Po rikthehet errësira?

Postuar në 18 Tetor, 2012 14:54

Në zonën e Kombinatit në Tiranë,  energjia elektrike mungon prej 4 ditësh. Në shumë zona të tjera të vendit problemet me energjinë janë rikthyer. Cfarë po ndodh? E ka fajin, CEZ, KESH, Qeveria, debitorët? Secila palë i është borxh tjetrës, ose siç u shpreh sot në Parlament, deputeti Erion Brace "i gjithë sistemi ka hyrë në një zinxhir borxhesh, duke e futur atë në krizë".

Jashtë ka njerëz që pushtojnë stacione elektrike, bllokojnë akset rrugore dhe djegin goma, brenda zyrave pëshpëritet se qeveria Berisha kërkon t'ia rimarrë cekëve të CEZ-it licensën e operatorit të shpërndarjes për t'ua dhënë klientëve të vet. (Autoriteti i Energjisë diskuton javën e ardhshme propozimin për t'i hequr CEZ-it licencën). Mungojnë analizat e sakta mbi situatën e krijuar, por diçka mund të kuptohej nga debatet e sotme në Kuvend.

Ministri i Financave Ridvan Bode:Kanë ardhur deri tani shtatë misione të Bankës Botërore, vetëm për këtë çështje.. Kjo situate e vështirë është krijuar si pasojë e keqadministrimit të sistemit të shpërndarjes nga CEZ e cila nuk ka respektuar kontratën, por qeveria është e angazhuar që të garantojë furnizimin e qytetarëve". (qeveria paraqiti sot në parlament një akt normativ për një garanci prej 50 milion eurosh për KESH, që të mund të importojë).

Deputeti Arben Ahmetaj:  "Jo zoti Ministër, fajin nuk e ka CEZ-i, por ti, ministrat e ekonomisë, kryeministri që gënjen. Ju keni dështuar në të gjitha, në modelin e paraqitur, anën financiare, anën teknike. Fatura e shqiptarëve është e lartë mbi të gjitha për shkak të dështimit te qeverise, që tashmë po grabit edhe paratë e pushtetit vendor” (qeveria bllokoi para disa ditësh fondet për komunat dhe bashkitë që janë borxhlie ndaj CEZ-it)

Deputeti Erjon Braçe ngriti një dyshim për një skemë financiare mashtrimi që përfshin disa kompani përmes të cilave “CEZ” transferon fitimet tek kompania mëmë: "Bëhet fjalë për një rrjet kompanish, në total katër të tilla, që kanë krijuar një skemë piramidale përfitimi. Krimi i “CEZ Albania” dhe faturimi për “CEZ Shpërdnarje” është skemë se si shpenzimet rriten artificialisht dhe “CEZ Shpërndarje” ka tre vjet që del me humbje.."

Si përfundim, akti normativ i prezantuar sot në Parlament nga qeveria u votua vetëm me votat e shumicës. Me këtë akt qeveria: 1- i mori 12 milionë dollarë pushtetit vendor për të paguar borxhet e ujësjellësave që bashkitë dhe komunat kanë ndaj “CEZ”-it. 2 - dhënia e një garancie  7 miliardë lekë për “KESH”-in, që të kompesojë importet e munguara të “CEZ”-it. (A.N.)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.