Lubonja: Ja pse Rama është injorant në lidhje me Akropolin

Postuar në 02 Nëntor, 2016 20:43

Analisti Fatos Lubonja ka analizuar nga studio e “Opinion” në News24 situatën politike duke nisur nga përplasjet mes Tiranës dhe Athinës zyrtare, çështjen e Himarës, daljen në skenë të partive të reja e deri tek koalicionet politike për të ndërtuar shtetin e institucioneve. Lubonja e ka quajtur kryeministrin Edi Rama, ‘injorant’ në lidhje me deklaratat e tij për Akropolin, duke thënë se ai nuk di historinë.

“Nuk e lexova (deklaratën e Ramës) thjesht në aspektin politik e diplomatik, por edhe në aspektin e njeriut të kulturës. Them se është tronditëse pasi tregon injorancën e kryeministrit tonë çka është e rëndë edhe për imazhin e Shqipërisë. Pse e them këtë? Sepse Partenoni, si ‘gioiello’ i Akropolit, është një nga 10 mrekullitë e botës dhe çdo student madje çdo fëmijë duhet ta dijë historinë e tij, si histori e antikitetit grek. Ku qëndron mosdija në rastin e Ramës?

Historia tregon se Partenoni ka qenë tempull i Athinës në Antikitet, në kohën e Krishterimit u bë kishë, pastaj në kohën e osmanëve u bë xhami dhe ajo gravura që ka nxjerrë Rama, po ta vini re, ka dhe një xhami. Puna është se deri në vitin që përmend Rama (1687) ai ka qenë një ndërtesë që, me gjithë ndryshimet nga brenda, ka qenë e ruajtur si srukturë. Është pikërisht rrethimi që ka bërë Francesco Morozini që ka shkatërruar Partenonin. Osmanët e përdorën atë për të futur barutin meqenëse ishin të rrethuar. Jemi në një nga luftrat mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane, nuk bëhet fjalë aty për Shqipëri apo Greqi. Kjo është një nga ato luftëra, – quhet lufta e Peloponezit, – ku pasi morën këtë venecianët rrethuan Athinën. Në këtë moment, kur osmanët kanë futur barutin në Partenon, bombardimi nga venecianët bëri që disa predha të shkojnë tek baruti dhe shpërthimi shkatërroi Partenoni. Pra, në të kohë, nuk u ruajt, siç thotë Rama, por u shkatërrua.

Ashtu siç dihet se Morozini, që më pas u bë Doxha i Venecias ka bërë edhe plaçkitje atje. Një nga luanët e Pireut, vepër e antikitetit grek, që është sot në Piaza San Marco në Venecia gjatë kësaj kohe është marrë dhe sot e kësaj dite ka një problem të madh mbi atë se si është grabitur Greqia. Sepse më pas Athinën e morën përsëri osmanët, (në 715), ndërtuan një xhami të vogël brenda Parthenonit sepse ishte shembur dhe filluan t’i shesin Perëndimit objektet. Siç shihet kemi të bëjmë edhe me injorancën e asaj kohe. Një nga atashetë, e marshallit suedez që luftonte atje, megjithatë, i ka thënë këtij Morozinit, “ça po bën, si mund të bombardohet një ndërtesë që ka jetuar mbi 2 mijë vjet?”

Kjo e Ramës është injorancë jo vetëm pse nuk njeh historinë e Partenonit, që mund ta lexonte. Por edhe përsa i përket vizionit që ka për kufijtë e shteteve tona. Në kohën në fjalë nuk kishte Greqi dhe as Shqipëri por Perandori Osmane. Kur u krijua Shqipëria, gjithë kjo zonë për të cilën flet Rama dhe Vorio-Epiri e Himara ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Popullsia ishte e përzierë dhe nuk kishte kufi të ndarë. U bënë luftat ballkanike që u krijua Shqipëria për 1 mijë arsye. Të thuash Himara ka qenë gjithmonë Shqipëri është të bësh akoma historiografinë e Enver Hoxhës dhe kjo është turp për një kryeministër, për një intelektual. Janë procese historike që duhet t’i njohë një intelektual, aq më tepër një politikan që duhet të ketë parasysh edhe diplomacinë sepse injoranca të prish punë edhe për imazhin. tha Lubonja. Sipas Lubonjës, ‘ajo që bën kryeministri në këtë rast është përdorimi i nacionalizmit për qëllime pushteti dhe për të mbuluar ato gjëra që po bën në Jug që përveç të tjerave janë edhe grabitje e pronës së banorëve të Jugut’. “Aty ka një grabitje, ka një dhunim. Nuk është hera e parë që Kryeminstri përdor gjuhën nacionaliste për të bërë shkatërrime. Siç ndodhi atëherë me kishën e Dhërmiut. Qëllimi është tjetër, që të çon në atë thënien e famshme “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”. Ai ka theksuar se e ‘gjithë kjo bëhet për të mbuluar vjedhjen e pronave në Himarë’. “Qëllimi është që gjithë ato që po bëhen atje me dhunë, kundër asaj popullsie, justifikohen me nacionalizëm. Për të thënë unë kam popullin me vete, siç bëri edhe Enver Hoxha.

Edhe çështja çame është lidhur me këtë histori, por është përgjegjësia e grekëve që nuk njohin çështjen çame. Por kësaj çështjeje nuk ke pse i përgjigjesh me nacionalizëm shqiptar. Çështja çame është problem i madh, shpërngulja e një popullsie gjatë LIIB që ka brenda shumë elementë të shkeljes së të drejtave të njeriu por grekët u justifikuan me atë që Greqia ishte në palën e fitimtarëve kurse shqiptarët bashkëunuan me pushtuesit. Është një problem i hapur por s’do të thotë që t’i përgjigjesh kësaj duke trajtuar Himarën kështu. Nuk besoj se edhe grekët kanë hall t’i kundërvihen në këtë rast sepse është ky që ka provokuar me këtë lloj forme”, tha ai. Përsa i përket gjuhës nacionaliste te Rames Lubonja ka hequr vija paralele mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama në lidhje me nacionalizmin. “Kemi precedentë, kur Berisha shkoi në Mynih dhe tha se është e pafalshme që shqiptarët jetojnë në 5 shtete dhe ai gjermani i tha: “ore zotëri e kupton se duhet bërë luftë që të bashkohen!” Kështu janë këta kur e humbasin mendjen dhe jetojnë shumë të izoluar, vetëm me delirin që ua ushqen popullsia shqiptare, injorante, e humbasin realitetin".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.