Rënia e euros (edhe në Shqipëri) dhe një lajm kurioz nga një fshat fatlum

Postuar në 15 Korrik, 2012 09:28

Mediat ekonomike raportojnë se euro ka rënë në nivelin më të ulët të dy viteve të fundit. Një euro u shkëmbye me 1.2165 dollarë, që është niveli më i ulët që prej mesit të viti 2010. Edhe në Shqipëri sipas raportimeve, euro ka shënuar ulje rekord këto ditë. Nuk gjen ndonjë analizë të qartë në media për të kuptuar nëse bëhet fjalë për situatë të përkohshme apo për fillimin e një rënie që do thellohet, gjithsesi njihen tashmë pak a shumë problemet në Eurozonë: përplasjet gjermane me anëtarët e tjerë të Unionit, dilema greke e jo vetëm greke, roli i Bankës Qendrore Europiane (ECB) etj. Kohë të vështira, ku nuk mungojnë planet B, eksperimentimet dhe… lajmet e çuditshme. Një prej tyre mund të shihet sot në EuroNews. Një reportazh nga një fshat spanjoll i quajtur Salvaterra de Miño (në kufirin mes Spanjës e Portugalisë) ku është rikthyer…peseta.

Prej tetorit të kaluar Dhoma e Tregtisë ka vendosur që në dyqanet e këtij fshati të ripranohet monedha e vjetër spanjolle. "Programi i ripërdorimit të pesetës nisi për 3 muaj por pastaj e zgjatëm, - thotë për Euronews një anëtar i Dhomës së Tregtisë Alejandra Rivas, - do ta rizgjasim përsa kohë nga qytetet e tjera do vijnë njerëz për të bërë blerje me peseta". Në një vit të zi për euron, ky fshat me vetëm 9 mijë banorë mund ta konsiderojë veten shumë fatlum. Një tregtar tregon se ka një gjallërim të jashtëzakonshëm: "Njerëzit kanë filluar vijnë me mijëra nga e gjithë Spanja, në fakt duket sikur po blejnë mallra gratis".

Por nuk bëhet fjalë për marsh indietro përsa i përket euros. Ideja ka zënë vend vetëm sepse Banka e Spanjës është e vetmja në BE që nuk ka vënë afate zyrtare për zëvendësimin e pesetave me euro. Është ndoshta kjo arsyeja që në sirtarët e spanjollëve kanë mbetur akoma rreth 285 miliardë peseta (rreth 1.7 miliardë euro), mbajtësit e të cilave janë pikërisht ata që po mësyjnë drejt fshatit eksperimental- raporton EuroNews. (A.N.)

Në foto: Karikaturë e marrë nga shtypi hungarez (poligraf.blog.hu) që ironizon këmbënguljen e organizmave financiarë përgjegjës  për të ruajtur nivele të larta të monedhës europiane, përballë propozimeve që ECB të lejojë shtypjen e eurove të reja si opsion për zgjidhjen e krizës nëpërmjet lejimit të inflacionit të kontrolluar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.