“Gërdeci”, familjarët e viktimave: Dënim maksimal për përgjegjësit, Apeli të respektojë ligjin

Postuar në 03 Shkurt, 2013 14:17

 

Ndërsa nesër pritet që Gjykata e Apelit të japë vendimin për çështjen e Gërdecit, familjarët e viktimave kanë apeluar sërish për dënimin maksimal të fajtorëve të kësaj tragjedie, ku 26 persona humbën jetën. Nëpërmjet një deklarate për mediat ata kanë kërkuar që gjykata e Apelit të riparojë vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit, që e kanë cilësuar zhgënjyes.

“Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë nuk pati vrasje siç pretendonte prokuroria. Sigurisht që kjo nuk mohon faktin që në Gërdec humbën jetën 26 persona. Thjesht këto humbje jete u riklasifikuan si pasoja anësore të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Diferenca kryesore mes klasifikimit të bërë nga gjykata në krahasim me atë që pretendoi prokuroria ndikoi tek masa e dënimit. Gjykata gjeti një nen më të butë duke hedhur idenë se burgimi i përjetshëm bëhet i papërshtatshëm. Pavarësisht kësaj, neni 289 i Kodit Penal në paragrafin e dytë parashikon një dënim jo më pak se pesë vjet. Kjo do të thotë që gjykata teorikisht në aplikim të këtij neni mundet edhe të mbërrinte të jepte një dënim me burgim të përjetshëm. Këtë mund ta mbështeste edhe në nenin 31 të Kodit Penal, i cili lejon dhënien e burgimit të përjetshëm në rastet e një krimi të rëndë”, thuhet në deklaratë.

Më tej ata theksojnë se gjykata duhet të marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi dhe dënimin maksimal të përgjegjësve. “Miklimi i zemëratës së familjarëve të viktimave me 18 vitet impresionuese të dënimit për dy të pandehur ishte një tentativë e dështuar. Shifrat 18 apo 10 ishin dhe janë aspak proporcionale me dhimbjen e humbjes të të dashurve tanë. Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi.

Ju kujtojmë se jo vetëm kronika e vdekjeve në Gërdec ka qenë e paralajmëruar, por dhe lehtësia e dënimeve të fajtorëve duket se është e paralajmëruar. Jetët tona ishin të pavlera nëse shihen kushtet e sigurimit të shëndetit e të jetës që nuk respektoheshin, por dhe drejtësia për humbjen e tyre nuk duket se ka pasur fat më të mirë.

Nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur në SHBA, ku dhe u dënua Efraim Diveroli thjesht për mos respektim të rregullave të detyrueshme të një shteti tjetër, dënimi do të ishte maksimal.  Sistemi atje njeh mundësinë e vlerësimit të dhimbjes nga një trup gjykues popullor. Këtu ky sistem nuk ekziston, por është e qartë nga ana tjetër se opinioni publik është në anën tonë në këtë luftë me të drejtën. Për një gjykatë popullore dënimi do të ishte maksimal. Gjykata e Apelit duhet ta marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi, që përbën dhe një nga funksionet e drejtësivënies e të respektimit të ligjit.

Ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit i kërkojmë gjykatës së Apelit në Tiranë të respektojë ligjin dhe të jetë e drejtë me ne, viktimat e vërteta të kësaj tragjedie. Ne familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit i kërkojmë Gjykatës të dënojë më maksimumin e dënimit fajtorët e kësaj tragjedie që ndryshoi për keq njëherë e përgjithmonë jetët tona”,- përfundon deklarata.

Në mars të vitit të kaluar Gjykata e Tiranës vendosi 10 vite burg për pronarin e kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe nga 18 vjet burgim për ish-kreun e MEICO, Ylli Pinari dhe ish-përgjegjësin e ndërmarrjes Alba-Demil, Dritan Minxolli. Ish-shefi Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, u dënua me 6 vite, ndërsa Sokol Ngjeçi me 10 vite burg. Prokuroria kishte kërkuar tre burgime të përjetshme për Dritan Minxollin, Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin, ndërsa për Sokol Ngjeçin kërkoi dënimin me 23 vjet burg. Çështja u apelua nga Prokuroria e Tiranës dhe nesër pritet që Gjykata e Apelit të japë vendimet për këtë ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 26 persona, mbi 300 të tjerë u plagosën si dhe u dëmtuan shumë banesa e biznese.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.