"Shteti" i Lazaratit, ku policia nuk shkel dot

Postuar në 21 Qershor, 2012 04:38

Në Kordhocë, rreth një kilometër larg hyrjes në fshatin e Lazaratit, është  kufiri që  Policia e Shtetit i ka vënë vetes në Gjirokastër. Aty prej ditësh janë ngritur postblloqe me trupa të përbëra nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë e Delta Forcë. Megjithëse janë të armatosur gjer në dhembë, më tutje askush nuk guxon të bëjë një hap. Rruga drejt Lazaratit është e lirë, edhe nga lazaratasit.

Në fshat

Në të hyrë të fshatit nuk sheh djem që mbikëqyrin çdo njeri që guxon të shkelë tokën e tyre. Rruga është krejt e lirë. Askush nuk të ndalon për të ditur se tek kush dhe përse shkon në Lazarat. Rrugës për në qendër të fshatit, shkëmbehemi me makina dhe “guximi” ynë sigurisht që tërheq vëmendjen e vendasve. Por, lazaratasit janë të qetë. Në këtë kohë nuk kanë asgjë ç’të fshehin ndaj dhe udhëtarët e paftuar nuk i trazon askush, të paktën deri tek Komuna. Tek i ngjitemi malit, rrëzë të cilit është ngritur fshati me 6800 banorë i Lazaratit, përshëndetemi me një grup djemsh. Nga ngjyra e veshja duket që s’janë vendas. Janë të lodhur e të veshur keq, por e dinë mirë në derë të kujt do të trokasin. Në çdo shtëpi shihen tuba e bote të mëdhenj uji. Ndërsa nëpër bahçe qëndrojnë depozita të vogla ngjyrë blu. Kryetari i komunës, Dashnor Aliko, të thotë se falë punës së tij të mirë janë kryer një sërë investimesh për fshatin si: ndërtimi i rrugës, elektrifikimi dhe rrjeti i ujësjellësit. Falë investimeve, Lazarati nuk vuan për ujë të pijshëm. Nga rruga, nëpër të çarat e disa avllive, syri të sheh tokën e punuar, (janë hapur gropa). Në gatishmëri qëndrojnë depozita të vogla e bote me ujë. Por, pjesa më e madhe e shtëpive kanë rritur lartësinë e rrethimit, a thua se dhe me njëri-tjetrin janë në luftë Që prej tre vjetëve të shkuara, fshati ka ndryshuar shumë. Aliko thotë se janë hapur 23 biznese të reja, kryesisht ato të kultivimit të bimëve mjekësore. Janë ndërtuar shtëpi të reja, e ato të vjetrat janë  rikonstruktuar. Janë shtuar makinat e bukura që shëtisin nëpër rrugicat e fshatit. Ndërsa lazaratësit janë po ata. Sfidues deri në kërcënim.

Policia

Kërcënimi i drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, se do të ndërhyjnë në Lazarat për parandaluar kultivimin e lëndëve narkotike, nuk ka shqetësuar askënd  në fshat. Pleqtë shtyjnë ditën rrëzë rrapit, ndërsa djemtë bëjnë gallatë me histori e barsaleta policësh në lokalin mbi komunën e Lazaratit. Të shohin kërcënueshëm e për pak minuta aty mblidhet thuajse e tërë djalëria e fshatit. Askush nuk të thotë një fjalë, por haptazi duket se nuk jemi të mirëpritur. Të udhëtosh më thellë në fshat, na thonë se është rrezikshme, në mos vdekjeprurëse. Në shesh, aty ku është busti i Heroit të Demokracisë, “Azem Hajdari”, janë parkuar makina  të tipit të fundit. Syri të sheh aq shumë sa të duket që je në kryeqendrën e shtetit më të fuqishëm, e jo rrëzë një mali ku ndodhet fshati i Lazaratit. Deklaratat e Burgajt dhe postblloqet e policisë nuk kanë trazuar aspak qetësinë e lazaratasve. I vetmi shqetësim është, se këto ditë, ka pasur mungesë të fuqisë punëtore. Aksionet e policisë kanë detyruar kryetarin e Komunës të lëshojë shkresa zyrtare për lejimin e personave të caktuar për të hyrë në fshat, për  nevojat e komunës. “Policia  ka detyrën e saj dhe ne tonën. Por, në Lazarat nuk ka arsye për të ndërhyrë me forca sepse nuk ka hashash. Ju e shikoni dhe vetë që në fshat nuk duket asnjë bimë e mbjellë”-të thotë Islam Gjolleshi. Ndërsa me djemtë është e pamundur të bisedosh. Lazaratasit nuk i kanë aspak qejf gazetarët, edhe pse këtë kohë nuk kanë asgjë për të fshehur. Ndërsa veta ata, veç aty mund të ndihen të lirë. Aty janë zot të tokës së tyre dhe askush nuk guxon t’i prekë. Në drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës të thonë se në fshat qëndrojnë një numër i madh personash të shpallur në kërkim, por që, për efekt hetimi, emrat nuk bëhen të ditur. Po kështu, të sigurojnë se policia është e vendosur për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike. Ekziston një plan operacional “pushtimi”. Veç Hysni Burgajt askush nuk e di ditën e zbarkimit në Lazarat. E deri sa kjo të ndodhë, kufiri i policisë është në Kordhocë, (poshtë fshatit), aty ku veç punëtorëve me mëditje askush tjetër nuk u arrestua në rrethimin e radhës së Lazaratit.

Lindita Çela, Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.