanset për një imponim më të madh, nëse e majta fiton zgjedhjet. Një tjetër skenar që ka qarkulluar në media është ai i kryeministrit me rotacion brenda së majtës; ku Rama dhe Meta ndërrojnë vendet sipas një marrëveshjeje të dakordësuar më parë prej tyre. Në ndarjen e pushtetit të nesërm, të dy varen nga njëri-tjetri ndërsa historia personale mes tyre ka treguar që krizat janë më të shpeshta se paqja. Por ç’ndodh me Ilir Metën nëse e djathta fiton zgjedhjet? Opozitarizmi i pambuktë ndaj Berishës, me shprehje të tipit “doktori ka bërë më të mirën që ka mundur” nuk ia mbyll plotësisht derën në të djathtë. Por në këtë pikë, Meta është shprehur qartë, duke thënë se në këtë rast, do të qëndronte në opozitë. Edhe ky pozicion duket sërish komod për të. Me Ramën të dobësuar nga një humbje e dytë, Ilir Meta do ta kishte të thjeshtë betejën për të rritur ndikimin brenda së majtës. E pse jo, të synonte kreun e PS. Për Berishën dhe Ramën, 23 qershori është beteja finale. Për Ilir Metën, është beteja e radhës së një kingmaker-i që tashmë synon fronin!
Artan Hoxha:
Llogaritë mes Ramës dhe Metës
janë të hapura pas zgjedhjeve
Pas debatit për kryeministrin, LSI përmes Vangjel Tavos kërkon 40 % të pushtetit, nëse e majta fiton zgjedhjet. Edhe pse deklaratat duken elektorale, pikëpyetje të shumta janë ngritur mbi ambiciet e Ilir Metës pas zgjedhjeve. Cili do të jetë sipas jush pozicioni politik i LSI dhe Ilir Metës pas 23 qershorit, a) në koalicionin me PS me kryeministër Edi Ramën, b) kryeministër nëse e majta fiton zgjedhjet, c) në koalicion me PD pasi rezultatet e sjellin këtë kombinim në rast barazimi ose fitoreje të ngushtë të PD?
Që kur më 1 prill u mor vesh aleanca mes PS dhe LSI, e që pasoi me ftesën publike të Edi Ramës dhe pranimin publik të Ilir Metës, kam qenë i mendimit se kjo aleancë ndodhi për disa shkaqe kryesore: i) Edi Rama arriti të kuptonte se pa LSI ishte i humbur. Atij nuk i mjaftoi ajo ç’ka ndodhi me socialistët në 2005, kur humbën nga përçarja, nuk i mjaftoi edhe argumenti i kundër kur fitoi Bashkinë Tiranë në aleancë me LSI në 2007 dhe bëri gabimin fatal në 2009 kur nuk u bashkua me LSI dhe humbi zgjedhjet, vazhdoi ta thellonte gabimin duke ekstremizuar politikën në përgjithësi dhe duke goditur ashpër LSI-në me synim asgjësimi në dy vitet pas zgjedhjeve, që e çuan në humbjen e Bashkisë Tiranë. Me shumë, shumë vonesë, Edi Rama arriti më në fund të kuptonte një gjë kaq të qartë për shumëkënd. ii) pak më parë se të realizonte domosdoshmërinë e aleancës me LSI-në, Edi Rama i kishte të gjitha shpresat se LSI mund të asgjësohej. Ndaj Edi Rama në njëfarë mënyre e lypi këtë aleancë.
Ilir Meta, i mirënjohur për ambicien e madhe dhe eksperiencën e intuitën politike, “ia mati kokën me pe” Edi Ramës dhe vlerësoi se aleanca me të do të ishte, në çdo rast shumë më produktive se ajo me Sali Berishën: fitore me Edi Ramën kundrejt fitore me Sali Berishën, me Ramën pesha dhe pjesa e tij në qeverisje do të jetë mjaft më e madhe; humbje me Edi Ramën apo humbje me Sali Berishën; në të dyja rastet, humbja nuk është e tij, por e dy të tjerëve e ndërkaq, në rastin e të majtës kjo i mundëson Ilir Metës të pretendojë me realizëm lidershipin e saj.
