Bilanci i qeverisjes, kryeministri: “Reformën në drejtësi e bëjnë ekspertët. Do të ulim TVSH-në për energjinë”. Dhe një mesazh korriku për mediat

Postuar në 30 Korrik, 2015 15:02

Reforma në drejtësi do të bëhet nga ekspertët. Politika thjesht do ta votojë. Të paktën kështu thotë kryeministri i Shqipërisë, i cili në bilancin e punës së qeverisë, ka deklaruar se për reformën në drejtësi, nuk ka për të patur negociata. “Reforma në Drejtësi është ndërtuar mbi një parim; Do ta bëjnë ekspertët, do ta votojë Kuvendi. Nuk do ta bëjë politika dhe nuk do të jetë një reformë negociatash politike. Do ta bëjnë ekspertët. Ekspertët kanë punuar, është bërë një analizë, është bërë një strategji dhe ne do t’i japim të gjithë vullnetin politik, me votë, paketës së drafteve që do të vijnë nga ekspertët”, tha Rama. Diçka jotipike kjo, sa kohë është politika që përcakton prioritetet dhe objektivat, kurse ekspertët kryesisht ndihmojnë teknikisht. Fjala vjen, kanë zbardhur dy propozime për zgjedhjen e prokurorit, por për këtë çështje mund të ketë diskutime të mëtejshme. Formalisht nuk mund të ketë reformë që e bëjnë ekspertët.
Më tej, Edi Rama ka përsëritur zotimin për uljen e TVSH-së për energjinë dhe për faktin që kjo nuk është bërë dëri më tani, ka nxjerrë këtë arsye: “Vazhdoj t’i qëndroj të njëjtit zotim. Po, TVSH-ja e energjisë për familjarët është një zotim dhe është një zotim që ne do ta mbajmë, por do ta mbajmë në momentin kur sistemi të jetë plotësisht i stabilizuar dhe jemi në këtë rrugë. Ata që kërkonin që ne të bënim TVSH-në 6% për familjarët, siç jemi zotuar, ditën e parë, kujt t’ia bënim TVSH-ë 6%?! 320 mijë konsumatorëve që nuk ishin fare të regjistruar?! Apo të tjerëve që sigurisht paguanin, por që pastaj t’i linim të gjithë pa drita, të kolapsonim gjithë Shqipërinë! Dhe e dyta, tek turizmi do të bëjmë një ulje drastike të TVSH-së. Por, nuk kemi plan për përshkallëzime TVSH-je si mekanizëm”, tha ai. Edhe nëse marrim si të mirëqenë se kjo qëndron, kjo do të thotë se programi i PS-së është hartuat larg realitetit. Dhe më tej: në fushatë është premtuar edhe ulja e TVSH-së për mallrat e shportës, e për këtë argumenti i mësipërm nuk hyn në punë.
Në fund të fjalës, kryemimistri i Shqipërisë, ka përcjellë edhe një fjali që me gjasë ia di kuptimin vetë. “Kështu që ju falenderoj shumë dhe ju uroj edhe juve të gjithëve, pushime të mbara. Përcillini edhe pronarëve tuaj, urimet e mia më të mira dhe uroni veten tuaj, që ata të kthehen me mendje më të ftohtë nga pushimet”, tha ai.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.