Poshtërimi nuk është Strategji
Deklaratat e fundit të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për Europën, reflektojnë një ndarje të thellë tashmë mes dy anëve të kontinentit të vjetër. Një ndarje e cila priret të diktojë orientime të reja gjeopolitike. Cilësimi si “derrkucë” i liderëve europianë nga Putin, është një konsideratë pezhorative jo për llojin e personave, por për llojin e politikave të ndjekura. Presidenti rus ka shprehur në një farë mënyre brutale mllefin dhe brengën zhgënjyese të rusëve për mënyrën sesi Perëndii dhe kryesisht Europa administroi kolapsin e Bashkimit Sovjetik.
Një arsye për këtë është surpriza e hidhur e revizionimit të historisë së afërt, në kuptimin që politika e ditës, interesi gjeopolitik doli përmbi konsensusin human dhe etik se Lufta e Dytë Botërore kishte në frontin e vet global vetëm një të Keqe: Gjermaninë Naziste dhe Japoninë Militariste. Aksioni politik për ta pajtuar Bashkimin Sovjektik me Nazizmin, i pari për politikat e brendshme kurse i dyti për subversionin shkatërrues të rendit ndërkombëtar, është tendencioz dhe në kundërvajtje me arsyetimin e shteteve.
Zhgënjimi rus vjen e përforcohet edhe nga aktualiteti i luftës në Ukrainë, ku duket se Rusia po fiton. Informacionet e tanishme flasin për një krizë financiare të Kievit që duhet të gjejë burime të reja përtë financuar luftën deri në muajin prill. Mobilizimi i aseteve të ngrira ruse është shumë i vështirë dhe nëse ndodh do të përfaqësonte një akt që do të regjistrohej përgjithnjë në psikologjinë ruse. Nga ana tjetër, ndryshimet e mëdha në SHBA, i kanë dhënë Kremlinit opsione shtesë në planin e ditës, duke imponuar rishikimin e analizave të deritanishme që kanë qenë kryesisht propaganduese.
Në një intervistë të fundit, politilogu i njohur amerikan, John Mearshimer ka vënë në dukje se sjellja e Europës ka një defiçit të madh moral në raport me paqen dhe pretendimin për të. Sipas tij, ukrainasit janë ende në luftë për shkak të presionit amerikan dhe britanik, si dhe parave të BE-së, pasi u detyruan që në mars 2022 të hiqnin dorë nga negociatat e Stambollit. Më keq akoma, sipas tij, në nëntor të atij viti, ukrainasit që kishin 8 vjet që stërviteshin nga SHBA për luftë, arritën dy sukseset më të mëdha në luftë: në Harkov dhe në Kherson. Në atë kohë, ish-shefi I ushtrisë amerikane, Mark Miley bëri thirrje për negociim dhe rusët ishin gati, pasi kërkesa e tyre është në thelb strategjike, jo territoriale: jo zgjerim të NATO-s në Lindje. Por Mearsheimer shton se Milleyt iu tërhoq vëmendja të mos fliste më dhe administrate Biden shtyu më tej luftën.
Sot që flasim, kemi një situatë startegjikisht dramatike: një luftë të stabilizuar fronti, një ushtri ruse të përmirësuar ndjeshëm me taktika luftimi dhe të përgatitur për luftë rraskapitëse territoriale, një ekonomi lufte dhe më keq, një Europë që ka sipas tij ushtri të nivelit të dytë dhe të tretë.
Në katër vjet konflikt, ukrainasit kanë bërë mjaftueshëm për të justifikuar çdo çmim, por sot raportet nuk janë në favor të tyre. As ato politike, as financiare dhe as ushtarake. Përdorimi i Ukrainës si instrument për të shpërbërë Rusinë dhe për ta nxjerrë atë nga kuadri i fuqive të mëdha është i dështuar dhe me një problem moral shumë të madh. Ai do të regjistrohet si një ndër ngjarjet më të hidhura në relacionet ruso-europiane dhe do ta bëjë të vështirë, në mos të pamundur rivendosjen e besimit.
Me sytë e Kremlinit, agresioni në këtë formë nuk ka të bëjë strikt me Ukrainën, por me rishikimin e narrativës së Luftës së Dytë, që i dha BS-së një end kryesor, duke kërkuar në një formë apo në një tjetër një riekuilibrim fuqish në Europën Qendrore dhe me shpresë një margjinalizim të tillë të Rusisë që ta shohë atë përtej Uraleve. Është një aventurë e imagjinatës që buron vetëm nga arroganca e mirëqenies ekonomike dhe ngasjes që solli pushteti i ri i pas Luftës së Ftohtë.
Shkurt: Perëndimi dëshmoi edhe njëherë se në raport me Lindjen, i mungon mendimi strategjik për kooptim të botës sllave, të cilën e sheh përherë si të huaj.
s.zaimi

Add new comment