ÇOLLAKU: TAKIMI EVENTUAL PARA 15 PRILLIT

Qeveria e Kosovës nuk e ka ende të qartë se cfarë do të ndodhë me procesin e bisedimeve, pavarësisht deklarimeve se ky proces nuk ka marrë fund.
Bekim Çollaku, Këshilltar i Kryeministrit Thaçi ka deklaruar se ekziston mundësia për marrëveshje.
Nga ana jonë, ne kemi treguar vullnetin dhe gatishmërinë që të arrijmë marrëveshje dhe sa herë që kemi udhëtuar në Bruksel, kemi shkuar të gatshëm për të arritur marrëveshje. Tani mbetet të shihet se si do të ndodhë më tutje. Fjalën përfundimtare se a do të ketë apo nuk do të ketë një raund të fundit, një mundësi të fundit për arritje të marrëveshjes, do ta thotë ndërmjetësuesi, në këtë rast baronesha Ashton”, ka thënë Çollaku për ReL.
Ai ka thënë se koha për propozime të reja, ka përfunduar dhe se parimet bazë, të cilat janë negociuar, janë të njohura për të gjitha palët dhe në këtë drejtim nuk duhet humbur kohë. Çollaku thotë se nëse do të ketë takim të ri, ai do të mbahet para datës 15 prill.
Në kontakt me Baroneshën
Kosova do të angazhohet që procesi i bisedimeve të mbyllet sa më shpejtë, gjithmonë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi, të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.
Ai tha se shpresat i ka tek Baronesha Ashton dhe se janë në kontakt me të për gjithçka.
“Qeveria mbetet e përkushtuar në këtë proces, dhe beson se dialogu është zgjidhja e vetme. Beson plotësisht në përkushtimet e Baroneshës Ashton dhe adresa e vetme e informimit dhe prezantimit të opinioneve të veta Beogradi do ta ketë Brukselin dhe kabinetin e Baroneshës Ashton, aty ku janë zhvilluar takimet. Prishtina do të angazhohet maksimalisht që ta përmbyll këtë proces në bazë të përkushtimeve të saj duke respektuar gjithmonë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, për çka jemi në kontakt të vazhdueshëm me Baroneshën Ashton”, ka thënë ai.
Vucic: Duam zgjidhje të shpejtë dhe afatgjatë
Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë Aleksandar Vucic ka deklaruar se Beogradi duhet sa më shpejtë të gjejë një zgjidhje afatgjatë në marrëdhëniet me Kosovën.
Gjatë një takimi me parlamentarë gjermanë dhe francezë Vucic ka thënë se pret nga këto dy vende që ti ndihmojnë Serbisë në rrugën e saj drejt BE’së pavarësisht vërejtjeve që kanë për dialogun dhe që nuk kanë qenë të pakta.
“ Për vendin tonë është e rëndësishme që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje”
Ai ka thënë se nuk dëshiron të flasë me data.
“Nuk jam në gjendje të kufizohem me data dhe ditë, sepse ky lloj I konfliktit permanent ekziston tash e 100 vjet” ka thënë ai.
Për ne është e rëndësishme që zgjidhjet të gjenden sa më parë që të mos taktizojmë dhe që të mos krijojmë zvarritje dhe në të njëjtën kohë ta ruajmë interesin tonë nacional dhe që populli ynë në Kosovë dhe Metohi të ndihet I sigurt” ka thënë ai.
Ai ka thënë se Serbia nuk mund të nënshkruaj diçka që nuk mund të implementojë.
Medvedev: Serbia ta zgjidh vet problemin e Kosovës
Rusia mbështet qëndrimin e Serbisë rreth Kosovës, por konsideron se zgjidhja e kësaj çështjeje u takon serbëve.
Kështu ka deklaruar Kryeministri rus Dmitry Medvedev i cili ka thënë se nuk duhet që vendi i tij ti japë shtytje këtij procesi.
