Guvernatori Gent Sejko thotë se sistemi bankar shqiptar është i imunizuar nga kriza greke: Kthimet e emigrantëve do shoqërohen me fluks kapital

Postuar në 29 Qershor, 2015 00:44

“Shqipëria dhe bankat në vendin tonë nuk janë të rrezikuara nga një faliment i Greqisë”. Kështu deklaron guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për “Top Channel”. Ai thotë se mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, por këto fenomene kanë ekzistuar edhe më parë. “Ndikimet janë dhënë këto 5 vite dhe ndikimi kryesor është në aktivitetin e import-eksporteve dhe në rënien e mëtejshme të remitancave që do të ishte e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë. Dua të theksoj që sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikëqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend. Bankat shqiptare me kapital grek janë filiale, nuk janë degë të bankave greke. Kemi marrë masa që nga pikëpamja ligjore dhe organizimi i tyre, të kenë një pavarësi nga bankat greke. Bankat shqiptare me kapital grek në Shqipëri janë me tepricë likuiditeti dhe me tepricë kapitali. Pra, janë të mirëkapitalizuara. Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren. Është rreth 17%, kundrejt 12% që ne e kemi si kërkesë rregullatore. Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100% depozita të shqiptarëve. Duhet theksuar se një situatë mosbesimi nga ana e depozituesve është e pranishme, por ne kemi marrë masa që të jemi me tepricë likuiditeti dhe nuk parashikojmë asnjë problematikë. Mund të ketë dhe zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Kemi vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, për “Top Channel”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.