Që raportet mes Edi Ramës dhe Ilir Metës janë të këtilla, siç edhe kam supozuar janë vërtetuar nga deklarimet e të dyve dhe eksponentëve të tjerë të së majtës këto dy muajt e fundit. Përfundimi më logjik është që llogaritë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës janë të hapura dhe do të mbesin të këtilla deri pas zgjedhjeve. Në varësi të rezultatit dhe peshës relative të deputetëve në Kuvendin e ardhshëm do të ndodhë një nga tre rastet që ju paraqisni, ndërsa unë do të shtoja një rast të katërt e që në fakt do ta radhisja para rastit tuaj të tretë. Ky rast është që, nëse e majta humbet dhe LSI rrit numrin e deputetëve, Ilir Meta do të kërkonte një kompozim të ri të së majtës me një tjetër lidership, duke qenë vetë kandidat i parë për këtë.
Andi Bushati
Meta opozitar fals,
pushteti është enigma e tij
Pas debatit për kryeministrin, LSI përmes Vangjel Tavos kërkon 40 % të pushtetit, nëse e majta fiton zgjedhjet. Edhe pse deklaratat duken elektorale, pikëpyetje të shumta janë ngritur mbi ambiciet e Ilir Metës pas zgjedhjeve. Cili do të jetë sipas jush pozicioni politik i LSI dhe Ilir Metës pas 23 qershorit, a) në koalicionin me PS me kryeministër Edi Ramën, b) kryeministër nëse e majta fiton zgjedhjet, c) në koalicion me PD pasi rezultatet e sjellin këtë kombinim në rast barazimi ose fitoreje të ngushtë të PD?
Qëndrimi i Metës për pozicionin e kryeministrit të nesërm lidhet me taktikën e tij që prej një prillit, ku megjithëse ai vendosi të bëhej pjesë e koalicionit të majtë, ai po sillet si një lojtar mbi palët. Që në momentin e daljes nga koalicioni, ai u kujdes që të bënte një ndarje të butë me Berishën, ndërkohë që mund të kish gjetur me dhjetëra shkaqe për divorc konfliktual më të. Por jo, ai doli nga zyra e kryeministrit duke e paraqitur këtë si mbarimin normal të një kontrate të suksesshme bashkëpunimi. Kaluan disa javë dhe ai mezi belbëzoi se po e hidhte këtë hap sepse vendi kish nevojë për balancim pushtetesh (të të njëjtit rrëmbim pushtetesh të cilit i shërbyen katër votat e LSI-së). Pak më pas, kur në parlament u zhvillua seanca nervshkatërruese e grabitjes së anëtarit të KQZ-së, situata qe dhe më absurde. Konflikti për jetë a vdekje zhvillohej mes PS-së dhe PD-së, aq sa gati u harrua se njeriu që gjendej në mes të kësaj loje, i përkiste LSI-së. Madje edhe më absurde u duk në këtë rast ndërhyrja e Ilir Metës, i cili foli gjatë kësaj seance, si një lloj Fyleje shqiptar, që shqetësohej më shumë për integrimin dhe imazhin e vendit, sesa për detajin e vogël të KQZ-së, që i kishte ngërthyer palët në konflikt. Këtë qëndrim, sikur të qe mbi palët, kreu i LSI-së e ka shfaqur shumë herë gjatë javëve të fundit, kur ka qenë fjala për integrimin europian, për problemet ekonomike, për një parlament që dëgjon zërin e qytetarit etj.
Me të drejtë ai ankohet sot se Berisha ka uzurpuar të gjitha pushtetet, por ai nuk guxon ta çojë më tej këtë temë. Ai nuk mundet të thotë se ky pushtet i tepërt i duhet për shembull për të kontrolluar gjyqësorin, pikërisht atë gjyqësor që dha verdiktin në procesin farsë të 21 janarit, në procese si ai i video-përgjimit, apo në çështje si ato të kolegjit zgjedhor të 8 majit.
Me të drejtë ai i kritikon Berishës batutat për krahasimin e ekonomisë shqiptare me atë gjermane, por kjo është si ta godasësh kryeministrin me pambuk. Sepse të kërkosh të flasësh për sjelljen e kësaj qeverie në kohë krize, nuk mund të lësh pa përmendur privatizimet klienteliste që i kanë dështuar njëri pas tjetrit. Nuk mund të lësh pa përmendur biznesmenët e huaj që nuk investojnë dot, pa paguar tek fëmijët e kryeministrit. Nuk mund të lësh pa përmendur klientët që favorizohen për të mos paguar detyrimet marramendëse ndaj shtetit.