“Nuk duhet ne t’i japim shtytje këtij procesi, por Serbia. Ju duhet të jeni në masën më të madhe të mundshme të interesuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje” ka thënë Medvedev.
Medvedev ka thënë se kohëve të fundit, kur është në pyetje Kosova, më shumë pritet nga vet Rusia se sa Serbia.
“ Kjo nuk është e drejtë. Ju duhet të vendosni se cfarë qëndrimi duhet të mbani” ka thënë ai gjatë një konference për media me Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic.
Sipas Medvedev kjo temë duhet të shtrohet edhe në OKB dhe në bisedime me BE’në dhe se Serbia do ta ketë mbështetjen e Rusisë në këtë çështje.
Kryeministri i Serbisë ndërkaq ka thënë se Serbia e ka në plan t’i vazhdojë bisedimet për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
”Serbia nuk mund të pranojë parimet që ndodhë në variantin e atij dokumenti pasi ato nuk garantojnë sigurinë e serbëve në Kosovë” ka thënë ai.
Dacic ka thënë se bisedimet duhet të kthehen nën kuadrin e OKB’së derisa ka thënë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri serb ka takuar edhe Presidentin e Rusisë Vladimir Putin të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë Moska vendit të tij.
“Ju falënderojmë shumë për mbështetjen që ju po e jepni për politikën e Serbisë për Kosovën”, tha Dacic duke shtuar se “populli i Serbisë e dinë dhe e mbanë në mend se Rusia është miku më i madh”.
Kirby: Për epilog pozitiv të dyja palët të lëshojnë pe
(E plotësuar)Ambasadori amerikan në Beograd Michael Kirby është deklaruar optimist lidhur me vazhdimin e dialogut Beograd – Prishtinë.
Ai pret që të dy palët të lëshojnë nga pak pe për të gjetur zgjidhje të përhershme dhe thekson se SHBA fuqimisht e përkrahin dialogun me ndërmjetësim të BE.
"Jam optimist se marrëveshja do të arrihet, ka sinjale se bisedimet do të vazhdojnë” ka thënë Kirby.
Ambasadori ka thënë se mund të ketë epilog pozitiv të procesit.
"Po qe se s’ka takim në Bruksel ose në ndonjë vend tjetër, ju lutem mos nxirrni përfundime të gabueshme. Jemi optimist, por a është në pyetje e premtja, e shtuna, e diela...” ka thënë ai.
Sipas Kirby’t edhe gjeografia shkon në favor të takimit pasi që Nikolic është në New York e Dacic në Moskë.
Thaçi: Liderët serb të mirëpritur në kabinetin tim
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se marrëveshja për Veriun e Kosovës mund të arrihet.
Mediat serbe kanë transmetuar një intervistë të Thaçit për të përjavshmen serbe ”NIN”, ku ka thënë se liderët serb janë të mirëpritur në kabinetin e tij
“Nëse kemi marrëveshje, duhet të marrim përgjegjësi për implementimin e saj”, ka thënë Thaçi.
Ai ka pohuar se implementimi do të ndodhte, pas një plani operativ të dakorduar nga palët.
Kryeministri po ashtu ka theksuar se beson që marrëveshja mund të ndodhë derisa ka theksuar se udhëheqësit serb mund ta vizitojnë në Prishtinë.
“Liderët serb janë të mirëpritur në kabinetin tim kur duan ta vizitojnë Kosovën” ka thënë ai. Ndërsa në rast të dështimit të marrëveshjes Thaçi ka thënë se më së shumti do të pësonin serbët e Veriut.
Dacic huazon 500 milionë dollarë në Rusi
Pikërisht kur Bashkimi Europian është duke ndërmjetësuar bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic ka treguar se vendi i tij nuk e ka të vetmen alternativë Brukselin.
Serbia ka hedhur poshtë marrëveshjen të hënën.
E derisa është e paqartë nëse negociatat do të vazhdojnë, Dacic po viziton Rusinë ku është duke nënshkruar marrëveshje me palën ruse në shumë fusha.
