Humanizim i tekstit

Postuar në 08 Nëntor, 2025 15:53
Skerdilajd Zaimi

 

Një i njohur më tha se në Europë ka nisur përkthimi me Inteligjencë Artificiale i librave të ndryshëm. Është një zhvillim për të cilin mungon ende emërtesa e duhur emocionale apo edhe profesionale: çfarë quhet kjo? Zhvillim, prakticitet, apo fund i një rruge të gjatë të njeriut në një lëmë të caktuar?

Problemi është diçka më shumë se kaq. Në botën që po krijohet përditë ne nuk do mund të shquajmë më se çfarë është njerëzore dhe çfarë jo. P.sh një shkrim me autore Romina Kuko për ligjin “Për barazinë gjinore”. Duke qenë se ka një praktikë të shkrimeve që porositen për çështje të caktuara, dhe nisur nga fakti se ka të dhëna se në administratën publike IA përdoret masivisht, e kaluam shkrimin në një detektor online të gjurmëve të IA-së. Pra nëse teksti është gjeneruar nga një makinë.

Nga dy testime rezultoi se teksti ishte gjeneruar në masën 74% nga Inteligjenca Artificiale. Duke qenë se përmbajtja e tij ishte e thjeshtë dhe pa ndonjë ndërlikim gramatikor, një përqindje e tillë duket shumë e pabesueshme.

Për ta ballafaquar këtë, morëm një shkrim të publikuar në ResPublica disa ditë më parë dhe e kaluam në të njëjtin filtër. Rezultati: 94% gjeneruar me IA.

E pabesueshme!

Më tej akoma: këto faqe ofrojnë edhe shërbimin e ri të “Humanizimit të tekstit”. Pra në mënyrë automatike, Inteligjenca Artificiale pastron një tekst nga përmbajtja të cilën e cilëson si jo njerëzore, për ta paraqitur atë si njerëzore. Sërish në mënyrë automatike, pra jo nga njeriu. Dhe kjo mandej quhet njerëzore.

Një faqe tjetër, humanizeai.pro nuk gjeti gjurmë të IA në tekste, duke vënë notën: teksti duket se është bërë nga njeriu. Më në fund, dikush që njohim...

Implikimet e kësaj loje sapo kanë nisur dhe ato prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë një veprimtari kritike për identitetin njerëzor, krijues të tij: Shkrimin! Nëse ti shkruan, prrallis me vete lloj e soj gjërash, dhe mandej një makinë shpall se nuk e ke bërë ti, është pak por e sigurtë se autori i asaj që është shkruar bëhet një entitet efemer. Se siç tha edhe ai te filmi: Po a do na besojë bota?! Nëse ta përsërisin e ta tundin me lloj lloj të dhënash, mundet edhe të besosh se ka gjasa që nuk e ke bërë ti. Njeriu vjen një pikë dhe heq dorë nga çdo bindje që nuk lidhet me nevojat e tij fizike. Pa harruar këtu debatin e vjetër se jemi ne që shkruajmë, apo na shkruan mesazhi që ndërmjetësohet cerebralisht nga truri ynë?! Pra ne jemi thjesht mediumi!

T’ia besosh makinës certfikimin e njerëzores për një shprehje të tillë si Të Shkruarit, është padiskutim një lëvizje subversive në qenien njerëzore, megjithë defektet e saj. Nuk është çudi që budallallëku që ka mbuluar dynjanë me debatin për mosdiskriminimin, të cilin e shtyn përherë e më thellë, në kufinjtë e kohezionit social, të dalë dikush e të thotë se çdo tekst duhet të gjenerohet nga IA përkundër ideve bazë. Sepse përndryshe cilësia e shkrimit të njërit, stilistikore dhe përmbajtësore, vendos bazë diskriminuese ndaj cilësisë së një tjetri që vuan e mundohet të arrijë diçka të mirë.

A është e drejtë pra ta lëmë njerinë të vuajë kështu? Hajde pra ta homogjenizojmë çdo gjë, të rrafshojmë dallimet dhe diferencat për të krijuar një botë që as ka më emër për njerëzore. Nuk është as çudi që Bibla dhe Kurani t’i sugjerohen IA-së t’i shkruajë njëherë për të parë se ku dallon Zoti me IA-në në përhapjen e fjalës së shenjtë, që nëse dikur u besua se ishte e Vërteta, tani shndërrohet në skenar ditor. Në lodër gjenerimi tekstual.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.