“Spahiu, i lidhur me Berishën, ka interlokutorë”

Rreth 200 anëtarë të tjerë të Aleancës Kuq e Zi priten që të largohen nga ky subjekt për shkak të zhgënjimit që iu ka sjellë Kreshnik Spahiu me kursin e tij politik. Hapi i parë për largimin është ndër-marrë nga drejtuesit kryesorë. Në një intervistë për “Shekullin”, ish-Sekretari për Çështjet e Bujqësisë, Pro. Dok. Ago Nezha, akuzon Kreshnik Spahiun se e ka shndërruar këtë forcë politike në një biznes me marrëveshje klienteliste, ku secili, sipas konjukturave dhe marrëdhënieve që kishte me kryetarin, bënte tratativa për të zënë pozicione nga më të ndryshme. I pyetur për dyshimet që janë hedhur mbi AK-në, se pas saj fshihet Sali Berisha, ish-Sekretari për Çështjet e Bujqësisë, Ago Nezha, e pohon duke shprehur bindjen se ka edhe interlokutorë që realizojnë lidhjen e shkurtër midis Spahiut dhe Berishës.
Përse u lidhët me Aleancën Kuq e Zi?
Unë u lidha me AK-në duke parë aspiratat e mëdha të njerëzve të cilët aspironin për çështjen kombëtare, për patriotizmin, për atdhetarizmin, i cili sot është nëpërkëmbur dhe Shqipëria është bërë një lodër e të gjithë fqinjëve tanë dhe e të gjithë të huajve si të jenë në shtëpinë e tyre. Shqipëria është vendi ku greku vjen bën mitingjet në Himarë me flamurin grek, në shtëpinë tënde e nuk të merr leje, por futet sikur të jetë në shtëpinë e tij. Kjo ishte një situatë shumë irrituese që çdo njeri që ka gjak patrioti, duhet të vepron-te. Kjo ishte një ndjesi që na ngacmoi shumë intelektualëve të cilët ishim me prirje atdhetare, me prirje patriotike për një Shqipëri që të fitojë dinjitet, të jetë e lirë, e pavarur, të mos jetë nën trysninë e fqinjëve tanë ortodoksë, qoftë në jug dhe në veri. Këto ishin motivet e para. Tjetra që ne na irritonte ishte kjo gjendje katastrofike që kishte Shqipëria. Kjo varfëri, ky korrupsion, ky prostitucion, gjithë kjo katrahurë shkatërrimtare që i shkelet personaliteti të gjithë shqiptarëve patriot. Për këtë ne thamë se do të jetë kjo lëvizje patriotike. Mirëpo, gjithë ky imazh u zhgënjye në tërë sytë e intelektualëve që ishim idealist. Sigurisht, ndoshta nuk është zhgënjyese në sytë e atyre që janë pragmatistë, që kanë shkuar atje për të fituar, për të marrë ofiqe, ndonjë kockë nëse do ju lëshojë Spahiu. E tërë partia u kthye në një biznes, në një marrëveshje klienteliste, ku secili sipas konjukturave dhe marrëdhënieve që kishte me kryetarin bënte tratativa për të zënë pozicione nga më të ndryshme, të cilat i shikonte në perspektivë si një avenir të tij. Ne që kemi ikur, nuk kemi interes absolutisht sepse ishim në pozicione të nderuara. Po të niseshim nga interesa personale, absolutisht nuk jemi privuar, por problemi është që ky njeri i cili drejton atë forcë politike vepronte si një autokrat, si një diktator, si një bajraktar, i cili për çdo gjë vendoste vetë pa marrë mendimin tonë. Në politikë ka një rregull. Është një organizëm që funksionon në bazë të tërë normave dhe parimeve që parashikohen në statut, problem ky që kur erdhi puna në ato vendim-marrje, nuk i merrte në mënyrë kolegjiale, por në mënyrë klienteliste .
Kur thoni në mënyrë klienteliste, doni të thoni që kur u vendos për koalicionin, ka pasur marrëveshje klienteliste?
Patjetër. Nuk është mbledhur sekretariati dhe nuk ka pasur momente për t’u prononcuar apo për të reaguar. Ata në mënyrë të fshehtë, në mënyrë klandestine dhe diabolike i kanë vendosur këto qëndrime të tyre. Ata kanë marrë një vendim në emër të partisë që e kanë bërë të tyren dhe e kanë shprehur. Vendimet janë marrë në emër të tyre dhe jo tonin. Nuk mund të rrish, ti në një parti kur të gjitha vendimet merren jashtë rregullave dhe parimeve që ka partia dhe jashtë strukturave të saj, por i merr në mënyrë individuale. Kjo ishte arsyeja që ne u larguam.
