Pezullohen provat klinike të vaksinës së “AstraZeneca”

Faza e tretë e provave klinike për vaksinën Covid-19, e cila po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania “AstraZeneca” është ndërprerë.
Vendimi është marrë për shkak të një efekti serioz anësor që ka shkaktuar te një prej personave te të cilët është testuar.
“AstraZeneca” ka bërë të ditur se procesi standard është në pauzë për shkak të “rishikimit të të dhënave të sigurisë".
Mbetet e paqartë nëse pezullimi i provave është vetimponuar apo urdhëruar nga një rregullator.
Vaksina e “AstraZeneca”-s është e para që vihet në pauzë, pasi arrin në fazën e tretë.
Studimi në fazën e parë dhe të dytë, botuar në korrik nga revista mjekësore “Lancet”, vuri në dukje se rreth 60 për qind e pjesëmarrësve kishin pasur efekte anësore - ethe, dhimbje koke, dhimbje muskulore dhe acarim në vendin e injektimit, efekte që janë cilësuar "të lehta ose të moderuara” dhe u reduktuan gjatë provave.
Nuk dihet se çfarë efekti do të ketë pezullimi në Britaninë e Madhe i planeve për fazën e tretë të testimit në SHBA, ku pritet të angazhohen 30 mijë pjesëmarrës në 80 zona të ndryshme, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit.
Vaksina është konsideruar si një nga më të mirat që po zhvillohen në të gjithë botën.

Add new comment