“Albpetrol” Mbyllen të gjitha kontratat deri në 2014

Kompania likuidon “hesapet” me vlerë 100 milionë USD. “Bankers” sqaron “paradhënien”
Kostot e transportit rriten nga tarifa 40 euro, kurse në vit për një subjekt arrin 100 mijë euro
Në këtë sezon të vitit, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arrijnë pikun, me vëllim të lartë
Kompania e prodhimit të naftës në vend ka likuiduar të gjithë sasinë e naftës që merr nga shoqëritë koncesionare, të paktën deri në mars të vitit 2014. Burime të sigurta pranë “Albpetrol” bëjnë të ditur se në muajin shkurt të këtij viti, kompania ka mundur të shesë të gjithë sasinë prej 200 mijë tonësh naftë bruto, me vlerë mbi 100 milionë dollarë.
Kjo sasi korrespondon me periudhën deri në tremujorin e parë 2014, duke i vendosur kapakun “çdo pusi” që shpreson qeveria socialiste të hapë. Dy ditë më parë, deputeti i Qarkut të Fierit, Erjon Braçe, ngriti shqetësimin se “Albpetrol” po shet të gjithë sasinë e naftës, paraprakisht, edhe pse nuk e ka atë, si manovër e pastër politike dhe përfitime të paligjshme nga drejtues aktualë.
Ankandet dhe e vërteta e rezervimit
Ajo ccfarë ndodh me ankandet e naftës ka të bëjë me të drejtën e “Albpetrol” për të shitur naftën bruto që merr nga shoqëritë koncesionare, sipas një grafiku tremujor. Sasia e shitur në shkurt 2013, prej rreth 200 mijë tonësh nuk është se disponohet e gjitha nga “Albpetrol” dhe subjekti që del fitues, merr garanci që me derdhjen e parave, në rastin konkret 100 milionë dollarë (natyrisht, me këste), merr në periudha të caktuara, sipas kontratës sasinë që ka blerë, ose më saktë që ka prenotuar.
Pikërisht kjo ka ndodhur edhe me shkresën që “Albpetrol” i dërgon kompanisë kanadeze “Bankers”, ku i kërkon me ngulm sasinë prej 30 mijë tonësh, pasi i duhet të respektojë kontratën që ka me fituesin e tenderit të muajit shkurt.
Sakaq, kompania kanadeze sqaron për gazetën “Shqip” se, kërkesa e “Albpetrol” nuk është pranuar për shkak se më parë duhet të rakordojë të dhënat (sasitë, prodhimin), të cilat realizohen ccdo fund tremujori, në rastin konkret në shtator.
Ajo çfarë mbetet mister lidhet me faktin se pse drejtuesit e kompanisë shtetërore e kërkojnë me ngulm sasinë ekstra prej 12 mijë tonësh, duke qenë se 18 mijë ua kishte borxh “Bankers”.
Në këto kushte, për drejtuesit e rinj të “Albpetrol”, pak mundësi do të kenë për të korrigjuar kontratat, pasi ato janë kopsitur të paktën deri në mars të vitit 2014.
Puset e “Shell” dhe helikopteri
Kompania e njohur “Shell” njofton se ka nisur shpimin e pusit të dytë në Shqipëri. Publikimin e operacionit të ri, sipas “energjia.al” e bëri pak ditë më parë ortaku i gjigantit holandez, “Petromanas”, duke iu referuar blloqeve 2-3 në Molisht. Shpimi i pusit ka nisur më 20 gusht, rreth 17 kilometra në jug të pusit tjetër Shpirag-2. Kompania synon që të arrijë në një thellësi totale prej 5500 metrash, në një afat prej 9 muajsh. Kostoja totale e shpimit vlerësohet të jetë rreth 62 milionë dollarë. Sa i takon pusit të naftës Shpirag-2, thellësia e arritur është 5547 metra në fund të qershorit. Tashmë kompania synon që të realizojë një test kontrolli në një thellësi prej 350-400 metrash të zonës karbonatike të synuar. Testi pritet që të fillojë në tetor dhe brenda tremujorit të katërt të shpallen rezultatet. Për sa i përket rrëzimit të helikopterit në 13 gusht 2013, “Petromanas” njofton se përveç hetimit të Ministrisë shqiptare të Transportit, ka mobilizuar dhe stafin e saj hetues i cili po bashkëpunon me pjesën shtetërore. Ndërsa operacionet tokësore kanë rifilluar, ato ajrore janë akoma të pezulluara, deri në përfundimin e hetimit. Theksohet se gjiganti botëror SHELL ka 75 për qind të interesit në Blloqet 2-3, ndërsa “Petromanas” ka 25 për qind.
Përplasja
Kostot e transportit, faturat që nuk njohin dhe rregullorja e re bllokojnë shkëmbimet
Beteja tregtare Kosovë-Shqipëri
përfundon me protesta në doganë
Historia përsëritet dhe përsëritet, por askush nuk e merr përsipër t’i japë një zgjidhje. Kanë kaluar rreth dy javë nga dërgimi i letrës që shoqata e eksportuesve shqiptarë i dërgoi Ministrisë së Ekonomisë, për t’i dhënë zgjidhje problemit, por ende nuk kanë marrë të paktën asnjë reagim, kurse për zgjidhje as që bëhet fjalë.
Edhe me çlirimin e Kosovës dhe me pavarësimin e saj situata tregtare e marrëdhënieve mes dy pjesëve shqiptare ka mbajtur e njëjtë, ose thënë ndryshme më e keqja në Europë. Barrierat që kanë ngritur të dyja shtetet shqiptare kundër njëri-tjetrit kanë bërë që rreth 150 biznese nga Kosova të realizojnë një protestë në pikën e përbashkët që quhet ndryshme edhe pikë neutrale në kufirin shtetëror në Morin të Kukësit.
Protestës i janë bashkuar një numër biznesesh nga Shqipëria dhe Maqedonia, të cilët realizojnë një volum relativisht të madh shkëmbimesh mallrash në tregun ballkanik ku banojnë shqiptarët.
Siç u tha nga përfaqësuesit e bizneseve, përmes kësaj proteste kërkohet krijimi i një organi të vetëm doganor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë duke përfshirë edhe Maqedoninë. Bizneset e katre vendeve kërkojnë heqjen e tarifës prej 40 euro për qëndrim në terminalin e ndërtuar, faturë unike e nga të dyja palët (Shqipëri-Kosovë), si dhe t’u jepet fund qëndrimeve korruptive e burokratike, siç i cilësojnë ata, në dogana e cila po dëmton biznesin e të tri vendeve.
Prej datës 1 gusht eksport-importi është bërë shumë vështirë, me kosto të larta. Një tregtar tha se askush më mirë se qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës nuk punon për interesat tregtare të Serbisë, por me situatën e krijuar me barriera dhe fatura që asnjëra palë nuk ia njeh palës tjetër, del e fituar pikërisht Serbia e cila rrit, me ndihmën e shqiptarëve, mundësinë e futjes së mallrave të saj në Kosovë.
“Mallrat serbe pothuajse e kanë pushtuar tregun në Kosovë, sepse ne, mes njëri-tjetrit, i vendosim barriera tregtare”, tha një tregtar i agroushqimores nga Kosova.
“Mesatarisht, një kompanie biznesi që kryen eksport e import nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas i shkaktohet një dëm prej 100 mijë euro në vit e kjo rëndon çmimet në treg largon blerësin dhe shkurton vendet e punës, tha një tregtar nga Tirana”, thotë një tjetër tregtar. Piku i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe me Maqedoninë, kryesisht përmes doganës së Morinit në Kukës shënohet pikërisht gjatë stinës së verës, dhe përfshin një game të gjerë mallrash. Nga Shqipëria dërgohen në Kosovë kryesisht materiale ndërtimi si: hekur, çimento, tulla, karburante, produkte bujqësore etj.
S.Dida
SHQIP
Add new comment