Arkitektura jugosllave

Postuar në 08 Mars, 2026 18:39

Jugosllavia- një epitaf në historinë e afërme të Ballkanit, që popullohet nga varre të shumta. Në dramën e madhe Jugosllavia përfaqëson epilogun tragjik. Por nuk mund të thuhet kjo për Jugosllavizmin që nga një projekt nacional erdhi e përftoi paradigma sociale dhe kulturore origjinale. Në këtë shënim të Aleksandar Ignjatoviç në gjejmë një parashtrim të ndikimit të Jugosllavizmit në Arkitekturë. Që si e tillë u konceptua si Shtetërore/shoqërore, por me funksione ideologjike strategjike në të dyja Jugosllavitë.

Evolucioni konceptual sipas autorit është me shumë interes: nga nevoja për ankorimin në Progres dhe Perëndim te konstrukti origjinal i demokracisë socialiste, iu dhe jetë një krijese unike: arkitekturës jugosllave. Që ishte afirmative në lirinë e individit dhe shoqërinë e çliruar, por duhet të mbetej transhendentale për shkak të përmbushjes së kërkesës marksiste të fundit të shtetit.

Nuk ka rëndësi shumë përfundimi, por synimet. Sepse megjithë atë që erdhi, është e vështirë që dikush të ëndërrojë kaq shumë për lirinë dhe demokracinë në Ballkan në të ardhmen. Ëndrra që për ironi u ushqyen nga Modernizmi. Do të mjaftonte edhe vetëm elaborimi ideologjik për ta parë me melankoli fundin e trishtë të vëllazërimit të popujve në një shtëpi, jo tashmë nga pozita e utopisë, por e realizmit të hidhur: Liria nuk funksionon. Ndaj le ta kundrojmë te vepra e atyre që e kërkuan megjithë keqkuptimin historik. 

***

Fakti që arkitektura e modernizmit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së Mbretërisë së Jugosllavisë dhe në veçanti, të Jugollsavisë socialiste, tingëllon si një truizëm i çuditshëm. Njihet po ashtu se shfaqja dhe zhvillimi i shpejtë i arkitekturës së modernizmit lidhet me dy vitet themelore të historisë së të dyja shteteve: 1929 kur Mbretëria e Serbëve, kroatëve dhe sllovenëve ndryshoi emrin e vet, strukturën dhe drejtimin ideologjik, pas imponimit të së ashtuquajturës Diktatura e 6 janarit dhe kolapsit të paralementarizmit dhe 1948, kur u adoptua Rezoluta e Kominformit dhe kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u shkëputën përkohësisht. Gjatë dekadës së katërt të shekullit të 20-të, njësoj si gjatë dekadës së gjashtë, shtatë dhe tetë, idioma dominuese arkitekturore në Jugosllavi u bë diçka që zakonisht konsiderohet si “modernizëm arkitekturor” apo “arkitekturë moderne”.

Në secilin kryqëzim sinkronik ai ishte sa pjesë e repertorit të përfaqësimit zyrtar shtetëror, aq edhe kredoja e pathyeshme poetike e brezave të arkitektëve jugosllavë. Megjithatë lidhja organike mes arkitekturës jugosllave të modernizmit dhe raison d’être e saj në kontekstin e vet historik, apo me fjalë të tjera, marrëdhënia mes poetikes dhe politikës mbeti nën hijen e narrativave të mëdha historiografike rreth varianteve lokale të modernizmit global dhe autonomisë së arkitekturës si pjesë e projektit modern.

Nëse ne e kuptojmë termin “modernizëm” si një zhvendosje emancipuese drejt shndërrimit të shoqërisë dhe lëvizjen progresive drejt kontureve të veta imagjinare të “horizontit të së pritshmes”, atëherë roli i arkitekturës së modernizmit në historinë e Jugosllavisë së parë dhe të dytë, duhet domosdoshmërisht të rishikohet. Arkitektura duhet të zhvendoset nga sfera e teorisë dhe praktikës autonome, që është ajo pjesë e kulturës që zakonisht kuptohet si sfera e kapsuluar nga specifikja dhe veçanësia dhe përkufizuar jo vetëm nga kufinjtë poetikë, por po ashtu nga ata idelogjikë dhe politikë. Në fakt, ne e kuptojmë arkitekturën jo si një realitet autonom dhe të vetëmjaftueshëm, por edhe si pjesë konstitutive të një bote imagjinare të ideologjisë brenda së cilës “dukuri arkitekturore” të ndryshme(që variojnë nga elementët individual, ndërtesat, përmes karakteristikave formale dhe stilistike, te koncepti më i gjerë i arkitekturës si një projekt dhe disiplinë epistemologjike) përfaqësojnë struktura semantike që janë kruciale për krijimin e një ideje të përkatësisë kolektive dhe identitetit.

