“Berisha gënjen me 10 mijë km rrugë”

Postuar në 22 Prill, 2013 13:49

Deputeti socialist Erjon Braçe ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook një raport ku hedh poshtë pretendimet e qeverisë për atë që ajo e konsideron si suksesin më të madh të mandatit të saj, ndërtimin e rrugëve. 

Sipas kryeministrit Berisha, gjatë tetë viteve nën qeverinë e tij janë ndërtuar 10 mijë kilometër rrugë në gjithë Shqipërinë. Por në raport, zoti Braçe, i cili pretendon se i referohet të dhënave zyrtare të vetë qeverisë, e akuzon kryeministrin se kjo është gënjshtra e shekullit. 

“Dy agjencitë më të mëdha të qeverisë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ndërtuan kurrë 10 mijë kilometra rrugë, autostrada, rrugë me dy vija kalimi, apo edhe rrugë fshati”, shkruan Braçe. 

Zoti Braçe ka publikuar në raport të dhënat e detajuara, për çdo kategori të vecantë rrugësh, që është ndërtuar gjatë këtyre viteve. 

“Autostrada të kategorisë “A” me 4 korsi janë ndërtuar në total 215.58 kilometra, rrugë të kategorisë “B” me dy korsi janë ndërtuar 167.03 kilometra, ndërsa rrugë të kategorisë “C” me dy korsi, por me gjerësi 7.5-9 metra janë ndërtuar 393.93 kilometra. Në total rrugë të ndërtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve janë vetëm 776,54 kilometra”, shkruan zoti Braçe. 

Këtyre, sipas tij, u shtohen edhe 826.9 kilometra të tjera, që janë ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në zonat rurale të vendit. 

“Në total, autostrada, rrugë me dy korsi dhe rrugë rurale me gjerësi 3.5 deri në 6 metra janë ndërtuar vetëm 1603.5 kilometra. Kaq janë 6 herë më pak se sa thotë Sali Berisha”, pretendon zoti Braçe. 

“Gënjeshtra është edhe më e madhe sepse një pjesë e këtyre rrugëve nuk janë përfunduar ende, pavarësisht se raportohen me kilometra në dokumentat zyrtare”, përfundon raporti i deputetit socialist të Beratit, njëkohësisht një nga zërat më të fortë kritikë brenda së majtës ndaj qeverisjes së zotit Berisha. 

 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.