“Belle Air” vjedh pasagjerët dhe qeverinë

Gjashtë policë të Kosovës, një i EULEX-it, dhe mbi katër punëtorë të sigurimit, ruanin të dielën sportelin e kompanisë ajrore “Belle Air”, e cila gjendet brenda terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Megjithatë, as këto forca policore nuk mund të ndalnin qindra qytetarë, të cilët shtyheshin me bërryla për të marrë informacione rreth vonesave dhe anulimit të fluturimeve nga kjo kompani, sidomos për në Zvicër dhe Gjermani.
Sali Topojani nga Kaçaniku, së bashku me gruan e tij e kombësisë gjermane, dhe dy fëmijë, të premten e kaluar kishin hyrë në avion për t’u nisur drejt Dyseldorfit të Gjermanisë. Mirëpo, në moment të fundit atij i është thënë që duhet të dalë nga avioni, sepse numri i udhëtarëve është më i madh se numri i vendeve.
“Këta të kompanisë na thanë se duhet të presim deri të dielën në orën 17:00 për të fluturuar, mirëpo edhe sot për arsye të panjohura është anuluar fluturimi. Ne nuk dimë se çka të bëjmë dhe ku të shkojmë. Si pasojë e vonesave ne po i humbasim vendet tona të punës. Ky është mjerim. Veç në Kosovë ndodhin gjëra të tilla”, shprehet i mllefosur ai, ndërsa tentonte të merrte sqarime nga punëtorët e kompanisë “Belle Air”.
Mirëpo, as pas shumë përpjekjesh nuk arriti të bëjë një gjë të tillë. Topojani nga distanca kërkonte nga stafi i kompanisë që t’i jepnin një dokument rreth anulimit të fluturimit, por tre punëtorët e kësaj kompanie, dy nga Shqipëria dhe njëri nga Kosova, nuk e bënin një gjë të tillë.
Madje ky i fundit kishte sjellje arrogante, edhe në raport me gazetarët e gazetës “Zëri” dhe të Radio Televizionit 21, të cilët bisedonin me qytetarët afër sportelit, të cilët pritnin me orë të tëra për të marrë informacione. “Vonesat po bëhen veç për pikë të qejfit”, thoshte punëtori i “Belle Air”, ndërsa fshihte ID-në e tij.
Tema
Add new comment