Në të njëjtën kohë, duhet mbajtur parasysh se modernizmi është një konstrukt ideologjik specifik i historiografisë dhe kriticizmit, apo në fjalë të tjera, projektim i sistemit të vlerave që është në themel i ndryshëm, por që duket si universal, mbi artefaktet kulturore dhe proceset, dhe ku “kulturë” duhet kuptuar në sensin antropologjik të fjalës apo p.sh, nga perspektiva e zakonshme e teorive interpretative të kulturës si ato të përpunuara në punimet e Clifford Geertz. Kështu ne do ta shohim po ashtu arkitekturën e modernizmit si pjesë të një universi simbolik, në të cilin ajo ka objektivizuar dhe formalisht formësuar realitetin social, ndërkohë që në të njëjtën kohë formëson edhe veten ndaj tij dhe anasjelltas. Në këtë lidhje, duhet mbajtur përherë parasysh diferenca mes nocioneve të ndërlidhura të “kulturës” dhe “shoqërisë”, sias modeleve klasike të Talcott Parsons dhe Edëard Shil,  që e përkufizojnë kulturën(dhe arkitekturën si pjesë integrale të saj) si një sistem semantik apo botë simbolike, ndërkohë që shoqëria është e përcaktuar nga një rrjet marrëdhëniesh sociale kuptimi i të cilave jepet thjesht nga format kulturore. Kështu, arkitektura po ashtu nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit social prej nga ku origjinon si pjesë e projektit modern, por mënyrat sesi perceptohet dhe normalizohet marrëdhënia e saj, si pjesë integrale e kulturës dhe shoqërisëm është e ndryshme.

Nga njëra anë, sipas traditës më vitale interpretative të artit modern – nga Clement Greenberg, përmes Giulio Carlo Argan, te Filiberto Menna – arti i modernizmit kuptohet një pjesë themelore e paradigmës progresiviste të zhvillimit shoqëror, që është një instrument specifik pedagogjik dhe model metodologjik për shoqërinë; më tej akoma, ai formon pjesë të projektit modern si proces i ndërtimit të përgjigjeve kritike ndaj pyetjeve të shtruara nga realiteti social.

Nga ana tjetër, megjithatë, sipas intepretimeve shkencore bashkëkohore, që e shohin kulturën si një sistem ideologjik që formëson vlerat përkufizuese të shoqërisë dhe që ndërton identitetet kolektive – arkitektura e modernizmit shfaqet si një nga rendet ideologjike apo praktikat simbolike. Në çdo rast, lidhja mes arkitekturës moderniste dhe kontekstit social, është kruciale për kuptimin apo interpretimin e roleve sociale dhe specifikave të veta kulturore, detyrë kjo që imponohet përmbi çdo historian që merret me këtë dukuri historike.

Reflektimet e mësipërme formojnë një kuadër konceptual në suazën e të cilit do të bëhet përmbledhja e arkitekturës së modernizmit në Jugosllavinë e parë dhe të Dytë. Kjo përmbledhje nuk synon të jetë gjithëpërfshirëse dhe të prezantojë një panoramë tërësore, apo të kapë të gjitha manifestimet dhe arritjet e kësaj dukurie. Fokusi do të jetë mbi konsideratat e specifikave kulturore në kontekstin jugosllav dhe rolet ideologjike që asociohen…

Sikurse historia nuk është një fushë autonome e interpretimit të së shkuarës, por përfaqëson një përpjekje drejt konceptuaizimit të kujdesshëm të saj, edhe historia e modernizmit arkitekturor në Jugosllavi nuk mund të reduktohet në çështjet e aspekteve stilistike apo sociale të arkitekturës.

Në të vërtetë, ajo duhet të eksplorojë kuptimet e veta, nisur nga një perspektivë më e gjerë, që përfshin krijimin e sistemit të vlerave dhe modelit identitar. Ndaj, optika e zakonshme sipas të cilës arkitektura e modernizmit mbronte një sistem të dalluar vlerash, bazuar në progresivizmin, evolucionizmin dhe premisa të tjera universale dhe gjeneroi një numër strategjish poetike, strkuturash formale dhe karakterisitikash stilistike, duke e ngritur arkitekturën në një objekt autonom kulturor, duhet të vendoset në parantezë…Ne do ta shohim modernizmin arkitekturor si një kuadër simbolik, si diçka të cilën regjimet politike në Jugosllavinë e parë dhe të dytë, ia kundërvunë realitetit social, apo me fjalë të tjera, si modele ideologjike që e marrin pushtetin dhe efikasitetin e tyre nga jeta politike reale dhe jo nga fusha e mbyllur e teorisë dhe historisë së arkitekturës.

