Përgjimi i shqiptarëve, nuk është vetëm blerja e një pajisjeje, por politikë qeveritare

Postuar në 13 Korrik, 2015 11:25

Tv Klan ka vijuar edhe sot trajtimin e negociatave të qeverisë shqiptare në blerjen e një pajisjeje përgjuese që mundëson gjurmimin e bisedëve në Skype, whatsapp apo edhe Facebook. Sipas prononcimeve zyrtare për këtë televizion, qeveria shqiptare mohon përfshirjen në negociata, por e-mailet e publikuara flasin për të kundërtën. “Qeveria shqiptare mohon që të ketë qenë pjesë e negociatave të bëra nga një drejtori e Shërbimit Informativ Shtetëror për blerjen e një programi për të përgjuar komunikimet me celular, përfshirë ato me WhatsApp, Viber, Facebook apo Skype. Burime zyrtare të qeverisë thanë për Televizionin Klan se në dijeni të tyre, as SHISH nuk ishte përfshirë në negociata”. Nga ana e vet ShISh në një deklaratë të sotme ka folur për “pjesëmarrje në panaire” pra pa mohuar fare interesin për një pajisje të tillë. Por cilat janë emailet që flasin për të kundërtën?
“Në e –mailet e siguruara nga Wikileaks Emad Shahata, një prej negociatorëve kryesore me shqiptarët, u komunikon kolegëve të tij emrat e të paktën 3 ministrave të qeverisë Rama. Më 6 shkurt të vitit 2014, në orën 17.23 minuta, në një e –mail dërguar kolegëve të tij Daniele Milan, Marco Bettini dhe Stefania Iannelli, ai shkruan:

“I dashur Daniel, në vizitën e fundit që bëmë në Shqipëri, ku folëm për produktin tonë, doja të të informoja se mora një mesazh nga personi në e-mail, i cili më informon se Ministri i Transporteve, të cilin e takuam, kërkon të na takojë sërish për t’u takuar me Ministrin e Brendshëm dhe Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli”.
Në e –mail, përfaqësuesit e kompanisë ngatërrojnë emrin e Ministrit të Brendshëm me atë të Presidentit të Republikës, i cili e ka mbajtur më herët këtë post. Nga informacionet që jepen nga ky e-mail duket që të tre ministrat kanë qenë në dijeni. Megjithëse roli i tyre nuk është provuar. Kontaktet, përfaqësuesit e kompanisë Hacking Team i kanë nisur me Ermal Dautajn. Roli i tij nuk është ende i qartë. Ai nuk është punonjësi i Shërbimit Informativ. Në një e –mail të datës 22 tetor të vitit 2013, Emad Shehata e njofton atë për programin e ri, “Galileo”, që mundëson përgjimet e aplikacioneve të komunikimit në celularët smartphone. Shkëmbimi i e –maileve mes tyre për të rakoduar një takim me zyrtarët shqiptarë vijon edhe në shkurt të vitit 2014.
Pjesë e komunikimit bëhen edhe dy punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror. Më 22 tetor të vitit 2013 në orën 12.38, Altin Hoxha, i shkruan Emad Shehatës.
“I Dashur Emad Shehata. Faleminderit për e-mailin dhe prezantimin e programit. Ky sistem është realisht ai që ne po kërkojmë në këtë moment për ta përmirësuar teknologjinë tonë. Në jemi të interesuar për të vazhduar kontaktet, por këtë vit jemi në fund të buxhetit dhe nuk janë parashikuar shpenzime të tjera që të na mundësojnë vizitën në zyrat tuaja. Nuk mund të vijmë tani shpejt.” E –mailet provojnë se ata kanë patur edhe komunikim telefonik. Ergys Ligaci, një tjetër punonjës në drejtorinë e përgjimeve në SHISH, më 12 dhjetor të vitit 2013, në orën 15.14 minuta i shkruan Emad Shehatës se parimisht është dakord për të parë programin.
Nga e –mailet e shkëmbyera kuptohet se përfaqësues të kompanisë Hacking Team kanë patur tre takime me konktaktet e tyre. Takimet janë zhvilluar në Dubai, Pragë dhe Tiranë”, raporton Tv Klan. Pajisja nuk është blerë për aryse financiare, por interesi për të dokumentohet. Ka dosa prova të tërthorta që e plotësojnë këtë akt të qeverisë shqiptare. Mazhoranca e tanishme bëri zhurmë të madhe për një pajisje të ShIU-t, blerë në Izrael, sipas së cilës, ish-qeveria përgjinte opozitën. Asgjë nuk doli në dritë në këtë çështje. Por pak muaj pasi qeveri aktuale eddhi në pushtet dy akte i mëshojnë përgjimofilisë së kësaj mazhorance: një rast është VKM për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celularë, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Dhe së dyti reagimi i kryeministrit ndaj përgjigjeve të BND-së gjermane. Në një deklaratë që kujton kryeministrat kukull të Botës së Tretë, ai tha: “Ne jemi miq me gjermanët. Nuk kemi se çfarë të fshehim”. Në këtë fryme ishte edhe ideja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që e kanalizonte hetimin dhe ngritjen e akuzës në varësi të qeverisë, ndërkohë që Shqipëria nuk ka strukturën kushtetuese dhe institucionale të ShBA. Së fundmi, disa media kanë publikuar me alarm, se në strategjinë e re të sigurisë, përpiluar nga Ministria e Mbrojtjes, përcaktohet se Shqipëria është e ekspozuar nga sulmet e ISIS. Me këtë rast edhe vendi ynë do të synonte një liri veprimi sipas “patriot act” në mënyrë që të shmangë sulmet. Ndonëse aktualisht qeveria vetëm mohon.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.