Por, çështja më urgjente për Serbinë është kredia të cilën rusët ia kanë mundësuar asaj.
Kredia ruse kap shifrën prej 500 milionë dollarësh.
“Serbia mund ta marrë këstin e parë të kredisë ruse prej 300 milionë dollarësh si mbështetje për buxhetin, menjëherë pasi në Moskë sot të nënshkruhet marrëveshja për këtë” ka thënë Ministri rus i Financave Anton Siluanov.
Një ditë më herët, para nisjes në Rusi, Dacic kishte thënë se për bisedimet me Kosovën do të flasë pas kthimit nga kryeqyteti rus.
Gjatë ditës, Dacic ka takuar homologun e tij Dmitry Medvedev, me të cilin ka folur për raporte të privilegjuara partneriteti ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Lajcak: Ende ka kohë për bisedime
( E plotesuar)Shefi i diplomacisë sllovake, Miroslav Lajcak i cili është edhe këshilltar special i BE;së për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se duhet shfrytëzuar koha e mbetur deri më 16 prill për të vazhduar bisedimet Kosovë – Serbi.
“Ne duhet të gjejmë mënyrën që t’i vazhdojmë bisedimet. Kemi kohë deri më 16 prill” ka thënë Lajcak.
Diplomati sllovak ka cituar edhe deklaratën e Ashton, pas refuzimit të Serbisë, ku Përfaqësuesja e Lartë ka thënë se do të zhvillojë bisedime Brenda ditëve të ardhshme
Brenda BE’së për të mbështetur hapat e Serbisë dhe Kosovës drejt së ardhmes europiane.
Busek: Dialogu nuk ka dështuar, ndarja do të kryente punë
(E plotesuar) Ish - koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek ka deklaruar se ngecja në dialog ka ndodhur sepse të dyja palët duhet të përgatisin opinionin e tyre për marrëveshjet të cilat do të arrihen në Bruksel.
“Nuk mendoj se ky është dështim i dialogut. Ai duhet të vazhdojë, sepse nuk ekziston tjetër modus për zgjidhjen e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë politikani austriak Busek, për të përditshmen serbe "Novosti".
Busek konsideron se përfshirja e “lojtarëve” të rinj në dialog, si Gjermania, Rusia dhe SHBA, nuk do të ndryshonin asgjë, “sepse serbët dhe shqiptarët janë ata që duhet të gjejnë ‘modus vivendi’ , i cili do të afronte dallimet dhe do të funksiononte në terren, në veri të Kosovës”.
"Fatkeqësisht, është humbur shansi , që në tavolinë të gjendet ndarja e Kosovës, e cila sipas meje, është një nga zgjidhjet më të mira nga ky pat-pozicion”, ka shtuar Busek.
Ashton më 17 prill në Beograd?
Qeveria e Serbisë ende nuk ka marrë shenja se në cilën formë mund të vazhdojë dialogun me Kosovën pas refuzimit të marrëveshjes së ofruar për veriun dhe vendimit për vazhdimin urgjent të dialogut.
Gazeta ”Blic” e Beogradit shkruan sot se në qoftë se gjatë ditëve të ardhshme BE nuk u dërgon ftesa pjesëmarrësve në dialog, rrjedha e ngjarjeve mund të jetë më e qartë më 17 prill, për kur është paralajmëruar se përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme e siguri dhe ndërmjetëse në dialogun Serbi- Kosovë, Catherine Ashton mund të vijë për vizitë në Beograd.
Siç transmeton RTK, burimi diplomatik që nuk ka dashur të identifikohet i ka thënë gazetës në fjalë se të gjitha palët në dialog, edhe Brukseli dhe Prishtina janë të gatshme që qëndrimi i Beogradit për të mos nënshkruar marrëveshjen të mos jetë fundi i bisedimeve.
Megjithatë ende nuk ka shenja çka dhe si do të rrjedhin gjërat më tutje, ka thënë ky burim.
EXPRESS
Add new comment