***

Nga fundi i dekadës së tretë të shekullit të 20-të, depërtimi moderist në kulturën arkitekturore jugosllave ishte i dhunshëm dhe i vrullshëm. Që nga fillimi i 1929-s, “arkitektura moderne” u bë e gjithëpranishme në hapësirën publike. Në të vërtetë, në thuajse çdo interpretim të dukurisë së modernizmit theksohej se shfaqja brutale e arkitekturës modern në një mjedis konservator, si ai i kryeqytetit jugosllav, u bë e mundur nga një seri rrethanash ku një rol përcaktues u luajt nga diktatura mbretërore e mbretit Aleksandër I Karagjorgjeviç. Theksohej se “regjimi i 6 janarit” kontribuoi në legalizimin e një ndarjeje me të shkuarën dhe se në fillim të viteve ’30, arkitektura e re, si e kundërt me “stilet e vjetra historike”, pranohej gjerësisht në mbarë vendin. Në të vërtetë, modernizmi mund t'u përgjigjej simbolikisht kërkesave politike për unifikim kombëtar dhe ta portretizonte kombin jugosllav, kulturën dhe shtetin pa “verbërinë tribale” apo “kaosin shpirtëror” – gjithçka që shkakonte ndryshimin e fortë të kursit politik në fillim të vitit 1929, që u shfaq pas ngjarjeve tragjike në parlamentin jugosllav në verën e një viti më parë, në intervalin mes imponimit të diktaturës mbretërore dhe shpalljes së të ashtuquajturës kushtetutë të diktuar të fillim shtatorit 1931.

Kuptohet se njëkohësia e ndryshimit brutal ideologjik dhe shfaqjes së modernizmit arkitekturor nuk ishteb frut i shansit. Karakteri i supozuar ahistorik dhe gjuha universale e “arkitekturës moderne” funksionuan si konfirmim kulturor i kursit të ri dhe patën një rol domethënës dhe fuqi të madhe, fillimisht sepse përfaqësonin një projeksion pozitiv të kërkesave për unifikim kombëtar, unitet etnik, ndarje me të shkuarën dhe fshirje të “tribales”, traditave politike dhe kulturore. Në dallim me konfigurimet e tjera stilistike dhe formale të skenës arkitekturore – në veçanti idiomave të ndryshme “kombëtare” dhe rajonale – modernizmi nuk kishte barrën e koncepteve ekzsituese kombëtare apo etnike, ndaj edhe u bë mënyra më konveniente për prezantimin e një mjedisi ideal për njeriun e ri jugosllav dhe imazh i idealizuar i kulturës së re Jugosllave.

Kur në mesin e viteve ‘1930, arkitekti nga Beogradi, Branko Maksimoviç vuri në dukje me qartësi se “arkitektura moderne refuzon tërësisht të gjithë ata kufinj të ngushtë nacionalë dhe kështu kontribuon në një farë mase në riafrimin mes popujve”, ai shprehu vetëm një nga vlerat kulturore të përcaktuara nga arkitektët beogradas dhe elitat politike si karakteristika bazë e arkitekturës moderne.  Idioma e re po luante një rol përherë e më të madh në retorikën e jugosllavizmit integral të riaktualizuar asokohe dhe po fitonte terren në hapësirën publike. E vërtetë, publiku beogradas e pranoi menjëherë gjuhën e modernizmit arkitekturor për një numër arsyesh të tjera. Në një kontekst më të gjerë, modernizmi arkitekturor përfaqësonte po ashtu një simulim të çuditshëm të progresit dhe njësoj si arkitektura e stilit historik, edhe një themel qytetërimor. Megjithatë, roli i saj kyç qëndronte në faktin se ndihmoi në kultivimin e autenticitetit kombëtar jugosllav përmes tezave të promovuara politikisht se arkitektura moderne do të fshinte kufinjtë kulturorë dhe etnikë dhe se ajo bazohej mbi arkitekturën “autentike” vrrnakulare. Në fakt, moernizmi “ndërkombëtar” përjetoi “nacionalizimin” e vet, ndërkohë që arkitektura moderne u bë pjesë e ndërtimit të identitetit primordial jugosllav që mund të interpretohet dhe përdoret në regjistra të ndryshëm politikë.  

Vetëm se duket paradoksale që modernizmi arkitekturor të mund të përdoret për ndërtimin e identiteteve të ndryshme kulturore dhe nacionale në kontekste të ndryshme. Në Jugosllavinë e viteve ‘1930, e njëjta idiomoë formësuese mund të intepretohej në identitetet kyçe nacionale jugosllave, serbe apo kroate. Në të njëjtën kohë, mundej gjithashtu të kishte konotacion me ideologjinë majtiste – si në rastin e Bashkimit Sovjetik, “Vjenës së Kuqe”, arkitekturës publike të bashkive socialiste në Gjermani gjatë viteve ‘1930, apo identitetit kulturor hebre – jo vetëm në traditën interpretuese të Nacional-Socializmit, por edhe në dritën e identifikimit të zakonshëm të asaj kohe të arkitekturës moderne dhe përkatësisë hebraike në veçanti.

