LSI, si problem politik i përbashkët i PS-PD

Postuar në 15 Korrik, 2015 17:36

Zgjedhjet e 21 qershorit kanë prodhuar një problem politik që ngjan si i përbashkët për dy forcat kryesore. Ky problem është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe ambiciet e Ilir Metës. Një forcë e krijuar në vitin 2004 arrin që vetëm 11 vjet më pas të sigurojë 250 mijë vota, shpërndarë në të gjithë territorin, duke siguruar premisa për konsolidim edhe në zgjedhjet politike.
250 mijë vota janë stacioni i parë drejt prishjes së qëndrueshme të balancës bipolare të politikës shqiptare, e përfaqësuar nga PS-PD, dy parti që kanë tërhequr zvarrë Shqipërinë dhe janë përgjegjëse indirekt për nxjerrjen në skenë të një formacioni si LSI. Një formacion që u quajt “organizatë kriminale” para zgjedhjeve nga Lulzim Basha, kryetar i PD-së, e që së fundmi duket të jetë vënë në qendër të objektivit për t’u goditur. Ka disa shenja për këtë. Së pari është braktisja që PS-ja u bëri kandidatëve të Aleancës për Shqipërinë Europiane, por që ishin propozuar nga LSI. Ky problem u bë i njohur, sikurse edhe reagimi i Ilir Metës ndaj Edi Ramës, dy njerëz që takoheshin dikur për konsultime çdo të mërkurë. Së dyti, është qarkullimi i idesë së një koalicioni PS-PD, vetën që LSI të shmanget nga pushteti. Edhe pse kreu i PD-së e hodhi poshtë këtë, duke deklaruar “aleancë me shqiptarët”, ai sërish nuk ka hequr dorë nga përsëritja e faktit se në zgjedhje pati blerje vote. Për pak javë pritet të publikohet raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit dhe sipas burimeve nga qeveria, blerja e votës do të cilësohet si dukuri negative. Kjo në fakt u lajmërua edhe në raportin paraprak. Nuk dihet nëse do të ketë raste konkrete, por kur thuhet blerje vote, përgjithësisht nënkuptohet LSI.
Një sinjal tjetër është edhe qasja për dekriminalizimin. Është e pakuptueshme sesi opozita bërtet për dekriminalizimin, por ndalet vetëm tek PS-ja, ndërkohë që vetëm dy muaj më parë akuzonte Ilir Metën për tentativë vrasjeje, apo cilësonte partinë e tij si organizatë kriminale. Po kështu, bie në sy edhe kujdesi i kryeministrit dhe qeverisë. P.sh vizita e zyrtares amerikane, Victoria Nuland nuk u pasqyrua në faqen e kryeministrisë, por as të Ministrisë së Jashtme. Nuland vetë mbajti një konferencë për shtyp, ku bëri të ditur se dekriminalizimi është një pikë e diskutuar me përfaqësuesit shqiptarë, çka u vu në dukje në njoftimin e Presidencës, por edhe të kreut të opozitës. Vështirë të besohet se Edi Rama kompleksohet nga kjo fjalë për shkak të tre kryebashkiakëve të vet, pasi në çdo rast ka alibinë e dëshmive të penalitetit, të cilën ndonjëherë ndoshta e beson edhe vetë. Por nga fakti se dekriminalizimi po i faturohet ekskluzivisht PS-së, po. Dhe që të flasë hapur për aleatin e vet, duket se e ka të pamundur. Të kujtojmë këtu, akuzat publike të Sali Berishës, se ndërkombëtarët i kanë kërkuar kryeministrit arrestimin e Ilir Metës. Dhe në fakt ra në sy se Nuland shmangu takimin me Ilir Metën, me të cilin u takua një vit më parë. Një element tjetër është edhe loja me arrestimet për korrupsion. Në një editorial të vetin dje, gazeta zyrtare e PD-së, bënte pikërisht këtë vëzhgim: selektivitetin në goditjen e korrupsionit. Megjithë interesin për të bërë diversione ndaj dy partive në koalicion, disa çështje me të vërtetë që dalin në dritën e një lufte të brendshme: “Është fakt se prej kohësh shembull po bëhen vetëm hajdutët e LSI. Hajdutët e PS që gëzojnë imunitet nga lufta ndaj korrupsionit dhe krimit dhe janë të paprekshëm...Po përse Rama po kërkon të lajë duart si Ponc Pilati me Metën? Rama nuk ndjehet i sigurtë në një pushtet, të cilit rrethi i izolimit po i ngushtohet gjithnjë dhe më shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Manipulimi masiv i zgjedhjeve lokale, blerja e votave e dokumentuar në raportin e OSBE/ODIHR, reagimet mjaft të ashpra të Shteteve të Bashkuara për të inkriminuarit në politikë, shkulja e veshit nga Merkel dhe më pas edhe nga kreu i PE-së, Shulz e kanë bindur Ramën se nuk e ka të gjatë. Ndaj ai është vënë në kërkim të një “koke turku” që ta servirë në tepsinë e kompromisit për të shpëtuar pjesën e vet të pushtetit dhe hallka më e dobët e këtij zinxhiri është Meta. Pas shtatorit priten të nisin histori të reja. Ëndrra e Ramës ka qenë burgosja e Metës dhe gurët e shahut politikë nuk i japin shumë alternativa kreut të LSI”, shkruhet në editorial. Në këtë dritë shikohet edhe takimi mes Gramoz Ruçit dhe Tom Doshit, duke nxitur kështu idenë se Edi Rama po vepron sikur të ketë vetëm një perspektivë: eliminimin politik të Ilir Metës. Kjo është ofertë publike, përderisa kryeministri nuk ka gjunjë që të realizojë vetë këtë operacion, por i duhet edhe një partner. A nuk është thënë që lufta ndaj korrupsionit është luftë e përbashkët?
PD-ja paralajmëroi dje nisjen e protestave duke dhënë kështu një premisë për tensionimin e situatës. Ajo çfarë ndoshta pritet pas shtatorit e që përmendet nga “RD” është vetëm hapja e ndonjë çështjeje të bujshme korrupsioni, çka do të diktonte ndarjen apo goditjen që do ta kthente LSI-në në barrë.
Spekullime ose jo, e vërteta është se raporti PS-LSI po lexohet përherë e më shumë si artificial. Madje edhe raporti mes kryemimistrit dhe Ilir Metës. Në këto kushte këtij të fundit do t’i duhej një kartë e fortë që të izolojë çdo iniciativë. Me Sali Berishën zbuloi se kishte një video të të birit, e tillë që e detyroi Berishën ta mbajë afër deri në fund, apo të thotë se “më hodhi hi syve për 700 mijë eurot”. Mirëpo a mundet që videoteka e tij të shantazhojë të gjithë klasën politike? Kjo mbetet për t’u parë, por trajtimi në kohë i dukurisë politike që përfaqëson LSI do të shërbente të paktën për t’i dhënë një liri relative politikës që të mos flasë me gjysmë të vërteta. Sikurse është e vërtetë se përpjekja për të ngarkuar Ilir Metën me çdo mëkat, është në thelb një lojë që nëse del me sukses, do ta kthente Shqipërinë në kushtet e vitit 2001. Në fund të fundit, në tavë janë të gjithë.
l.xh

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.