Të gjithë po i kërkojnë Berishës atë që ai e ka (si përherë) të pamundur: dialogun

Postuar në 08 Tetor, 2012 14:26

Faqet online dhe agjensitë e lajmeve sapo dhanë njoftimin që ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka mbërritur tek tenda ku janë ngujuar në një grevë urie disa ish- të përndjekur politikë. Vizita e Arvizusë vjen pasi Gjergj Ndreca, një nga grevistët, u vetëdogj. “Ju keni të drejtën që të thoni se cilat janë problemet tuaja dhe që të dëgjoheni. Sot kam kaluar njëfarë kohe duke folur me disa persona në qeveri dhe i kam nxitur që të bëjnë çdo përpjekje të mundur për të gjetur mënyrën për të komunikuar me ju. Është e drejta juaj që të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet dhe qeverisë këtë i kam kërkuar,” tha Arvizu.

Sot edhe partnerja e Berishës në qeverisje LSI i kërkoi atij të dialogonte me grevistët. Më herët gjatë këtyre ditëve një deklaratë ku kërkon "dialog social si detyrim për institucionet" ka bërë në mënyrë të përsëritur edhe Avokati i Popullit, i cili e ritheksoi këtë nevojë urgjente pas një vizite sot në mbrëmje në dhomën e spitalit ku po kurohet Gjergj Ndreca.

Edhe BE nëpërmjet Peter Stano, zëdhënës i komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle, duket se kërkon të njëjtën gjë kur thotë se "po inkurajojmë autoritetet shqiptare të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa ligjet që merren me kompensimin e këtyre personave". Ligjet flasin për këste, këstet dhe afatet kontestohen nga ish-të përndjekurit dhe rrugë tjetër vec dialogut, si hap i parë, për të shmangur së paku humbjen e jetëve njerëzore nuk ka. Apo ka? Duket sikur Berishes po i kerkojne dicka të pamundur, thuajse jashtë natyrës së tij. Madje, gjithë kjo këmbëngulje që ai të bëjë një veprim kaq njerëzor sa komunikimi me ata njerëz të dëshpëruar, banorë të vendit të vogël që ky qeveris - me gjasa mund të prodhojë edhe atë efekt të kundërt për të cilën flet Kico Blushi kur analizon sjelljen e tij me fëmijët e shkollave:

"Instiktivisht, prej 22 vitesh e tëhu ai bën të kundërtën e asaj që i thonë... për të mbjellë besim e adhurim te ndjekësit e tij se mbetet i pathyeshëm. Pra, e kundërta e asaj që kërkon “armiku” dhe asnjëherë marrëveshja, apo konsensusi, ka mbetur përherë për të zgjedhja dhe rruga “më e drejtë” dhe më e sigurt për të garantuar sukses vetjak.. Ai asnjëherë nuk ka pasur drojë e turp ta dëshmojë këtë “politikë” - A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.