Në kontesktin e këtij fluiditeti shenjues të modernizmit, është sidomos ironike që nacionalizmi kroat, një nga ideologjitë centrifugale ndaj Jugosllavizmit gjatë viteve ‘1930, e fiksoi arkitekturën e modernizmit para pasqyrës së koncepteve të protagonistëve të saj të grupuar kryesisht rreth qarkut të njohur si “Zemlja”(Toka). Praktika e nacionalistëve kroatë në interpretimin e modernizmit arkitekturor si formula e një identiteti të pacenuar demotik, nacional kroat, ishte në harmoni për veprimet ndaj jugosllavizimit të arkitekturës moderne, e cila përpunohej në Beograd.

Në të njëjtën kohë, modernizmi arkitekturor ishte formula instrumentale e regjimit të ri jugosllav, duke e vënë shtetin dhe kombin e tij nën patronazhimin e qytetërimit perëndimor, ankoruar në idenë e progresit. Në konceptin pozitivist-evolucionist të kulturës, modernizmi u identifikua si një formacion kulturor më i përkryer krahasuar me të shkuarën, që i korrespondonte kërkesave ideologjike të diktaturës së mbretit Aleksandar I Karagjorgjeviç. Në mënyrë të ngjashme i korrespondonte kërkesave të shekullarizimit dhe evidentimit kulturor të identitetit nacional turk në kohën e regjimit të Ataturkut, që ishte në zenitin e vet. Në përgjithësi, duhet mbajtur parasysh se gjatë fundit të viteve ‘1920-’30, lidhja e arkitekturës moderniste me ideologjitë e reja politike apo reformave sociale dhe politike ishte një dukuri universale – që niste nga Bashkimi Sovjetik dhe regjimi fashist në Itali, te regjimet totalitare dhe revolucionare në Europën Qendrore(Hungari, Çekosllovaki, Rumani dhe Poloni” e deri te Qemalizmi në Turqi, apo Sionizmi në kohën kur u ndërtua TelAvivi.

Në të gjitha rastet e sipërpërmendura, diskursi i modernizmit arkitekturor i legalizoi këto regjime të reja si “progresive” dhe “të prirur nga reformimi”. Pikërisht nga ajo perspektivë është e domosdoshme të perceptohet roli i modernizmit arkitekturor në Mbretërinë e Jugosllavisë, që evidentohet nga fakti se përfaqësimet kyçe arkitekturore të mbështetura nga regjimi, bazoheshin në fjalorin e dallueshëm modernist – që varionte nga pavijonet zyrtare në ekspozitat botërore(Barcelona 1929, Milano 1931, Paris 1937) te p.sh gara arkitekturore për ndërtimin e Taracës Terazije në Beograd në të cilën fitoi çmin e parë projekti në dukje qartazi “modernist” i Nikola Dobroviç(1929).

Në kontekstin specifik politik të Jugosllavisë në fund të dekadës së tretë dhe fillim të dekadës së katërt të shekullit të 20-të, arkitektura moderniste mbrojti një spektër të gjerë vlerash kulturore me një dimension të dallueshëm politik. Vetëm falë këtij spektri të gjerë, arkitektura u bë forma më e rëndësishme e përfaqësimit të Jugosllavizmit. Rreziku shoqërues i dizintegrimit nacional, social apo politik të përgjithshëm të shoqërisë jugosllave, jehonë e intensifikimit të krizës ekonomike globale dhe radhës së faktorëve të huaj politikë, kontribuoi që modernizmi të bëhej një thesar i pashtershëm për prezantimin e atributeve të dëshirueshme të kombit jugosllav dhe sistemit të vlerave të tij kulturore dhe politikës kulturore, ndaj edhe fitoi thuajse të gjithë hapësirën publike të kryeqytetit jugosllav në një kohë të shkurtër. Është e rëndësishme të vihet në dukje se qysh në fillim të ‘1930-s, falë modernizmit arkitekturor, diçka që shihej përherë e më shumë si “modernizmi ndërkombëtar” u adoptua si i përputhshëm dhe koherent me idenë me idenë e kulturës nacionale jugosllave, që po formonte identitetin origjinal nacional, i cili transhendonte kufinjtë etnikë të serbizmit, kroacizmit dhe sllovenizmit – për dy arsye kyçe.

E para, dhe më pak e rëndësishmja, ishte karakteri ndërkombëtar i arkitekturës moderne dhe mohimit të vetëdijshëm prej saj të gjithçkaje lokale apo ahistorike.

