Shënim: Pakënaqësi e investitorëve nga korrupsioni në gjyqësor, apo mbështetje për qeverinë në goditjen e korrupsionit në Drejtësi?

Postuar në 04 Korrik, 2015 11:01

Para disa ditësh ra në sy një deklaratë e ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, sipas të cilit biznesi gjerman në Shqipëri ka shumë pakënaqësi ndaj sistemit të drejtësisë dhe po mendon edhe të largohet. Merr më shumë kuptim kjo deklaratë, pasi ajo erdhi vetëm një ditë pasi u inuaguaruan, me pjesëmarrje edhe të kryeministrit, dy njësi me investime gjermane, një nga të cilat edhe Tirana Buissnes Park. Kritika të forta dhe akuza për gjyësorin bëri para dy javësh edhe ambasadori britanik në Tiranë, që foli madje për një klikë në sistemin e drejtësisë. Duket pra qartë se ka një kërkesë të disa partnerëve ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare, që të inicohet një goditje ndaj sistemit të drejtësisë, në kuptimin e dukurisë së korrupsionit që e shoqëron atë. Vetë kryeministri paralajmëroi në intervistën e fundit para zgjedhjeve se në muajin shtator, me reformën e re, do të nisë procesi i pastrimit, në një fushë ku duhet thënë se opozita aktuale, më saktë enturazhi i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka ndikim. Dhe siguron disa garanci. Mirëpo si qëndron e vërteta me deklaratën e ambasadorit gjerman? Sot, Berisha poston një status në “Facebook” përmes të cilit kritikon ashpër qasjen e kryeministrit për islamin radikal e afrimin me BE-në. Dhe thotë ndër të tjera: “Nje studim i njoftuar nga ambasada gjermane 3 vjet me pare, tregonte se 80% e investitoreve gjerman ishin te kenaqur me klimen e biznesit dhe do ti investonin te ardhurat e tyre ne Shqiperi. Kurse nje studim tjeter gjerman i botuar vitin qe kaloi tregonte se 67% e investitoreve gjerman ishin te pakenaqur me klimen e biznesit ne Shqiperi”. Nëse kjo është e vërtetë apo jo, këtë mund të provojë vetëm ambasada gjermane në Tiranë. Por parimisht ajo që rrjedh nga kjo e dhënë është se pakënaqësia e investitorëve gjermanë në Shqipëri vjen proporcionalisht në rritje me ardhjen në pushtet të qeverisë së majtë. Dhe jo me gjyqësorin. Nga ky këndvështrim, shihet hapur se Berisha po mbron sistemin e drejtësisë, që ndodhet pas 24 vitesh përpara sfidës së shoshitjes së radhëve të veta. Më tej akoma, nëse kjo që thotë Berisha është e vërtetë, atëherë qëndrimi i Hoffman, ngjan më shumë si mbështetje për mazhorancën, e cila ka rregulluar mirë raportet me Gjermaninë e që së fundmi ka shpallur betejën me korrupsionin në drejtësi. E mira e punës e do që të zbardhet e vërteta për pakënaqësinë e biznesit gjerman në Shqipëri, pasi në pamje të parë, nga 2013 e pas, shumë pak gjëra kanë lëvizur nga vendi në gjyqësor. Nga ana tjetër, na vjen në ndihmë këtu përpjekja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila në këto vitet e fundit, ka nxitur shumë vetëm një çështje që lidhet me gjyqësorin: krijimin e Gjykatës Administrative. Pasi në përgjithësi, bizneset e huaja, pak duket të kenë të bëjnë me drejtësinë penale në Shqipëri e cila është ndoshta më problematikja. s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.