“21 Janari”: Apeli dënon Prendin e Llupon me vetëm 4 vite burg, për dy të vrarë

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); color: rgb(85, 85, 85); background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Vrasjet
Faik Myrtaj, me autor - Autori i vrasjes së demonstruesit nga Fieri është ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Gjykata e ka dënuar vetëm me 1 vit burg, me akuzën e vrasjes nga pakujdesia
Hekuran Deda, pa autor - Gjykata e Apelit ka lënë pa autor një tjetër vrasje gjatë 21 janarit. Më parë, prokuroria kërkoi dënimin e Agim Llupos për këtë vrasje. Tashmë, asnjë i akuzuar
Ziver Veizi, me autor - Demonstruesi gjirokastrit, sipas Gjykatës së Apelit, u vra nga Agim Llupo. Megjithëse gardisti qëlloi drejtpërdrejt dhe jo në ajër, ai u dënua vetëm me 3 vite burg
Aleks Nika, pa autor - Prokuroria ende nuk e ka zbardhur këtë vrasje. Kryeprokurori Adriatik Llalla, pasi mori detyrën, u zotua se do e zbardhte. Deri më tani, asnjë provë e re
Drejtësia kujdeset që ish-gardistët të mos bëjnë asnjë ditë në burg
Sokol Çobo
Drejtësia është kujdesur më së miri që dy të pandehurit për vrasjet gjatë demonstratës së 21 janarit të mos bëjnë asnjë ditë tjetër në burg. Gjykata e Apelit ka dënuar dje me 1 vit burg ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, dhe me 3 vite burg Agim Llupon, ish-shefi i njësisë speciale. Ata u dënuan me akuzën e vrasjes nga pakujdesia dhe masa e dënimit duket se është qesharake, pasi ngjason me dënimet për shkaktarët e aksidenteve. Megjithatë, sipas përllogaritjeve, Ndrea Prendi nuk do të rikthehet me masë arresti me burg, pasi një vit burg ai e ka shlyer me kohën e qëndrimit në shtëpi. Ish-gjenerali është arrestuar në janar të vitit 2012, pra një vit pas ngjarjes, dhe ka qëndruar në “shtëpi” deri në muajin shkurt të vitit 2013. Kjo kohë llogaritet 1 ditë në shtëpi = 1 ditë burg. Pra, Prendi rezulton se ka qëndruar më tepër sesa dënimi i Apelit dhe i lind e drejta që të kërkojë dëmshpërblim për burgim të padrejtë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Agim Llupon, i cili është arrestuar menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit, pasi u filmua teksa qëllonte një demonstrues. Ai ka qëndruar në burg deri në muajin shkurt të këtij viti, kur edhe u shpall i pafajshëm, ndërsa në total i bëhen 46 muaj burg. Pra rezulton se Llupo ka qëndruar rreth 10 muaj më tepër në burg sesa u dënua nga Apeli dhe ai mund të kërkojë kompensim për burgim të padrejtë. Megjithatë, prokuroria dhe mbrojtësit kanë deklaruar se do t’i bëjnë rekurs këtij vendimi në Gjykatën e Lartë.
Vrasja nga pakujdesia
Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga kryesues Ervin Metalla dhe anëtarë Agim Bendo dhe Evgjeni Sinoimeri, brenda 48 orëve shqyrtim gjyqësor kanë dhënë vendimin përfundimtar, i cili nuk i ka pëlqyer asnjërës prej palëve, megjithëse të pandehurit nuk do të rikthehen në qeli. Por ajo që ra më shumë në sy ishte ndryshimi i akuzës për të pandehurit, nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia. Ende nuk ka ndonjë arsye përse ka ndryshuar kualifikimi i veprës penale, kur në fakt është provuar se të pandehurit kanë qëlluar në distancë të ulët nga toka, madje drejtpërdrejt dhe veprimet kanë qenë me dashje. Por gjykata jonë e nderuar u ka ndryshuar akuzën, ndërsa Shkalla e Parë nuk kishte tagrin për ta ndryshuar. Pra, në dy shkallët e gjyqësorit ligji zbatohet në mënyra të ndryshme dhe, duke parë këtë proces gjyqësor, nuk është çudi që edhe shkalla më e lartë e gjyqësorit të ndryshojë edhe kualifikime ligjore, apo ta rikthejë këtë proces për rishqyrtim gjyqësor. Mësohet se akuza e vrasjes me dashje, siç kërkuan dy prokurorët e Apelit Shkëlqim Hajdari dhe Altin Dumani, të dënohen dy gardistët, u rrëzua edhe nga Gjykata e Apelit si e pabazuar në prova, ndërkohë që të dy ata u gjetën fajtorë për akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Mësohet se për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Faik Myrtaj, ish-komandanti Prendi u dënua me një vit heqje lirie. Ndërkohë që për vrasjen nga pakujdesia të demonstruesit Ziver Veizi, fajtor u konsiderua edhe ish-gardisti Llupo dhe për këtë u dënua me tre vjet burgim.