E dyta, me gjasë e deformoi dimensionin ahistorik të modernizmit duke u drejtuar ndaj marrëdhënieve më të thella, strukturore mes “metodës moderne të ndërtimit” dhe në mënyrë të kuptueshme dhe ideologjiksht të pranueshme, me trashëgiminë arkitekturore vernakulare. Që do të thotë se në diskursin e jugosllavizmit integral, arkitektura vendase ishte përcaktuar tashmë si përfaqësuese e traditës origjinale primordial, që supozohej se reflektonte me besnikëri idenë e shpirtit të pandotur jugosllav. Gjatë dekadës së katërt, arkitektët pro-jugosllavë, intelektualët dhe elitat politike avancuan tezat rreth korrespondencës konceptuale, strukturore dhe etike mes arkitekturës vernakulare dhe bashkëkohore, duke interpretuar në këtë mënyrë mondernizmin arkitekturor si rimishërim bashkëkohor të traditës kombëtare “Jugosllave”. Në një kohë kur shkëputja nga partikularizmat etnikë përfaqësonte një tour de force të të gjithë politikës kulturore, ndërtimi i identitetit “autentik” ishte një sipërmarrje shumë më komplekse sesa interpretimi i modernizmit si ndërtim i thjesht një “rruge bashkëkohore”.

Një nga rolet kruciale në këtë sipërmarrje ambicioze iu caktua diskurseve të arkitekturës moderniste. E supozuara arkitekturë origjinale, nacionale dhe – sipas analogjisë së miratuar ideologjike – gjenuine jugosllave, u shfaq siç thuhej, në “shpirtin e gjenisë kombëtare” shumë më para fillimit të historisë së ndarjeve tribale të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Megjithatë arkitektura e re e modernizmit nuk ishte gjë tjetër veçse rishpikja e traditave nacionale ekzistuese. Përdorte materiale dhe forma të reja, por esenca e saj e brendshme mbetej e njëjta. E përbashkëta mes arkitekturës moderne dhe asaj nacionale nga perspektiva e kulturës së nacionalizmit jugosllav, përfshinte idealet e njëjta, fillimisht një marrëdhënie të drejtpërdrejtë mes njeriut, natyrës dhe kulturës materiale.

Kështu, arkitektura e modernizmit u shndërrua në një lidhje të drejtpërdrejtë dhe autentike me të shkuarën primordiale jugosllave. U vendos pra një lidhje direkte mes kombit autentik jugosllav – që besohej se kishte ekzistuar nga kohë që nuk mbaheshin mend, por për shkak të rrethanave historike, ishte ndarë në tre fise – dhe komunitetit kombëtar bashkëkohor jugosllav. Në të njëjtën kohë, duke lidhur parimet dhe elementët e arkitekturës moderne me lokalen, profane, mori hov ideja se falë shpirtit të vet autentik, kultura kombëtare jugosllave, tashmë i takonte qytetërimit bashkëkohor perëndimor.

***

Pikërisht kjo zhvendosje drejt Perëndimit ishte një ndër aspektet e rëndësishme në ndërtimin politik dhe politik të “rrugës specifike” të Jugosllavisë në komunizëm, kur pas shpikjes së “demokracisë socialiste” jugosllave dhe sistemit të vetëadministrimit në fillim të viteve ’60, arkitektura e modernizmit rifitoi një rol kyç në legjitimimin e “situatës së re”. Njësoj si në periudhën e pas ‘1929-s, kur jugosllavizmi integral kishte nevojë për një formë materiale, të prekshme, natyra specifike e socializmit jugosllav u legjitimua nga një arkitekturë moderniste e re. Në të dyja rastet, me shmangien e vendosur nga historicizmi dhe stilet e imituara historike dhe “kombëtare”, kuptohej një distancim simbolik nga një drejtim ideologjik, një sistem vlerash dhe një koncept ideologjik dhe tranzicion të qetë në domeinin e një identiteti të ndryshëm ideologjik.

Siç është shumë mirë e njohur, specifikat e Jugosllavisë së dytë, u reflektuan në pozicionin e saj në raport me ndarjen e botës në Luftën e Ftohtë, autenticiteti dhe origjinaliteti i socializmit jugosllav dhe politika e shpallur e rrugës speicifike autonome drejt një shoqërie komuniste pa klasa. Në të kundërt nga sa zakonisht kuptohej si etatizmi intolerant dhe centralizmi burokratik i Bashkimit Sovjetik në vendet e Bllokut Lindor nga njëra anë, dhe liberalizmi politik perëndimor nga ana tjetër, elitat jugosllave u përpoqën të gjenin, krijonin dhe ruanin konstruktin e ndërlikuar ideologjik të “Jugosllavisë në Kryqëzim”. Shtrimi i rrugës specifike jugosllave drejt komunizmit u shenjua nga roli i saj në raport me rendin global politik, ekonomik dhe social, rol që u instrumentalizua përmes politikës së mos-angazhimit dhe bashkë-ekzistencës aktive paqësore në planin ndërkombëtar, dhe parimet e decentralizimit të përgjithshëm, vetë-administrimit të punëtorëve dhe pronësisë sociale si concept në planin e brendshëm.

