Kujt i duhet besuar për eksportet: Kryeministrit, ministrit të Ekonomisë apo INSTAT-it?

Postuar në 04 Korrik, 2015 19:16

“Eksportet në pesë muajt e parë të këtij viti kanë shënuar një rritje prej 11.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, ka pohuar kryeministri Edi Rama, gjatë inagurimit të djeshëm të punimeve të gazsjellësit TAP. Një deklaratë kjo që ka shkaktuar ilaritet tek mediat e pranishme, të cilat ishin njohur tashmë me shifrat e eksportit të 5 mujorit, ndryshe nga pohimi i njëjtë i ministrit të ekonomisë Arben Ahmetaj në fillim të qershorit, kur shifrat zyrtare nuk ishin publikuar ende. “Eksportet, të krahasuara me një vit më parë, për të njëjtën periudhë 5-mujore, janë rritur 11.9%, me një kërcim që konfirmon Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare në futjen e një cikli-6 vjeçar, spektakolar ekonomik, e vlerësuar, e konfirmuar me shifra” ka pohuar ministri para deputetëve në Kuvend në 11 qershor. http://ëëë.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/mbi-106-mije-vende-te-reja-pune-suksesi-i-reformave-ne-ekonomi
Shifrat zytare japin një tendencë tërësisht të kundërt. Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme, botuar në 30 qershor, për periudhën janar-maj, totali i eksporteve arriti në 103.2 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 4.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që me rënie të lehtë kanë vijuar të kenë dhe “tekstilet e këpucët”, “prodhime druri dhe letre” dhe “lëkurë e artikujt prej tyre”. Tre grupet e vetme që po vijojnë të mbahen janë ” material ndërtimi dhe metale” dhe “makineri dhe pjesë këmbimi” dhe “ushqime, pije e duhan”. Edhe të dhënat e pesëmujorit, publikuar nga INSTAT flasin për vazhdimin e rënies së eksporteve, larg rritjes spektakolare të pretenduar nga institucionet qeveritare. Edhe maji vijoi me tendencën rënëse, me eksportet që u tkurrën me 4.8%.
Pas deklaratës së fundit të kryeministrit, nuk po dimë kur t’I besojmë, kryeministrit të vendit, ministrit që është përgjegjës për politikat ekonomike, apo INSTAT, institucionit që publikon shifrat zyrtare.
“Problemi i vetëm që unë dhe njerëz si unë kanë me shifrat zyrtare mbi zhvillimet ekonomike është se ende besojmë te aksioma: ‘të dhënat e pasakta cojnë në vendim marrje të gabuara’… Kuptohet nëse vërtet flitet për vendim-marrje të mbështetur në shifra, analizë e të dhënave, analizë e prirjeve, faktorëve dhe shkaqeve që krijojnë situata të caktuara në ekonomi”, ka pohuar në faqen e vet në facebook analisti i ekonomisë Zef Preçi, pas publikimit të të dhënave të INSTAT në 30 qershor.
“Keynes ka thënë: Ashtu si analizat e ndryshme dhe kontrollet janë të nevojshme për doktorët për të dhënë recetën për shërimin e pacientit ashtu dhe të dhënat statistikore të sakta janë jetikë për ekonomistin për të dhënë zgjidhjet e nevojshme për ekonominë”, thotë në të njëjtin debat në facebook, Klodian Muça, phd në ekonomi.
Në fakt, kjo vetëkënaqësi për rritjen e eksporteve mund të largojë vëmendjen nga problemet kryesore që po kalon ai sot:
-Së pari, ndërsa rënia e grupit “lëndë djegëse, minerale dhe energji”, është në pjesën më të madhe e varur nga konjuktura e pafavorshme ndërkomëbtare dhe prodhimi i energjisë në vend, shqetësuese është performanca e dobët e “tekstile dhe këpucë”, aktualisht grupi më i madh i eksporteve në vend me 35% të totalit dhe një nga punëdhënësit më të mëdhej në vend, me 40 mijë të punësuar direkt, por vlerësohet që numri mund të jetë shumë më i lartë. Përkundrejt vëmendjes dhe premtimeve që mori në fillim nga qeveria, ky sector po vuan aktualisht rritjen e kostove si rrjedhojë e çmimit të energjisë, tatim fitimit dhe dividendit, që po e bëjnë atë jo konkurruese në rajon, duke humbur klientë, teksa pak kompani, kryesisht të mëdha, kanë ecur në drejtim të mbylljes së ciklit.
-Së dyti, eksportet shqiptare janë të mbështetura në industrinë që punon me material porositësi dhe në shitjen e lëndës së parë jashtë vendit, të dyja me pak vlerë të shtuar dhe pak është bërë vitet e fundit për të nxitur rritjen e qëndrueshme të eksporteve, përmes promovimit të industrisë përpunuese, mbylljes së ciklit të fasonit etj. Edhe rritja e fundit e grupit të makinerive e pajisjeve ka lidhje pikërisht me sektorin që punon me material porositësi.
Shqipëria ka një ndër nivelet më të ulëta në Europë të eksporteve ndaj prodhimit të brendshëm bruto (në rreth 30%, ndërkohë që Maqedonia për krahasim e ka 48%, Mali i Zi 41% dhe Serbia 44%) dhe nivelit më të lartë të deficitit të llogarisë korente (në rreth 13-14%), me këtë të fundit që është vënë në qendër të institucioneve ndërkombëtare, që kanë tërhequr vëmendjen. “Deficiti i llogarisë korrente është strukturalisht i lartë dhe ka gjasa të zgjerohet më tej, thekson Komisioni Europian në pjesën e parë të programit të reformave ekonomike për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate në Bashkimin Europian. Një rënie e mëtejshme e prodhimit ka gjasa të ngushtojë bazën e eksporteve, duke zgjeruar deficitin tregtar i cili tradicionalisht ka qenë në nivele të larta, rreth 20% e PBB”, sipas raportit.
Ndaj, përtej vetëkënaqjes me shifra, është imediate të merren masa për nxitjen e eksporteve që krijojnë vlerë të shtuar, që do të ishin bazë për një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen…

"Monitor"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.