“SHQUP jo vetëm t’u kthehet ushtarakëve, por atyre edhe t’u kërkohet falje”

Shtëpia Qendrore e Ushtrisë jo vetëm duhet t’u rikthehet Forcave të Armatosura, por njëkohësisht të gjithë ushtarakëve në vend duhet t’u kërkohet ndjesë.
Për ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, përgjatë 1992 kalimi i objektit të SHQUP si seli e Partisë Demokratike nuk është asgjë tjetër përveçse një gabim.
“Ky veprim duhet të korrigjohet dhe ushtrisë duhet t’i kthehet ky objekt që duhet të kërkohet ndjesë përpara gjithë ushtarakëve edhe ata që janë të liruar edhe ata që janë në shërbim”, thotë Gjeneral Major Kostaq Karoli.
Por çfarë vlere ka Shtëpia Qendrore e Ushtrisë për ushtarakët?
“Desha të theksoj se nga të gjitha shtëpitë ushtarake që kanë pasur ushtarakët nëpër rrethe, është i vetmi objekt që i ka ngel ushtrisë. Njerëzit mund të mendojnë që është thjesht një objekt për të pirë kafe, por nuk është ashtu. Është një qendër kulture, takimesh, mbledhjesh të Forcave të Armatosura, promovimit të vlerave të Forcave të Armatosura dhe për aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike. Mua më duket që ky veprim është i nxituar dhe i pamenduar mirë. T’ia heqësh ushtrisë dhe ta japësh për një selie partie?! Ky është një gabim. Ushtria goditet rëndë me një veprim të tillë”, thotë zoti Karoli.
Deri tani Partia Socialiste ka mbajtur qëndrim kundërshtues për futjen në proces privatizimi të disa pronave të Ministrisë së Mbrojtjes duke deklaruar se do të anulohet çdo vendim që mazhoranca e re e konsideron cenim të interesit publik./TCH
Tema
Add new comment