Dy projekte që ndajnë të ardhmen e tregtisë globale

Dy zhvillime të këtij viti ngjajnë se shpjegojnë deri diku njëri-tjetrin dhe një lloj të ardhmeje të gjeopolitikës.
Më 25 maj të këtij viti, në portin e thatë të Aprinit në Iran, mbërriti treni i parë nga Xi’an i Kinës. Ky udhëtim inauguroi lidhjen e drejtpërdrejtë hekurudhore mes të dyja vendeve që aktualisht gjenden në një presion të madh nga SHBA. Hekurudha bën pjesë në një korridor më të madh që quhet Lindje-Perëndim dhe që synon të promovojë tregtinë e hapur mes Kinës, Iranit, vendeve të Gjirit, Afrikës dhe në finale Europës.
Në një vlerësim që i bëhet hekurudhës në fjalë hyjnë në veprim edhe elementë të gjeopolitikës pasi aksi në fjalë anashkalon pika kontrolli detar të patrulluar nga aktorë armiqësorë duke mundësuar edhe anashkalimin e sanksioneve të SHBA.
Një tjetër aspekt është kostoja: së fundmi kostot e transportit detar janë rritur me 25% për shkak të situatës në Detin e Kuq, ndonëse vihet në dukje se hekurudha nuk favorizon transportin e hidrokarbureve. Më tej akoma, ao mundëson akses në det dhe në një linjë të madhe tregtare të vendeve si Uzbekistani, Turkmenia, Kazakistani, ndërkohë që hedh bazat e një rrjeti ndërkontinental hekurudhor që bashkon të gjithë popullsitë turke me Kinën dhe Iranin. Eventualisht rrjeti në fjalë synon dhe nëse realizohet e imponon, riformësimin e dinamikës gjeopolitike euraziatike që aktualisht po tentohet të konservohet në duart e Perëndimit përmes linjës Indi-Lindje e Mesme-Europë, me Izraelin si dalje qendrore në Mesdhe.
Zhvillimi i dytë është ajo që po quhet si Marrëveshja më e Madhe Tregtare në Histori, njoftuar më 25 korrik të këtij viti, mes SHBA dhe Japonisë. Marrëveshja u firmos pak para afatit të tarifimit tregtar të paralajmëruar nga Donald Trump dhe ajo po cilësohet si Inovative. Rëndësia e saj mund të kuptohet edhe nga fakti se për negociimin e saj, kryeministri japonez, Shigeru Ishiba caktoi aleatin e vet të ngushtë, ministrin Ryosei Akazaëa që vizitoi tetë herë SHBA. Më 8 korrik, pas vizitës së shtatë, Trump njoftoi tarifat 25% ndaj Japonisë që do të hynin në fuqi më 1 gusht. Më 22 korrik, megjithë presionet e brendshme, Ishiba çedoi dhe Trump dha lajmin se “SHBA kishte arritur një marrëveshje masive me Japoninë, ndoshta më e madhja ndonjëherë”.
Një ndër aspektet kryesore është se ajo i jep prioritet dhe adreson fuqizimin industrial dhe teknologjik të SHBA me Japoninë që krijon një fond 550 miliardë dollarësh për financimin, përmes mekanizmave të tilla si garanci kreditore dhe nga institucionet publike japoneze, të sektorëve energjetikë amerikanë, gjysmëpërçuesve, mineraleve kritike, farmaceutikës dhe ndërtimit të anijeve. Me këtë financim, që nuk do të shkojë i gjithë në kompanitë japoneze, Japonia bëhet investitorja e parë e huaj absolute në SHBA.
90% e fitimeve nga investimi i këtij fondi do të ri-investohet në SHBA, ndërkohë që në këmbim Japonia mori reduktimin e tarifave nga 25% në 15%, një kuotë me rëndësi kapitale nëse mbahet parasysh se eksportet japoneze në SHBA shkojnë në 148.2 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, me marrëveshjen në fjalë, Trump ka mundësuar akses më të gjerë në treg, të drejta për blerje asetesh. Në tërësinë e vet marrëveshja, nëse implementohet pritet të rezonojë në mbarë rajonin e Paqësorit, duke vendosur një model edhe për marrëveshje të tilla me BE-në dhe Korenë. Është e qartë se Donald Trump po përpiqet me çdo mjet presioni të rifinancojë industrinë amerikane për të ndryshuar balancën tregtare me partnerët e vet. Është e pritshme që në kontekstin e këtij rezultati, SHBA të tolerojë politika të reja sigurie për Japoninë, një vend që shënrben si kundërbalancues ndaj një fuqii si Kina, e cila ndodhet në zonën me fluksin më të madh tregtar në botë.
Të analizuara si dy marrëveshje kundërvënëse, ato ilustrojnë rivalizimin e kontrollit të deteve nga SHBA si gjeopolitikë konstante e shekullit të 20-të, me unifikimin tregtar të një njësie si EuroAzia, ku Kina presupozohet se do të jetë fuqia e madhe dhe metropoli.
s.zaimi
Add new comment