“KQZ-ja, arrogante me ne, Kolegji nuk i zëvendëson 5 anëtarët”

Gjonçaj: Riformatim i KQZ-së, projekti i “Indra”-s të mos zvarritet qëllimisht
BLEDAR HOTI
Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, në intervistën për gazetën “Shqip” shprehet se KQZ-ja duhet të riformatohet pasi Kolegji nuk mund të marrë rolin e këtij institucioni për sa i përket certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Është një domosdoshmëri që KQZ-ja të riformatohet, të rikompozohet dhe ne të kemi një komision të përbërë nga shtatë anëtarë”, thekson Gjonçaj.
Jemi një javë përpara procesit zgjedhor, si i shikoni përgatitjet e ndërmarra deri më tani nga ana e KQZ-së?
Në fakt po na bëhet më e vështirë për të marrë pjesë edhe ne si PS në këtë proces, pasi sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më arrogante bëhet KQZ-ja në raport me opozitën. Këtu i referohem sjelljeve të vazhdueshme të kryetares së KQZ-së, Lefterije Lleshi, e cila padrejtësisht bën atë që nuk duhet bërë. Pra ndërpret fjalën, ndërhyn në mes të diskutimeve, ndërkohë që çështjet që ne trajtojmë kanë si objekt kryesor cilësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Kur flasim për cilësi, flasim për aktet që po kalon KQZ-ja, të cilat në këto momente janë shumë të rëndësishme. Kjo KQZ, besoj se edhe fizikisht, duket se është e gjysmuar, prandaj është një arsye më shumë që KQZ-ja të dëgjojë zërin e opozitës, propozimet e saj, që janë thjesht teknike, aspak politike. Por gjithsesi po shkojmë në një proces me disa rregulla të miratuara nga KQZ-ja, por jo në formën e kërkuar nga Kodi Zgjedhor, por për hir të procesit nuk kanë gjetur ankimimin tonë pranë Kolegjit. Pra interesi ynë është të shkojmë në zgjedhje me këto rregulla, paçka se këto rregulla nuk kanë pasur bazueshmëri në Kodin Zgjedhor.
Zoti Gjonçaj, këto ditë është rritur presioni i faktorit ndërkombëtar për sa i përket certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. A mund të vendosë për këto Kolegji Zgjedhor?
Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet mazhorancës. Problemi filloi dhe mbaroi në momentin kur mazhoranca shkarkoi në mënyrë të paligjshme një anëtar të KQZ-së. Duhet, Kuvendi i Republikës, mazhoranca që të kishin menduar me kohë se ç’do të ndodhë me një KQZ kur Parlamenti ndërhyn padrejtësisht. Gjithë pjesa tjetër pastaj është konsekuencë. Pyetja është shumë korrekte. Pra nëse KQZ do të dojë një minimum kuorumi prej pesë vetash për të shpallur rezultatin, ku do ta shpallë? Kjo është një çështje që do të shtrohet në momentin kur të kemi një rezultat. Do të shikohen mundësitë nëse çështja do të shkojë pranë Kolegjit. Por një gjë është e sigurt se Kolegji Zgjedhor nuk mund të zëvendësojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra edhe sikur të jetë një zgjidhje e tillë, pra që njëra palë të shkojë në kolegj për një arsye apo një tjetër, qoftë edhe thjesht për të pasur një rezultat të certifikuar, vendimi i Kolegjit nuk do të mund ta zëvendësonte KQZ-në. Pra është domosdoshmëri që KQZ-ja të riformatohet, të rikompozohet dhe ne të kemi një komision të përbërë nga shtatë anëtarë. Nuk është zgjidhje çështja, që Kolegji do të certifikojë një rezultat. Jo! Kolegji është gjykatë, e gjykatat nuk trajtojnë çështje që u përkasin organeve administrative. Gjykatat i përkasin një pushteti tjetër, e kjo gjë nuk ka lidhje fare me rezultatin e 23 qershorit.
Për sa i përket projektit SEV të Qarkut të Tiranës. A është kohë e mjaftueshme për implementimin e saj nga kompania spanjolle “Indra” dhe KQZ-së?
