Shqipëri hesapi - policia shpall në kërkim një të arrestuar prej një viti. Dhe bëhet fjalë për listën e të kërkuarve në Lazarat

Postuar në 25 Qershor, 2015 19:29

Dje në mbrëmje, gazetarja e “Top-Channel”, Anila Hoxha, deklaroi gjatë një lidhjeje direkte me gazetarin Sokol Balla, se një nga personat e shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, si i dyshuar i grupit që po bënte rezistencë të armatosur në Lazarat, në fakt ishte i arrestuar që prej një viti. Bëhet fjalë për shtetasin Edmond Boci, 48 vjeç, arrestuar më 29 qershor të vitit 2014, në kuadër të operacioneve antidrogë në Lazarat. Dhe të mendosh thirrjen që Policia u bënte të 21-ve që u tha se po qëllonin: “Policia e Shtetit i bën thirrje këtyre shtetasve të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse”. Me sa rezulton këtu, por edhe sepse policia nuk ka përgënjeshtruar deri më tani(http://www.ata.gov.al/vijon-aksioni-ne-lazarat-arrestohet-i-...), z. Boci është krejtësisht i pafajshëm sepse me sa duket ai “u është dorëzuar organeve ligjzbatuese” këtu e një vit më parë. Nuk dihet nëse gjykata e ka lënë të lirë, por ATSh në raportimin e vet thotë se në banesën e tij janë kapur armë. Kështu që vështirë të jetë i lirë ky shtetas. Këto lloj lajthitjesh janë bërë gabime sistematike nga ministria e drejtuar nga Saimir Tahiri. Kujtojmë këtu sesi u shpall i dyshuar vjet Konstandin Xhuvani, me akuzën se po qëllonte policinë në Lazarat, kur ai, i shoqëruar nga e ëma, ish-deputetja Luiza Xhuvani u shfaq para parlamentit në Tiranë. Çudira ndodhin me këtë ministri edhe kur në media para disa kohësh qarkulloi një shkresë sekrete për operacionin “Viluni”, e ku implikohej deputeti Mark Frroku. “Po hetojmë nxjerrjen e shkresës”, tha Tahiri që ia ka marrë dorën zanatit me deklaratat për median. Kur nisi detyrën u kap gafil, teksa ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, raportonte si një nga arritjet e policisë, edhe arrestimin e të atit të Tahirit, në kohën kur në qeveri ishte Flamur Noka si ministër i Brendshëm. “Po, e vërtetë është. Do ta shikojmë”, tha ministri i sikletosur. Thagma ishte shkresa e Interpolit për Mark Frrokun, që çoi në shkarkimin e drejtorit të zyrës së Interpolit dhe dorëheqjen e Artan Didit. Shkresë e cila se ku kishte ngecur e nuk i vinte dot ministrit në zyrë që të bënte zap situatën. Çudi, se gjykata e quajti të pafajshëm, ish – drejtorin e Interpolit. Po Shqipëri hesapi.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.