Ulja e humbjeve në rrjetin e ujit të pijshëm, nis reforma sipas ndarjes së re administrative territoriale. Pritet shtrenjtimi i faturave

Postuar në 24 Qershor, 2015 15:28

Niveli i arkëtimit për shërbimin e ujit është problematik në vendin tonë. Nga 4 litra ujë që prodhohet, arkëtohen të ardhura vetëm për 1 litër. Por reforma në sektorin e ujësjellës kanalizimeve për uljen e humbjeve në rrjet dhe të shifrës së ujit pa të ardhura, e cila aktualisht është në nivelin e 67%, duket se ka filluar në disa drejtime. Në raportimin e tij “Tv Scan” thotë se këtë e ka konfirmuar Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto gjatë nënshkrimit të një memorandumi me USAID dhe Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri, që synon trajnimin dhe certifikimin e të gjithë menaxherëve operacionalë në sektorin e furnizimit me ujë. “Shumë e rëndësishme është që realizimi i këtij projekti të ecë paralelisht me gjitha hapat e tjera, të identifikuar dhe që po ndërmerren nga qeveria, së pari, për ta reformuar sipas ndarjes së re administrative territoriale, së dyti për të riorganizuar ndërmarrjet e UKT mbi bazën e performancës së mirëfilltë”, është shprehur Ministri Haxhinasto. Paralajmërimi i aksionit në sektorin e ujit të pijshëm është bërë muaj më parë dhe deri më tani është ngritur Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, me qëllim ngritjen e një database të  saktë të përdoruesve të uji dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike. Kjo do të thotë se pas energjisë pritet shtrenjtim për faturat e ujit të pijshëm.

 

l.v 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.