Dy vrasje, të pazbardhura
Vendimi i Gjykatës së Apelit ka sjellë një tjetër enigmë, pasi një tjetër vrasje del pa autor. Ekzekutimi i Hekuran Dedës, më 21 janar 2011, tashmë është zyrtarisht pa autor. Prokuroria akuzoi të pandehurin Agim Llupo, por Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli të pafajshëm me procedura, pa iu futur shqyrtimit të provave. Ndërkohë, Apeli ka shqyrtuar provat e gjendura në dosje dhe Llupon e ka shpallur të pafajshëm. Apeli thotë se nuk është gjetur predha që vrau Hekuran Dedën dhe që plagosi 7 shtetas të tjerë, çka do të përcaktonte se cila armë i qëlloi ata. Kjo, për rrjedhojë nuk mund të ngrihet akuzë ndaj të pandehurve, duke rikthyer sërish mortin në shtëpitë e familjarëve të Dedës, të cilët deri më tani kishin shpresuar se Llupo do të dënohej për krimin që kreu.
Tashmë dy vrasje gatë demonstratës së 21 janarit janë pa autor, pasi prokuroria nuk ka gjetur prova për Aleks Nikën. Edhe pse ishte në distancë të afërt me Faik Myrtajn, akuza tha se nuk ka asnjë provë, me gjithë premtimin e bërë nga kryeprokurori aktual, Adriatik Llalla, i cili pohoi sapo mori detyrën se do të zbardhte këtë ngjarje. Me ndryshimin e mazhorancave, gjyqësori është treguar “korrekt” edhe me ish-mazhorancën, tashmë e dalë në opozitë, e cila e kishte quajtur të drejtë pafajësinë e ish-gardistëve në Shkallën e Parë.
Rekursi në Gjykatën e Lartë
Prokuroria, por edhe avokatët mbrojtës të Prendit dhe Llupos, kanë premtuar se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë. “Sigurisht që ne do të ndjekim hapat e ankimit. Do të jetë Gjykata Supreme që do të thotë fjalën e fundit. Vendimi ka një dispozitiv të përcaktuar, por ky nuk është thelbi i problemit. Problemi është se vendimi është i pabazuar”, deklaroi avokati Genci Gjokutaj që mbron ish-gjeneralin. “Do të presim sa Gjykata e Apelit të zbardhë vendimin e saj dhe pastaj do të ndërmarrim hapat e duhur”, tha avokati tjetër Besnik Çerekja. Megjithatë, me zbardhjen e vendimit, sytë nga Gjykata e Lartë pritet t’i ketë edhe Prokuroria e Përgjithshme për kundërshtimin e këtij vendimi.
Reagimi
Të afërmit e katër të vrarëve shprehen skeptikë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit
Familjet e viktimave të 21 janarit: Presim që të hyjë në burg Berisha
Vendimi i Gjykatës së Apelit ka sjellë dje reagimin e ashpër të familjarëve të viktimave të 21 janarit, të cilët kanë mbetur të shokuar nga ajo çfarë kanë dëgjuar. E para që ka reaguar ka qenë motra e Ziver Veizit, e cila është shprehur se familja nuk e lë gjakun pa e marrë dhe se presin të burgoset Berisha. “Jemi të shokuar, nuk e prisnim këtë vendim. Nuk do ta lëmë gjakun e vëllait tonë pa marrë. Po na lëndojnë shumë. Po na i vrasin përsëri njerëzit tanë”, ka thënë Trëndafile Muhameti. Më tej, motra e Veizit është shprehur se mazhoranca e re u ka premtuar se e drejta do të shkojë në vend. “Unë prisja dhe pres në fakt burgosjen e Sali Berishës, sepse ai është urdhëruesi i vrasjes së tim vëllai dhe atyre të tjerëve që dergjen sot nën dhe. Kërkoj me ngulm nga qeveria e re shqiptare, tek e cila kemi besim, që të vendosë në vend nderin dhe gjakun e tim vëllai, i cili nuk ishte kokëpalarë, por i ndershëm dhe kundër korrupsionit. Doli në demonstratë, sepse ishte kundër bllokut të korrupsionit dhe krimit që kishte mbuluar qeverinë, e cila u shporr një herë e mirë nga ne të gjithë”, u shpreh ajo. E motra e Veizit shprehet skeptike rreth besueshmërisë së gjykatave shqiptare pasi, sipas saj, ato janë tërësisht të implikuara me qeverinë e Berishës në afera të ndryshme. I të njëjtës linjë ka qenë edhe vëllai i Veizit. Po ashtu, vendimin e Gjykatës së Apelit nuk e ka pranuar as vëllai i viktimës tjetër të 21 janarit, Hekuran Deda. Zabit Deda është shprehur se “nuk e pranojnë vendimin” dhe ka kërcënuar me “mos na detyrojnë të bëjmë gjëra të tjera”. “Derisa të jenë këto gjykata që i nxjerrin të pafajshëm, nuk kemi besim. Ne do ta rihapim çështjen. Nuk do ta lëmë me kaq. Mos na detyrojnë të bëjmë gjëra të tjera. Ne po na vrasin përditë”, tha Zabit Deda. Kurse xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, deklaroi se vendimi i djeshëm i Apelit duhet injoruar. “Kemi qenë skeptikë, për shkak të lidhjeve të trupit gjykues me Berishën. I bëjmë apel qeverisë Rama që ta çojë çështjen deri në fund”, tha avokati Nika. Gjithashtu, mbi këtë vendim ka komentuar edhe i biri i Faik Myrtajt. “S’më çudit vendimi. Është amanet i Berishës”, u shpreh Renato Myrtaj.
SHQIP
Add new comment