Pasiguria kolektive, një konstante e politikës ruse që po shtyn drejt luftës
Në datën 6 gusht, media ruse “Sputnik” publikonte një infografik përmes të cilit shpjegonte kronologjinë e një propozimi të vjetër për anëtarësimin e Bashkimit Sovjetik në NATO.
Propozimi ishte ideuar si nëpër të më herët nga Josif Stalini përmes disa notave të tij, ku spikat ajo për Berlinin e vitit 1952 e cila sugjeronte unifikimin e Gjermanisë, neutralitetin e saj të garantuar ndërkombëarisht dhe çmilitarizimi. Patjetër me këtë masë vinte edhe tërheqja e forcave të pushtimit. Siç është bërë e njohur propozimi i Stalinit gjeti kundërshtimin e fortë perëndimor, por edhe atë të Adenauerit, që pa te Gjermania neutrale me forcat sovjetike në Poloni një shtet kukull që herët apo vonë do të binte në prirjen e nacionalizmit.
Konteksti megjithatë është më i gjerë; ai lidhet me një analizë konstante ruse mbi sigurinë europiane, të cilën e ka parë të pazgjidhur nga historia dhe garancitë e shkruara. Nota për Berlinin pasonte krijimin e NATO-s në vitin 1949, parë nga Moska si element i një politike sistemike anti-sovjetike që sfidonte ndikimin e saj në Europë dhe mandej kërcënonte sigurimin e saj.
Po kështu në shkurt të vitit 1954, Moska ra dakord në Konferencën e Berlinit që të tërhiqte trupat nga Austria në këmbim të neutralitetit të saj të garantuar. Që vazhdon edhe sot. Kremlini lëvizi në mënyrë graduale duke hequr alibitë e përshkallëzimit. Në mars të vitit 1954 ministri i Jashtëm Molotov dorëzoi propozimin për anëtarësimin në NATO të Bashkimit Sovjetik me argumentimin se:
NATO do të pushonte së qeni një grup i mbyllur ushtarak dhe do të hapej për hyrjen e shteteve të tjera europiane, krahas krijimit të një sistemi kolektiv sigurie në Europë
Në maj të po atij viti, SHBA ktheu përgjigjen refuzuese përmes NATO-s, duke vënë në dukje:
Natyrën tërësisht jo realiste të propozimit që konrastonte vetë parimet mbi të cilat varet sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes së shteteve perëndimore
Këtu merr rëndësi kriteri politik dhe ideologjik që ishte prioritar në atë kohë.
Një vit më pas, Bashkimi Sovjetik njofton krijimin e Traktatit të Varshavës për të cilin “Sputnik” shton se u shpërbë një vit para shpërbërjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik.
Mbi këtë kronologji, media në fjalë evidenton konkluzionet historike sipas saj:
- Thuajse të gjitha ish-vendet e Traktatit të Varshavës janë aktualisht anëtare të NATO-s.
- Është vendosur një sistem unipolar në relacionet ndërkombëtare
- Një bllok i vetëm ushtarak në botë
- Shkatërrim i balancës së fuqisë
- NATO ndërhyri në Jugosllavi
Krahas kësaj përkujtese, “Sputnik” ka publikuar së fundmi dokumente të klasifikuara të shërbimeve ruse ku dokumentohet politika filonaziste e vendeve perëndimore përpara Luftës II Botërore.
Është e qartë se në aspektin propagandistik, Kremlini po përdor Historinë si bazë për përpunimin e idesë se në Ukrainë po konsumohet një episod i radhës i të njëjtës politikë që zë fill që nga viti 1918.
Ajo që merr rëndësi është konstantja e politikës ruse: Nevoja për siguri kolektive europiane e cila të mos përjashtojë Rusinë nga angazhimet dhe ndërveprimi reciprok.
Problemi me këtë propozim qëndron te fakti se është gati e pamundur të ndërtosh një sistem kolektiv sigurie me një anëtar që shpall dhe ndjek politika mbi zona tradicionale influence edhe pse duhet thënë se intervencionizmi rus ka qenë më pak agresiv sesa ai amerikan dhe kryesisht i udhëhequr vetëm nga siguria, jo interesa mirëfilli apo ekskluzivisht ekonomike.
Me një komb që përpunohet me prova historike se armiqësia ndaj tij është konstante dhe e ngulitur, është e pamundur që të negociohet çfarëdolloj paqeje. Dhe fakti se në dallim nga Gaza ku SHBA propozon edhe armëpushim me Hamasin, por në Ukrainë kërkon paqe kapitullimi nga Rusia, ilustron me një forcë tjetër perceptimin rus se në të vërtetë konflikti është përtej dhe më i thellë se disa territore në Ukrainë.
Po kështu është e pabalancuar politika që te shqetësimi i Rusisë për dislokimin e raketave në kufi, apo tërheqjen nga traktate kufizimi të armëve të shkatërrimit në masë, Perëndimi sheh me indiferencë, kurse te disa sulme të Hamasit, sado tragjike, miratohet shqetësimi i Izraelit për “kërcënim ekzistencial”.
Me këto dy konflikte paralele, bota ka mundësinë të shohë se Perëndimi ka aktualisht instrumentet e monopolit të dhunës, politikës “penale” ndaj saj, duke reduktuar rendin ndërkombëtar dhe NATO-n si elementë të sigurisë dhe vendimmarrjes kolektive, në hapësirën e Hemisferës Perëndimore. Dhe ky vakum logjik dhe faktik në konsiderimin e shqetësimit të tjetrit, herët apo vonë do të çojë në luftë konvencionale mbi premisa të interpretimit të globalizmit si mjet pushteti të një poli dhe asgjë tjetër.
s.zaimi

Add new comment