Kampi i Morias në Greqi përfshihet nga flakët, zhvendosen mijëra emigrantë

Mbipopullimit dhe pandemisë në kampin e emigrantëve në ishullin Lesvos të Greqisë, të mërkurën iu shtua edhe një zjarr masiv. Mijëra emigrantë u detyruan të largohen pasi flakët përfshinë kampin e Morias.
Situata mori përmasa të mëdha brenda pak orëve dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis thirri ministrat në një takim urgjent. Megjithatë, fatmirësisht nuk raportohet për viktima.
Zjarri shpërtheu në kampin Moria pak pas mesnatës së së martës, ndërsa disa orë më pas gjithë çfarë kishte mbetur aty ishin konteinerë e çadra të djegura dhe dhjetëra emigrantë që kërkonin çfarë kishte mbetur pa u djegur nga flakët.
Bashkimi Evropian është angazhuar t’i vijë në ndihmë Greqisë në këtë situatë. Zëvendës-Presidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, e ka konfirmuar këtë përmes Tuiterit pasi foli me kryeministrin Mitsotakis.
Ka dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Sipas raportimeve paraprake, flakët nisën në pika të ndryshme të kampit, pasi autoritetet u përpoqën të izolonin disa individë që kishin rezultuar pozitivë për Covid-19.
Qeveria pritej të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në Lesvos, çka do ta lejonte të mobilizonte të gjitha forcat në ishull.
Emigrantët do të zhvendosen drejt Mytilinit, por nuk përjashtohet që ata të çohen në një anije për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Deri tani, 200 persona janë liruar me qëllim riatdhesimin e tyre.
Kushtet në kampin Moria, ku jetonin mbi 12 000 njerëz - më shumë se katërfishi i kapacitetit - janë kritikuar nga grupet e ndihmës që thonë se është e pamundur të zbatohet distancimi social dhe kushtet minimale të higjienës.
Kampi u vendos në karantinë javën e kaluar pasi autoritetet konfirmuan se një azilkërkues kishte dalë pozitiv për Covid-19. Që nga ajo kohë, numri i të infektuarve ka arritur në 35.

Add new comment