Veliaj shpjegon planin e tij për Tiranën ku një burim të ardhurash përmendi dhe identifikimin e 182 hapësirave për parkingje

Postuar në 26 Qershor, 2015 02:02

Erion Veliaj u dha përgjigje pyetjeve të analistëve, Mustafa Nano, Arjan Vasjari dhe Skënder Minxhozi të cilët ishin bashkarisht në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës. Veliaj e nisi fjalën e tij me përvojën e fituar nga fushata zgjedhore, një fushatë e gjatë dhe mjaft intensive. “Qyteti nuk i ka punët mirë. Është pak a shumë në të njëjtën situatë siç trashëguam shtetin në 2013, me një faturë financiare që jam kurioz të shoh se sa do të jetë debia e Bashkisë së Tiranës. Sot një inventar me 4500 problematika të vogla”, u shpreh ai. Veliaj tha se muajt e verës do të përdoren për të ngritur administratën. Ai tha se do të ketë 3 ose 4 nënkryetarë bashkie dhe 24 administratorë që do të caktohen për 24 njësitë e reja të Tiranës, duke lënë të kuptohet se do të ketë një ndarje postesh në bazë të koalicionit. Më tej Veliaj u ndal tek tri emergjencat e qytetit. “Tirana është qyteti më i ndotur në Shqipëri dhe rajon. Me gjasa do të kemi edhe një mobilizim të ushtrisë për këtë. Jemi në emergjencë civile sa i takon pastrimit. E dyta është transporti publik, i cili duhet adresuar menjëherë. Jemi në periudhën kur kanë përfunduar kontratat, ndërkohë që bashkia i rilidh duke vazhduar me ndarjen e vjetër. Sfida e tretë, na duhet që në një kohë rekord, të integrojmë në një administratë të përbashkët, ndërmarrje të përbashkët shumë shërbime që deri dje ofroheshin në mënyrë të fragmentarizuar”, deklaroi Velia. Ai u ndal më pas tek financat dhe burimet kryesore të të ardhurave për bashkinë e drejtuar prej tij. “E para janë kreditë ku duhet edhe sovraniteti i qeverisë. Kemi këtu për ujëjsjellës-kanalizimet 100 milion euro përmes një kredie të butë nga qeveria japoneze. Por një tjetër mënyrë janë edhe bonot e thesarit, apo bono qyteti dhe e treta, të forcojmë partneritetin publik dhe privat. Bashkia ka disa asete, ka prona që mund t’i vendosë në përdorim për biznesin, ku bashkia mund të jetë aksionere si koncesionare apo partnere me një privat”, sqaroi ai. Veliaj tha se janë identifkuar 182 hapësira potenciale për parkingje, ndërsa shpalosi edhe idenë për t’u ofruar ndërtuesve hapësira private ose publike për të ndërtuar parkingje nëntokësore dhe u zotua të lirojë të gjitha hapësirat publike të zëna abuzivisht sot. “Piramida dhe Hotel Dajti do të jenë pjesë e një projekti që do të quhet Parku i Besimit. Do të kemi një konkurs ndërkombëtar për këtë, ku ideja e kryeministrit ka qenë që Shqipëria duhet të përfitojë nga turizmi fetar”, tha ai. Duke iu rikthyer çështjes së ndërtimeve, Erion Veliaj deklaroi se ndërtimi do të zhvendoset në projekte më pak agresive ndaj mjedisit, si unazat, kampusi universitar, parkingjet, terminalet dhe objekte të tjera publike që do të mbajnë gjallë këtë industri. “Jo për apartamente, ku kemi 8 mijë apartamente pa shitur”, tha ai.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.