Çefa: Të hapur për reforma, por pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit

Intervista
Flet kreu i KLD: Nuk do të tolerojmë cenim të institucionit
Herion Mesi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i hapur për çdo propozim të qeverisë për reforma cilësore në sistemin e drejtësisë, por ky Këshill sugjeron që këto reforma duhet të respektojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Në një intervistë dhënë dje për gazetën “Shqip”, nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, theksoi se mirëpret çdo reformë të shëndetshme, e cila do të ketë realisht qëllim shëndoshjen e gjyqësorit, ashtu sikundër, “nuk do të tolerojmë asnjë cenim të pavarësisë të sistemit gjyqësor apo të vetë KLD-së”, tha Çefa. Ndërsa lidhur me kritikat ndaj KLD-së për vonesat në vlerësimin e gjyqtarëve, numri 2 i këtij institucioni thekson se nuk ka vend për kritika, pasi ky proces ka një vit që ka nisur, “pasi KLD-ja e mëparshme nuk është marrë fare me vlerësimin e gjyqtarëve”, tha dje nënkryetari i KLD-së.
Zoti Çefa, keni pak më shumë se një vit si zëvendëskryetar i KLD-së cilat janë sipas jush arritjet dhe dështimet e institucionit që drejtoni?
Në momentin e zgjedhjes së kryetarit aktual të KLD-së, pra Presidentit të Republikës z. Nishani dhe më pas të zgjedhjes time në pozicionin e zëvendëskryetarit të Këshillit, imazhi dhe reputacioni i këtij institucioni ishte në nivelet më të ulëta të hasura ndonjëherë. Dhe këtu e kam fjalën për besimin që vetë gjyqtarët kishin tek institucioni qeverisës i tyre. Nuk dua të futem aspak në detaje, por në atë kohë qarkullonin mjaft legjenda urbane për mënyrën se si gjërat shkonin në lidershipin e Këshillit. Në këtë kontekst, për drejtuesit e rinj të KLD-së, prioriteti kryesor ishte krijimi i një klime besimi, në radhë të parë ndërmjet gjyqtarëve dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, më pas, ndërmjet publikut, i cili ka çdo ditë punë në dyert e gjykatës. Së shpejti, Këshilli do të ketë komisionet e përhershme të përbërë nga anëtarë të ndryshëm të tij, komisione që do të jenë kompetente për trajtimin paraprak të çështjeve të ndryshme, në funksion të rritjes së efektivitetit të punës. Është bërë padyshim shumë në këtë periudhë, por kjo nuk do të thotë se gjithçka u rregullua. Fatkeqësisht, besimi i publikut te drejtësia në përgjithësi, apo te gjykata në veçanti, është relativisht i ulët. Të ndërgjegjshëm për këtë, të ndërgjegjshëm se në sistem ka elementë që në fakt e njollosin figurën e gjyqtarit, të ndërgjegjshëm që pjesa më e madhe e trupës gjyqësore nuk i meriton në realitet epitetet që rëndom dëgjojmë në publik, ne do të vijojmë me këtë ritëm reformat, duke ruajtur transparencën në vendimmarrjen e Këshillit, duke rritur përgjegjshmërinë së pari të vetë KLD-së e më pas të trupës gjyqësore, por edhe duke forcuar sistemin e kontrollit mbi trupën gjyqësore.
Kohët e fundit përfaqësues të mazhorancës, por edhe anëtarë të qeverisë kanë kërkuar reformimin e institucionit tuaj. Si do jetë ky bashkëpunim mes KLD-së dhe qeverisë për të reformuar sistemin gjyqësor, duke pasur parasysh opinionet e shprehura publikisht për KLD-në nga mazhoranca aktuale?
Reforma është kryefjala e punës së KLD-së të paktën gjatë vitit të fundit. Këshilli ka reformuar dhe po reformon sistemin e transferimeve e promovimeve të gjyqtarëve, kontrollit apo inspektimit të tyre dhe, mbi të gjitha, mënyrën e funksionimit të vetë Këshillit. Në këto kushte, ne mirëpresim çdo reformë të shëndetshme, e cila do të ketë realisht qëllim shëndoshjen e gjyqësorit. Nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të ketë bashkëpunim me këdo institucion që ka synim rritjen e eficencës, përgjegjshmërisë dhe cilësisë së sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Ashtu sikundër nuk do të tolerojmë asnjë cenim të pavarësisë të sistemit gjyqësor apo të vetë KLD-së, pavarësi e cila garantohet nga Kushtetuta dhe nga standardet ndërkombëtare. Nëse ka paragjykime për KLD-në, ju siguroj se ato vijnë nga mosnjohja apo mospasja dijeni lidhur me punën dhe reformat kolosale që ky Këshill ka ndërmarrë sidomos gjatë vitit të fundit.
Ka pasur edhe kritika ndaj institucionit që ju drejtoni lidhur me vonesën e vlerësimit të gjyqtarëve nga ana e KLD-së. Pse vlerësimi i tyre po bëhet për vitet 2005-2006?
