“Sfidat e sigurisë detare në Adriatik dhe Jon” ,Brisha: Ndaluam skafet, industri e krimit të organizuar

Postuar në 29 Maj, 2013 08:30

Shqipëria mbetet e angazhuar për një luftë me tolerancë zero ndaj dhunimit të ligjit në ujërat e saj territorial deklaroi sot Kryeministri  Sali Berisha në konferencën “Sfidat e sigurisë detare në Adriatik dhe Jon”.  “Ky është kushti më themelor për të garantuar sigurinë e tyre. Por kjo kërkon një përpjekje shumë të madhe dhe unë ju garantoj se Shqipëria përpiqet në mënyrë serioze për një luftë me tolerancë zero ndaj dhunimit të ligjit në ujerat e saj territoriale. Në këtë kontekst, për vite të tera ne ndaluam disa mjete lundruese të vogla, skafet, të cilat ishin industri e krimit të organizuar. U shpëtuan me qindra e qindra jetë, por u bë dhe një koordinim i shkëlqyer me autoritetet italiane në luftën kundër krimit të organizuar. Ballkani është rajoni ku mungojnë më shumë projektet e mëdha europiane. Zhvillimi i këtij rajoni është interesi i të gjitha rajoneve të tjera të Europës, pasi këtu potencialet janë ndoshta më të mëdha se kudo. Por këto potenciale janë për tu shfrytëzuar për tu zhvilluar”, deklaroi Berisha. Ai e vlerësoi ndërtimin e “Koridorit të 8” si  rruga natyrale e investimit dhe si një potencial të fuqishëm për zhvillimin e rajonit.
“Prej 20 vitesh diskutohet ‘Korridori 8′, që është rruga natyrale e investimit. Ftoj që të bëjmë gjithçka për ndërtimin e tij. Pavarësisht vështirësive, qeveritë tona duhet ta ndërtojnë atë korridor, si një promotor zhvillimi të rëndësishëm të vendit të tyre dhe rajonit e më gjerë. Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë më të sigurt rajonin. Uroj dhe dëshiroj që vendet fqinjë të rajonit të ecin dhe kanë mbështetjen e plotë të Shqipërisë, në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, çka do e bëjë rajonin më të sigurt”,- tha Berisha. Ambasadori amerikan Alexander Arvizu  tha se për adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë në Adriatik dhe Jon  janë të domosdoshme përpjekjet e përbashkëta rajonale.“Konferenca e sotme paraqet një hap të pare në një rrugë të gjatë për bashkëpunimin rajonal, për të përmirësuar sigurinë detare në rajon. Sfidat kanë të bëjnë me përpjekjet praktike që duhen bërë për tu përballur me këto sfida. Këto rreziqe lidhen jo vetëm me kufijtë gjeografike, prandaj duhet të punojmë së bashku, të gjejmë qasje dhe strategji që karakterizohen nga fleksibiliteti. Vetëm duke mbyllur ndarjet ne mund të jemi të efektshëm për adresimin e sfidave të sotme. Siguria nuk mund të bëhet e mundur pa përpjekje rajonale dhe bashkëpunim rajonal. Ky është fokusi i konferencës së sotme”,- deklaroi Arvizu.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.