Ish-ambasadori gjerman në Tiranë flet për ngjarjet e ambasadave në 2 korrik '90: Të parët hyn te “grekja”, pastaj te “italiania”. Unë hapa dyert edhe pse një kamion rrëzoi murrin me forcë

Postuar në 30 Qershor, 2015 23:41

Në intervistë me DW Prof. Dr. Werner Daum, ish-ambasadori ad interim i Gjermanisë në Shqipëri (1987-1990), flet për hapjen e ambasadës më 2 korrik 1990, periudhën e ndryshimit dhe raportin e veçantë me Shqipërinë. Në kujtimet e tij Daum thotë: “Refugjatët e parë hynë në ambasadën greke, ata ishin shqiptarë të etnisë greke, që flisnin greqisht, nja njëzet të rinj, që shpresonin se në këtë mënyrë do të iknin nga vendi për të gjetur një të ardhme jashtë Shqipërisë. Të tjerë të rinj, që falë historisë, por edhe falë afërsisë me radion e televizionin italian, dinin italisht, hynë në ambasadën italiane. Në ambasadën gjermane askush. Ato, që kishin kërkuar ndërkohë strehim në ambasada, shpresonin se do të mund të dilnin nga Shqipëria, por kjo objektivisht nuk ishte shumë e sigurt. Kishte raste precedente, të cilat e venisnin shpresën. Pastaj mendova, këto njerëz që duan të ikin nga burgu Shqipëri, që duan të ikin nga dhunimi jo vetëm i lirisë, por edhe i fesë, shkojnë te grekët dhe italianët, dhe as nuk u shkon ndër mend të vijnë te gjermanët. Dhe thashë me vete, unë dëshiroj që edhe te ne të strehohen njerëz, disi kemi për t'ia bërë, dhe nëse do të ketë sukses me një numër të konsiderueshëm, kjo do ta destabilizojë edhe regjimin. Pas këtij vendimi i hapa portat e ambasadës, dhe pasdite vonë i ndeza të gjitha dritat, që kishte në ndërtesën e ambasadës dhe në oborr. Dhe me të vërtetë nga ai çast erdhën fillimisht disa, pastaj më shumë, dhe në fund u bënë 1399 vetë gjithsej, që u strehuan në ambasadën tonë”.

Pyetjes se përse disa të rinj kanë hyrë me kamion në oborrin e ambasadës, duke rrëzuar murin rrethues, kur porta ishte e hapur, Daum i përgjigjet: “Historia me kamionin ka qenë disa ditë më vonë, nuk mund ta them me saktësi se kur, katër apo pesë ditë më vonë, sepse natyrisht situata çdo ditë ndryshonte, madje çdo orë. Kishte vazhdimisht momente, kur shfaqej sigurimi, rrethonte territorin e ambasadës për të penguar që të tjerë njerëz të hynin në ambasadë dhe gjatë një momenti të tillë, tri katër ditë pas fillimit, erdhi kamioni, rrëzoi murin dhe ato, që ndodheshin brenda në kamion, kërcyen në tokë dhe ishin në ambasadë”.

 

http://www.dw.com/sq/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-syt%C3%AB-e-diplomatit-gjerman-werner-daum/a-18550150

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.