“MBROJTJA CIVILE” E KA NË DORË VERIUN ?

Postuar në 05 Gusht, 2013 02:59

Pas mbylljes së stacioneve ilegale serbe në Veri të Kosovës, “Civilna Zastita” (Mbrojtja civile) është faktorizuar duke marrë përsipër menaxhimin e situatës në atë pjesë të Kosovës.

Hezitimi i krerëve serbë gjatë bisedimeve në Bruksel për të pranuar shuarjen e “Mbrojtjes civile” që funksionon në Veri të Kosovës, e ka faktorizuar këtë të fundit. Pjesëtarët e kësaj strukture ilegale i kanë marrë kompetencat prej të tjerëve në Veri dhe dyshohet se pikërisht këta pjesëtarë, të cilët shpesh herë shihen edhe me armë nëpër rrugë e kanë hapur gropën në rrugën për në thellësi të ‘Kroit të Vitakut’, duke pamundësuar rindërtimin atje.

Drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha për Radio Kosovën se “Mbrojtja civile” është shndërruar në pengesë kryesore për normalizimin e situatës.

”Hapja e kësaj grope mes rrugëve për pengimin e ndërtimit të shtëpive shqiptare është bërë nga ta me një eskavator”, theksoi ai.

Në ndërkohë në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ përkundër reagimeve të banorëve dhe komunës, strukturat ilegale serbe vazhdojnë punën për ndërtimin e dy banesave kolektive, ku nuk dihet se kush do të vendoset.

Florent Azemi nga Lagja e Boshnjakëve, thotë se kjo është në vazhdën e aktiviteteve për spastrim etnik të shqiptarëve nga veriu.

”Në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ ku së pari është bërë spastrim etnik me metoda klasike me blerjen e atyre pronave dhe ka filluar ndërtimi i një objekti kolektiv për serbët që nuk janë nga Mitrovica e veriut dhe nga ana tjetër serbët e orkestruar nga Beogradi po e pengojnë ndërtimin e shtëpive tona të djegura”, theksoi ai.

Express

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.