Karakterisitikat e specifikave të Jugosllavisë çonin te roli ndërmjetësues i saj dhe diçka që prezantohej nga elitat e saj intelektuale si avant-gardë në zhvillimin e ndërgjegjes së njerëzimit në rrugën e tij drejt njeriut të ri, të çliruar dhe një shoqërie humane. Duke mbushur hendekun mes sistemit socialist dhe demokracisë, demokracia socialiste e Jugosllavisë duhej po ashtu të mbushte edhe një hendek të trefishtë mes realitetit përherë në ndryshim të përditmërisë, imazhit të fiksuar të shkuarës së tejkaluar dhe vizionit të shpallur të së ardhmes. Një situatë e tillë tranzicioni, si tipar kyç i ideologjisë që legjitimonte sistemin politik dhe procesin e shndërrimit të saj të vazhdueshëm, asociohej me besimin në venitjen e shtetit – parimi themelor i rrjedhur nga interpretimi origjinal i marksizmit – që sugjeron transformimin e shtetit në një post-shtet. Gjatë periudhës mes 1952, kur u prezantua parimi i vetë-administrimit dhe vdekjes së Josip Broz Titos, që shenjonte simbolikisht një fazë të re në historinë e Jugosllavisë Socialiste, transformimi, reformat dhe instabiliteti e normuan veten si struktura afatgjatë, që karakterizonin të gjithë elementët konstituivë të shtetit federal.

Në këtë konteskt, arkitektura luajti një rol themelor. Vendi i saj në ndërtimin e ideologjisë së demokracisë socialiste jugosllave ngrihej mbi të gjitha mbi projektimin e lirisë personale të secilit individ, si baza për emancipimin e të gjithë shoqërisë dhe segmenteve të saj, si dhe mbi idenë rreth autonomisë së arkitekturës. Në kontekstin jugosllav, arkitektura e modernizmit përftoi një pozicion të pazakontë teleologjik, e tillë që paraqiste thuajse tërësisht dhe literalisht pamjen e të ardhmes së premtuar drejt së cilës shkonte e gjithë shoqëria. Në të dyja përmasat, si konstrukt aktual dhe simbolik i sistemit ideologjik, arkitektura mbrojti idenë e progresit, lirisë, tranzicionit dhe evolucionit të vazhdueshëm, duke legjitimuar kështu një proces më të gjerë modernizimi. Kjo implikonte interpretimin e sistemit të ri të administrimit dhe “de-etatizmit”si tranzicion të funksioneve shtetërore drejt qytetarëve të lirë dhe sipas Aleksandar Rankoviç, fuqizimit të besimit të tyre në “vlerën e lirisë së tyre personale, të drejtave të njeriut dhe rolin e individit qytetar në administrimin e jetës sociale”. Në nivelin pragmatic, të kulturës arkitekturore, kjo politikë merrte lirisht nga modeli perëndimor për të identifikuar modernizmin në arte dhe arkitekturë dhe u shkëput nga komunizmi(si dallim ndaj asocimeve të zakonshme të modernizmit dhe majtizmit para LIIB), që u zhvillua gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë

Pozicioni teleologjik i arkitekturës moderniste në Jugosllavinë socialiste mund të ilustrohet mirë nga një numër konkursesh arkitekturore dhe të planifikimit urban si dhe planeve të përgjithshme urbane, që jo vetëm nënvizonin “situatën e dëshiruar të së ardhmes”, por gjithashtu luanin një rol të fuqishëm edukativ në kulturën politike dhe arkitekturore të Jugosllavisë. Ndonëse shumica e këtyre planeve nuk u realizuan kurrë, vendi i tyre në hapësirën publike përcaktoi në mënyrë domethënëse  dhe konfirmoi përmbajtjet mbi të cilat ideologjia e fazës kalimtare ishte bazuar.

Megjithatë, projekti ndoshta më domethënës i këtij regimi kalimtar dhe teleologjik ishte planifikimi dhe ndërtimi i Beogradit të Ri – simbol i Jugosllavisë së re dhe model i ndëtimit të saj. Si një Qendër Ideologjike e Vëllazërisë dhe Unitetit – siç u quajt fillimisht ky projekt i madh nga elitat politike jugosllave- Beogradi i Ri u përfshi në mënyrë sistematike në diskursin e tranzicionit, si pjesë një narrative komplekse ideologjike, duke implikuar një numër dallimesh – dallime në raport me të shkuarën e afërt që krijuan një një kuadër normativ vlerash për realizimin e të ardhmes së projektuar. Që nga planet e para për ndëritmin e qytetit të ri dhe rregullimit urban, Beogradi i Ri u konsiderua instrumental në procesin e ndërtimit të identitetit të imagjinuar, pavarësisht nëse synonte në krijimin e imazhit të kryeqytetit të Jugosllavisë së re, apo kuadrit për funksionimin e një shoqërie demokratike bashkëkohore.

