“Podesta”, zbulohet kontrata e dytë e qeverisë për lobim në SHBA

Postuar në 30 Janar, 2013 13:52

 

Kontrata e lobimit me ‘Patton Boggs’ nuk është e vetmja që qeveria shqiptare paguan me paratë e qytetarëve për të pasur akses në politikën amerikane.

Në prill të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave ka nënshkruar një marrëveshje tjetër lobimi, me një tjetër kompani. Këtë herë bëhet fjalë për ‘Podesta Group’. Kontrata ka afat 1-vjeçar dhe mbaron në 31 mars të këtij viti.

Sipas marrëveshjes të publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shërbimi që ‘Podesta’ do të kryejë për qeverinë shqiptare është i njëjtë, lobim në Shtetet e Bashkuara.

Siç thuhet në kontratë, kompania ‘Podesta’ merr përsipër të kryejë shërbime avokatie me qëllim fuqizimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po kështu, ‘Podesta’ ka marrë përsipër të ndihmojë në gjetjen e financimeve nga institucionet donatore ndërkombëtare me bazë në Shtetet e Bashkuara. Në këmbim qeveria shqiptare i paguan kompanisë ‘Podesta’, 60 mijë dollarë në muaj plus shpenzimet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Pra, një marrëveshje me vlerë 720 mijë dollarë, pa shpenzimet shtesë, që në thelb të saj ka të njëjtin qëllim me atë të lidhur në fund të vitit të kaluar me kompaninë tjetër lobuese ‘Patton Boggs’, vlera e së cilës ende nuk dihet dhe nuk është publike.
Por nëse edhe kjo kontratë ka të njëjtën vlerë sikurse kontratat e mëparshme, pra të paktën 200 mijë dollarë, zyrtarisht qeveria shqiptare paguan dy kompani, me një shumë totale prej 900 mijë deri në një milion dollarë në vit për lobim në Shtetet e Bashkuara.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.