Për sa i përket sistemit të vlerësimit të karrierës së gjyqtarëve, në fakt konstatimet e bëra së fundmi për vjetërsinë e tij, dhe për këtë arsye, padobishmërinë e tij, nuk i konsideroj të bazuara. Ligji për KLD-në, si dhe ligji për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor detyrojnë Këshillin të vlerësojë periodikisht dhe jo më pak se një herë në 3 vjet punën për çdo gjyqtar të sistemit. Këshilli, pikërisht në zbatim të këtij detyrimi, me anë të një vendimi të tij, ka miratuar formulën e vlerësimit, e cila tani po zbatohet me shumë sukses. Ne aktualisht, nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po zbatojmë një detyrim tonin ligjor, i cili në mënyrë të pajustifikueshme nuk është bërë deri para një viti. Vlerësimi i të gjithë gjyqtarëve të sistemit natyrshëm përkon dhe duhet, të fillojë me periudhën 2005-2006. Vlerësimi i kësaj periudhe përfundon brenda vitit 2013 dhe në janarin e vitit të ardhshëm ne do të jemi gati të fillojmë vlerësimin për periudhën vazhduese dhe, konkretisht, për vitet 2007-2009 e kështu me radhë. Veprimtaria e KLD-së në këtë drejtim jo vetëm nuk ka vend për kritika, por është përshëndetur dhe inkurajuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është më se e qartë në progres-raportet e fundit për Shqipërinë, në të cilët puna e KLD-së në përgjithësi dhe veçanërisht në drejtim të përfundimit të këtij procesi është konsideruar një zhvillim shumë pozitiv dhe arritje për të gjithë sistemin e drejtësisë. Personalisht, nuk më shqetëson aspak fakti që ne sot vlerësojmë punën e gjyqtarëve për vitet 2005-2006, përkundrazi.
Si e komentoni idenë e hedhur së fundmi për shkrirjen e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë dhe mbajtjen e inspektoratit të KLD-së?
Në Opinionin dhe Raportin Analitik të vitit 2010 dhe progres-raportet e viteve 2011 dhe 2012 të Bashkimit Europian, është ngritur çështje shqetësuese mbivendosja e kompetencave ndërmjet Inspektoratit të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë me kërkesën dhe asistencën e misionit të asistencës ligjore të Bashkimit Europian EURALIUS III, kanë nënshkruar në shtator të 2012 një Memorandum Mirëkuptimi, për të qartësuar disa aspekte të mbivendosjes së sistemit të inspektimit. Dhe pas nënshkrimit të këtij memorandumi, mbivendosja e kompetencave midis dy inspektorateve është tashmë një problem i superuar. Ky memorandum në praktikë dhe në raportet ndërkombëtare është konsideruar i suksesshëm dhe një fazë tranzitore drejt ekzistencës së vetëm një inspektorati, i cili natyrshëm duhet të ishte nën KLD-në, me qëllim konsolidimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Ky është standardi i ndjekur në të gjitha vendet demokratike të Europës Perëndimore, por edhe të rajonit, ndërkohë që modeli shqiptar me dy inspektorate është unik. Duke pasur parasysh këto fakte, Presidenti deklaroi që ka ardhur koha që Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të shkrihet. Në këtë konkluzion është mbajtur në konsideratë nevoja për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit, duke bërë maksimumin për të shmangur ndikimin e cilitdo faktor të jashtëm në gjyqësor dhe fakti i pakundërshtueshëm që kapacitetet profesionale të Inspektoratit të KLD-së janë optimale, pasi inspektorët e KLD-së gëzojnë me ligj statusin e gjyqtarit të apelit.
Në publik ekziston perceptimi se sistemi i drejtësisë është tërësisht i korruptuar. Si e gjykoni këtë dhe çfarë duhet të bëhet për ta luftuar këtë fenomen, i cili duket se e ka minuar besimin e qytetarëve te drejtësia?
Çështja e korrupsionit në sistemin e drejtësisë (gjyqësor apo prokurori) është sigurisht një çështje e cila nuk mund kurrsesi të nënvlerësohet. Lufta ndaj këtij fenomeni në sistemin gjyqësor është një nga prioritetet e Këshillit. Por, më duhet të theksoj se në çdo rast ne flasim për “perceptim të qytetarëve për korrupsion” dhe jo për shifra apo statistika konkrete. Të mos harrojmë faktin që në çdo proces gjyqësor ka dy palë, njëra nga të cilat është humbëse, pra e pakënaqur me zgjidhjen e dhënë nga gjyqtari, e për rrjedhojë, e predispozuar për të menduar se gjyqtari është korruptuar nga pala tjetër. Kjo, në fakt, ka të bëjë edhe me nivelin kulturor në kuptimin e ligjit nga shoqëria. Gjithsesi, në opinionin tim personal, korrupsioni në sistemin e drejtësisë ekziston, por jo në ato shifra të cituara ditët e fundit. Nëse ato shifra do të ishin të vërteta, do të ishte një tragjedi. Në strategjinë që Këshilli ka, lufta ndaj korrupsionit në sistemin gjyqësor është një ndër prioritetet kryesore. Kjo jo me fjalë, por me vepra. Në të gjitha rastet kur, para dhe gjatë një kontrolli, vihemi në dijeni të një pretendimi të bazuar të një qytetari për korrupsion të një gjyqtari, kurdoherë aktet i përcillen prokurorisë për veprime të mëtejshme. Pra, korrupsioni në vetvete është një vepër penale dhe si e tillë është shumë vështirë që një rast korrupsioni të vërtetohet në një proces administrativ nga një inspektim i iniciuar nga KLD-ja. Vetëm organi i prokurorisë mundet teknikisht dhe ligjërisht të hetojë dhe vërtetojë një rast korrupsioni.
Add new comment