Jemi në limitin e kohës. Ne prej kohësh kemi shprehur shqetësimin tonë të vazhdueshëm. Pothuajse tërë kohës në mbledhjet e KQZ-së e kam ngritur si shqetësim një gjë të tillë, zbatimin e projektit SEV. Është në pikëpyetje. Shpresoj që kryetarja e KQZ-së të jetë serioze në atë se çfarë deklaroi se presim kompaninë, pasi pjesën tjetër të infrastrukturës e kemi gati. Duhet të mbani në konsideratë se janë rreth 1400-1500 veta që do të përfshihen në këtë proces, janë jashtë strukturave zgjedhore. Duhet të mbani parasysh se është një kompani, e cila ka demonstruar dy herë pranë KQZ-së por ende nuk ka një vendimmarrje të KQZ-së për rregullat që duhet të ndjekë “Indra” e që duhet të ndjekin qytetarët sipas këtij sistemi. Është në pikëpyetje serioze, nuk mund të them se është e qëllimshme kjo zvarrite ose jo, por shpresoj të mos jetë e tillë. Shpresoj shumë që në këto ditë të mbetura të bëhet maksimumi për të parë të realizuar këtë projekt.
A mendoni se zvarritja e këtij procesi mund të lidhet me çështjet e listave të zgjedhësve, me dublimet e hasura, apo dhe me mundësinë e kartave false që mund të përdoren në zgjedhje?
Nuk besoj se kjo është një arsye. Deri tani nuk kemi denoncuar rastet e problematikave me listat. Ato janë shpallur, afishuar, përveç çështjes së dublimeve apo të personave pa adresë, opozita nuk ka treguar ende ndonjë shqetësim lidhur me listat e zgjedhësve. Sa i takon pjesës së falsifikimit të kartave, kjo është një përgjegjësi, e cila i takon Ministrisë së Brendshme, autoriteteve që prodhojnë kartat. Nëse do të kemi karta false apo karta që do të përdoren për qëllime elektoral, pra për deformim të rezultatit të votimit, padyshim që kjo nuk do të lejohet të ndodhë, pasi opozita i ka marrë të gjitha masat e saj, ku në çdo QV do të realizohet një verifikim i personave që do të paraqiten pranë këtij komisioni. E kjo nënkupton se kushdo që do të paraqitet me një kartë false për këtë qëllim do të penalizohet.
Paralajmërimi
Opozita i ka marrë të gjitha masat e saj, ku në çdo QV do të realizohet verifikimi i personave që do të paraqiten pranë këtij komisioni. Kushdo që do të paraqitet me një kartë false për këtë qëllim, do të penalizohet
Projekti i çadrave
KQZ nxjerr mediat live jashtë institucionit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur disa çadra jashtë ambientit të godinës me qëllim që të krijojë hapësira për mediat televizive për të transmetuar live mbi situatën në ditën e 23 qershorit. Një vendim i çuditshëm, i cili ka befasuar çdo përfaqësues të medias, pasi për herë të parë në këto zgjedhje, mediat do të jenë jashtë ambientit të KQZ-së. Burime nga KQZ-ja theksuan se kjo gjë ndërmerret që të mos prishen ambientet në ditën e zgjedhjeve. Ky ishte argumenti që bën që mediat live të qëndrojnë jashtë në tendat që të kujtojnë takimet Gedafit nën efektin e temperaturave të larta. Mënyra se si është menduar që mediat të lihen jashtë duket se nuk krijon kushte të përshtatshme për gazetarët, të cilët do t’i duhet të përballojnë dhe ditën e nxehtë të 23 qershorit, jo vetëm atë të barometrit politik, por edhe të temperaturave të së dielës së ardhshme. Në zgjedhjet e kaluara, mediat vizive live kanë transmetuar në hollin e KQZ-së. Mbase si zgjidhje mund të ishte që mediat të instaloheshin në hollin e katit të dytë të Pallatit të Kongreseve, ambiente që nuk përdoren në periudha zgjedhore.
SHQIP
Add new comment