2 korriku i ambasadave dhe historia familjare e Xhuljanës

Postuar në 01 Korrik, 2015 14:45

nga Leonard Veizi

 

Epilogu dukej thuajse i trishtë. Në mesnatën mes 12 dhe 13 korrikut 1990, një kolonë ku numëroheshin të paktën 50 autobusë, mbushur me shqiptarë të cilësuar “refugjatë”, udhëtonin si në një kortezh të përmortshëm nga rruga e ambasadave në Tiranë drejt Portit të Durrësit. Dihej shumë pak për itinerarin e udhëtimit, veç ishte thënë se në terminal ishin ankoruar tragetet që do t’i “degdisnin” përtej detit. Të gjithë i kishte mbërthyer ankthi, se edhe pse me pasaporta ndërkombëtare në duar, njerëzit e Sigurimit të Shtetit mund t’i çonin të gjithë pa përjashtim në “thertore”, ata, njerëzit që u rebeluan kundër sistemit. Të tjerë, familjarë e të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës. Çfarë do të bëhej me “të ikurit”. Papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit,  jo nga Kombinati, por nga Lapraka. E me gjithë këtë devijim, trotuaret e krahut të kundërt ishin mbushur gjithashtu plot me familjarë të të ikurve, por dhe të tjerë që do donin të kishin ikur por s’ia kishin dalë dot. Përshëndetje të mekura dhe lutje. Nuk dihej fati i tyre. Ndërkombëtarët ishin aty, por... gjithçka mund të ndodhte. