“21 janari”, Prokuroria kërkon 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vjet për Llupon

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 48 vjet burg në total për dy të akuzuarit kryesorë për ngjarjet e “21 Janarit”: ish- kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo.
Në një sallë të tejmbushur me gardistë, prokurori i çështjes, Blerim Tominaj ka lexuar pretencën e plotë ku janë rindërtuar skenat e vrasjes së katër protestuesve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pak metra larg selisë kryeministrore. Tominaj ka rindërtuar momentin ku protesta ka precipituar dhe rreth orës 16:00, të datës 21 janar 2011, janë vrarë protestuesit: Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj dhe janë plagosur disa persona të tjerë, mes të cilëve gazetari Fatos Mahmutaj.
Në përfundim Tominaj ka kërkuar shpalljen fajtorë të ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi për vrasjen e protestuesit Faik Myrtaj dhe dënimin e tij me 23 vite burg. Sipas prokurorisë Prendi ka qëlluar në mënyrë të drejtëpërdrejtë me armën e tij mbi turmën e protestuesve, duke shkaktuar vrasjen e Myrtajt. Ndërsa për gardistin Agim Llupo, i vetmi i akuzuar që mbahet në burg, prokurori Tominaj ka kërkuar shpalljen fajtor për akuzën e vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Sipas akzuës, Llupo ka qëlluar në mënyrë selektive mbi turmën duke shkaktuar vdekjen e dy protestuesve.
“Prendi dhe LLupo kanë kryer vrasje me dashje në rrethana cilësuese, duke qenë koshientë. Agim Llupo i ka shënjestruar viktimat e tij ndërsa Ndrea Prendi ka qëlluar 11 herë duke vrarë Faik Myrtajn”,- theksoi prokurori Tominaj. Ndërkohë për të pandehurin tjetër të këtij procesit, Margarit Kume, prokuroria është tërhequr nga akuza, me argumentimin e nuk është vërtetuar se ai ka qenë përgjegjës për ndryshimin e armës së Prendit.
Ndërkohë vrasja e Aleks Nikës, demonstruesi nga Lezha, ende vijon të jetë e pazbardhur. Pak ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pohoi se do të hetojë vrasjen e Nikës. Sipas tij institucioni i prokurorisë ka kryer hetime të plota në mjaft vende të ndryshme duke kryer ekspertime disa laboratorë më të mirë kriminalistikë përfshirë edhe laboratorët e FBI.
Gjatë seancës së sotme, në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë dhe komisionerë të Avokatit të Popullit. Ambasada amerikane dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë disa herë kanë apeluar për një proces gjyqësor të pavarur dhe zbardhjen e së vërtetës për vrasjen e 4 protestuesve. Ndërkohë kryeministri Berisha, ditën kur shënohej 2-vjetori i vrasjes së 4 protestuesve, ka bërë një analogji me Revolucionit të Qershorit të 1924. Ai ka deklaruar se në 21 janar 2011 një grusht aventurierësh bënë përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin e dalë me votë.
SHQIP
Add new comment