Identiteti i ri bazohej mbi postulatet e njohura të arkitekturës moderniste dhe planifikimit urban. Adoptimi, riinterpretimi dhe jugosllavizimi i këtyre modeleve zuri vend në kontekstin e legjitimimit të një situate kalimtare dhe gjeneroi shumë forma manifestive, shumica e të cilave ishin të lidhura formalisht me paradigmën arkitektutore të Modernizmit të Lartë(1940-1960). Shkëmbimi i vazhdueshëm i ideve dhe planeve për Beogradin e Ri, në analogi me adoptimin e kushtuetave përherë e më të reja jugosllave, synonte të prezantonte vlerat e shpallura dhe të kërkonte shtigje të reja për “arkitekturën e popujve jugosllavë”. Fakti se konceptet ideologjike të shoqërisë jugosllave ripërkufizoheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe bëheshin përherë e më të ndërlikuara, mund të shpjegojë deri diku dukurinë e inkosistencës konceptuale dhe paplotmërinë e Beogradit të Ri. Nga ana tjetër, strukturat e tij arkitekturore dhe urbane shërbyen si një shembull përfaqësues i mjedisit të transformuar dhe konfirmim i korrektesës së lëvizjes dhe progresit së mbarë shoqërisë.

Megjithatë, jo vetëm konkurset e planifikimit urban dhe ato arkitekturore të viteve 1960-1970 – është e këshillueshme të shihen ato nga perspektiva e modelit të “realizmit utopik” siç përkufizohen nga Anthony Giddens – por edhe një pjesë e madhe e prodhimit përfaqësues arkitekturor të kohës po ashtu, funksiononte duke përdorur të njëjtin regjistër ideologjik. Idealet njerëzore të njeriut të çliruar dhe shoqërisë së lirë, si vlerat më të rëndësishme të trupëzuara në sistemin ideologjik të Jugosllavisë së pasluftës, u konfirmuan në diskursin e arkitekturës, kryesisht brenda synimit të tezës rreth anti-dogamtizmit, jo vetëm si burimi më i vlefshëm i krijimit arkitekturor, por edhe si vlera themelore sociale që tejkalon kufizimet e praktikës kulturore. Apo më saktë, me interpretimin dhe instrumentalizimin ideologjik të arkitekturës së modernizmit në Jugosllavi, pas vitit 1948 nisi një proces i gjatë dhe tërësor i ndërtimit dhe kultivimit të antidogmatizmit që u reflektua me largimin nga funksionalizmi i ngurtë nga njëra anë dhe formalizmi nga ana tjetër.

Me kalimin e kohës, kriteri i dallueshëm që lidhte në mënyrë sistematike arkitekturën me një kuadër më të gjerë ideologjik u ngulit në diskursin arkitekturor. Kriteri më i rëndësishëm ishte krijimi i një lidhjeje kazuale mes vlerave etike dhe estetike në njërën anë dhe lirisë së njeriut nga ana tjetër, si kontrast me diçka që u quajt “inercia e mentalitetit klerikal” nga Mihajlo Mitroviç, një ndër protagonistët e arkitekturës serbe dhe jugosllave.

Duke kultivuar një diskurs specifik të ndërmjetësimit mes estetikës dhe politikës, që në themel përsëritej si modeli mbi të cilin funksiononte e gjithë politika dhe kultura jugosllave në atë kohë, ky arkitekt shumë pjellor ishte një ndër luftëtarët e shumtë për lirinë e krijimit dhe arkitekturën moderniste jo-ortodokse, me një rezonim ideologjik të veçantë në kontestin e tyre historik. Kështu në hapësirën publike jugosllave arkitektura moderniste u caktua të materializonte synimin e vështirë për t’u përmbushur, të lirisë, autonomisë dhe largimit nga të menduarit dhe vepruarit kanonik, synim i cili qëndronte në zemër të idesë së “demokracisë socialiste” Jugosllave. Me kalimin e kohës, megjithë dallimet stilistike, morfologjike dhe strukturore, që ushqeheshin në prirjen globale të ripërkufizimit të “gjuhës ndërkombëtare” të arkitekturës moderne, arkitektura jugosllave e të ashtuquajturit Modernizëm i Lartë në vitet ‘1960-‘1970 u bë domethënia e vlerave të dëshirueshme shoqërore dhe pjesë konstituive e diskursit politik. Ajo mori pjesë në një revoltë të përgjithshme kundër depersonalizimit, panjerëzores dhe standardizimit – në të njëjtën kohë kur lidershipi i Jugosllavisë, “një ndër vendet më të hapura” – sic theksoi dikur historian Branko Petranoviç – promovonte të njëjtat mesazhe në diskursin publik, duke riafirmuar vlerat më të larta të vetëadministrimit të shoqërisë socialiste.