Me të drejtë ai e akuzon Berishën se qëndrimi i gjatë në krye të shtetit e ka bërë të humbasë kontaktet me realitetin, por kjo ngjan me një kritikë qesharake, kur përballë ke një politikan që urdhëron vrasje për të mbajtur pushtetin.
Pikërisht për këto, Ilir Meta po sillet si një opozitar fals. Për të gjitha pikat kyçe ku Berishën dhe opozitarët e tij i ndan një hendek i pa kapërcyeshëm, ai nuk ka qëndrim.
Dhe problemi i kësaj fabule të rreme, i këtij opozitarizmi me gjasme, nuk është tek morali politik i Ilir Metës. Ai është tjetërkund. Është tek enigma e pushtetit të nesërm. Sepse nëse më 23 qershor koalicionin ku LSI-a bën pjesë, do të fitojë me një rezultat të ndjeshëm, kjo do të jetë një fitore e arritur me ndihmën e një pjese, që as nuk i ka denoncuar, as nuk i ka quajtur si të tilla mëkatet e qeverisjes Berisha. Ndaj për këtë arsye, ato mund të përsëriten në të njëjtën formë. Ndërsa në të kundërtën, nëse ky rezultat do të jetë i ngushtë, kjo e lejon fare mirë LSI-në, të nënshkruajë një kontratë të re suksesi më atë që e kritikoi veç për makiazhin e qeverisjes së mëparshme.
Dritan Hila:
Rikthimi në Kryeministri,
preokupimi kryesor i Metës
Pas debatit për kryeministrin, LSI përmes Vangjel Tavos kërkon 40 % të pushtetit, nëse e majta fiton zgjedhjet. Edhe pse deklaratat duken elektorale, pikëpyetje të shumta janë ngritur mbi ambiciet e Ilir Metës pas zgjedhjeve. Cili do të jetë sipas jush pozicioni politik i LSI dhe Ilir Metës pas 23 qershorit, a) në koalicionin me PS me kryeministër Edi Ramën, b) kryeministër nëse e majta fiton zgjedhjet, c) në koalicion me PD pasi rezultatet e sjellin këtë kombinim në rast barazimi ose fitoreje të ngushtë të PD?
Është ndër partitë, e cila ka disa variabla sjelljeje më shumë se sa thoni ju pas zgjedhjeve. Por nuk mendoj se preokupimi kryesor i Metës është se ku do rreshtohet pas këtyre zgjedhjeve, por se cili kombinim i siguron atij rikthimin në karrigen kryeministrore, dhe për sa kohë. Dhe meqenëse u ribashkua me socialistët, do të thotë se e skartoi aleancën me PD-në, që të vijë në këtë rrugë në godinën kryeministrore. Tani ka dy alternativa përpara: të jetë një aleat luajal i socialistëve dhe të bëjë një pakt me Ramën se sa do të jetë njeri kryeministër dhe sa tjetri, duke ruajtur secili domenet partiakë, dhe e dyta, ti gërryejë bazën partiake Ramës, në mënyrë që të bëhet i pari i vendit me rrugën e forcës së numrave dhe anëtarësisë së partisë.
Logjika normale, do të këshillonte që Rama dhe Meta të tregoheshin racionalë dhe bënin një ndarje të arsyeshme kohe për secilin, në postet kryesore të vendit. Por duke qenë se njihen prej kohësh me njeri-tjetrin dhe kjo njohje ka kaluar në mes kurtheve dhe tradhtive se sa në paqe, atëherë do ketë shumë mundësi që të asistojmë në stërkëmbësha dhe kriza qeverisëse, se në periudha bashkëpunimi.
Meta është ndër njerëzit që në aleancat partiake bazohet më shumë tek metodat bismarkiane të forcës. Nuk besoj se është mallëngjyer me vizitën që ka bërë në shtëpinë e vjetër. Pastaj, sjellja e tij e mëtejshme do varet nga sa ai e shikon se synimi i tij për kryeministër, është afër ose larg realizimit. Gjithmonë duke pasur në mendje dyshimin në çdo sjellje të Ramës, nëse ai po e shfrytëzon për ta mbajtur pushtetin të gjithin për vete, apo do t’i lërë rrugë edhe atij.
MAPO
Add new comment