Ju vetë ishit që AK-ja të ishte me PS-në?
Ne ishim që AK-ja të ishte në aleancë me opozitën. Ky ishte misioni i saj që të rrëzonte këtë pushtet të korruptuar. Prandaj ne u futëm aty që të rrëzojmë këtë të keqe të madhe nga kurrizi i këtij populli të vuajtur dhe të shantazhuar. Deri sa ti nuk e bën këtë, por luan cic-mici si macja me miun, si Don Kishoti me Sanco Pancon, pse duhet të qëndrojnë disa intelektualë që kanë personalitet në një lojë të tillë kaq të qelbët. Kjo ishte arsyeja.
Ka dyshime se z.Spahiu përdoret politikisht nga zoti Berisha. Dyshoni edhe ju?
Besoj shumë, madje ka interlokutorë që realizojnë lidhjen e shkurtër midis tij. Absoutisht ka.
Shkrirja e sekretariatit
Dorëheqje të parevokueshme dhanë shumica e anëtarëve të Sekretariatit Qendror të Partisë “Aleanca Kuqe- zi”, si Dashamir Uruçi, sekretar për çështjet ekonomike dhe President i asamblesë së Partisë për kryeqytetin, Ago Nezha, sekretar për çështjet e Bujqësisë, Maksim Qoku, Sekretar për çështjet Zgjedhore, Dëfrim Shkupi, Sekretar për çështjet e Mjedisit, Agim Koçillari, Sekretar për çështjet e Shëndetësisë, Ali Aliu, anëtar i Këshillit Kombëtar, Medi Shehu, Dekan i Fakultetit të infermierisë, Rudina Kraja, Kryetare e forumit të Grave, Romir Hamzaj, anëtar i Këshillit kombëtar dhe Nënsekretar i departamentit për çështjet juridike pranë sekretariatit të çështjeve zgjedhore, Genc Rama, shef i departamentit te ekonomisë dhe anëtar i këshillit kombëtar, Ermir Tafaj, nënsekretar për Çështjet organizative pranë departamentit të çështjeve zgjedhore, Shefit Rustemi, anëtar i Këshillit drejtues Vlorë, Vitri Zyka, anëtar i Këshillit kombëtar Vlorë, Viron Curraj, anëtar i Këshillit Kombëtar Vlorë.
Spahiu: Nuk jemi për të thyer frontin opozitar
Për herë të parë pas largimit të drejtuesve kryesorë, ka reaguar kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu, i cili i ka cilësuar akuzat e tyre shpifje për të çoroditur përkrahësit dhe simpatizantët e “Aleancës Kuqe-zi”. “Asgjë e vërtetë. Vetëm trillime, shpifje për të çoroditur përkrahësit, mbështetësit, simpatizantët e “Aleancës Kuqezi”, tha ai. Sipas Kreshnik Spahiut, pas veprimtarisë politike të AK-së nuk fshihet asnjë prej forcave politike të vjetra, ndërkohë që garantoi për një politikë të re. “Kur erdhëm në politikë dy vite më parë na akuzuan që pas Aleancës Kuqezi është presidenti Topi, për 1 vit na konsideruan lëvizje të presidentit Topi. 1 vit më pas na akuzuan që ne jemi veglat e Edi Ramës dhe të PS-së. Katër ditë më parë u deshën vetëm 30 sekonda që ne të vazhdonim në kauzën tonë, në udhën tonë ashtu siç lindëm dhe u rritëm të vetëm dhe të kthente pllaka që ne qenkemi nga krahu tjetër, që bëkemi lojën e Berishës. Sigurisht, ne kemi dikë pas, por ai është flamuri kuqezi, është simbol i kombit tonë dhe duhet ta respektojmë atë”, tha ai. Duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së 1 majit që do të organizohet në kryeqytet, Spahiu, deklaroi se forca që ai drejton nuk është për të përçarë frontin opozitar, por për të rrëzuar Sali Berishën nga pushteti. “Demokratët dhe socialistët nuk janë thjesht Rama dhe Berisha të cilët kanë hipotekuar partitë e tyre dhe tani duan ta konsiderojnë popullin si bagëti. Ne nuk jemi për të mbjellë farën e urrejtjes, farën e përçarjes, për të thyer frontin opozitar, për të lejuar që Berisha përsëri të rrijë në pushtet, se ai nuk është më shtetasi Berisha për kuqezinjtë, ai është i ndjeri Berisha, ka vdekur politikisht për të gjithë shqiptarët”, theksoi Spahiu.
SHEKULLI
Add new comment