Në atë kuptim, antidogmatizmi u bë si cilësia poetike e arkitekturës, edhe përmbajtje e ideologjisë politike. Nga ana tjetër, subjektivizmi në arkitekturë ishte krucial për legjitimimin e kursit politik të Jugosllavisë socialiste dhe faktor i rëndësishëm në kultivimin e diversitetit(kombëtar, etnik, kulturor, rajonal) si vlera e shenjtë e socializmit jugosllav. Në Jugosllavinë socialiste, siç vinte në dukje arkitekti Iva Shtraus në vitin 1991, në një kohë kur rigor mortis i shtetit, “njerëzve dhe kombësive jugosllave” kishte ndodhur tashmë, arkitektura nisi të shihej në mënyra të reja, në përputhje me liritë demokratike në rritje, ndërkohë që evidentonte dhe ngrinte qartazi shikimet individuale

Kjo dëshmon se thjesht shfrytëzimi në poetikën arkitekturore ishte transhenduar nga ndërtimi i një bote të estetizuar si projektim i origjinës së lëvizjes së të gjithë shoqërisë. Me një zhvendosje të lehtë ideologjike nga funksionalizmi te joutilitarja, arkitektura ishte një shembull goditës i kalimtares, të ndryshueshmes dhe lëvizjes, si vlera qendrore sociale. Pavarësisht kërkesave funksionale mbi të cilat ajo bazohej, shfaqja e saj si një dukuri estetike, kuptueshëm që kishte si dimensione politike, ashtu edhe etike. Nga kjo perspektivë, arkitektura e modernizmit përfaqësonte thuajse një sistem autonom vlerash në përputhje me idetë bazike të artit modern, por marrëdhënia e saj me kontekstin social nuk përjashtohej në asnjë mënyrë. Përkundrazi, ideja e arkitekturës autonome me individualizmin në rënjë të sajat si karakteristika më e rëndësishme e diçkaje të quajtur “estetizmi socialist”, së pari në kriticizmin e kulturës jugosllave dhe më pas në historiografi, ishte pjesë e procesit të zgjerimit hapësinor të premisave ideologjike të vetë-administrimit socialist: shoqëri e lirë, pluralizëm mendimi dhe veprim, dhe këmbëngulje në diversitetin kulturor.

***

Nëse përvoja historike e modernizmit jugosllav do të shihet në kontesktin e vet historic, jashtë traditës së narrativave të mëdha arkitekturore, dhe nëse ajo vlerësohet në mënyrë kritike në raport me idenë e autonomisë së artit modern, na dëshmon jo vetëm se arkitektura nuk mund të konsiderohet si neutrale në vlera, por se ne duhet po ashtu ta kuptojmë atë në themel si një praktikë ideologjike. Pra që historicizimi i arkitekturës së modernizmit në Jugosllavinë e parë dhe të dytë mund të konfirmojë jo vetëm premisat e përgjithshme teorike të kulturës si një sistem ideologjik në të cilin format kulturore dhe proceset fitojnë kuptime instrumentale politike, por edhe më shumë se aq. Duket se një lexim i ri i gjithë sa është shkruar dhe menduar rreth arkitekturës së modernizmit nga bashkëkohësit e saj, përfshirë prirjet e veta në horizontin ideologjik, si dhe një interpretim I kujdesshëm I formës së saj në praninë  e saj në hapësirën publike, mund të na ndihmojë të hapim shikime të reja mbi të gjithë të shkuarën jugosllave.

Në atë peizazh, konturet e arkitekturës së modernizmit në Jugsollavi do të jetë po ashtu më e qartë dhe më pak e errët për shkak të një rezistence të dyfsihtë, që ende e pengojnë konsiderimin e saj – rezistencë nga disiplina e historisë arkitekturore, përfshirë obsesionin e saj me gjenealogjitë dhe tipologjitë stilistike, formale dhe teorike dhe dëhsirën e saj për të ofruar një interpretim racional të përvojës jugosllave. Një imazh i ri mund të ndihmojë që arkitektura jugosllave të kuptohet jo si një dukuri e ndarë nga konteksti i saj historik, apo si një formë e legjitimimit të ideve dhe regjimeve politike, por si pjesë përbërëse e botës së ideve në të cilat mbështeteshin themelet e ndryshme ideologjike të Mbretësirë së Jugosllavisë dhe pasueses së saj socialiste. 

Përkthimi dhe hyrja: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.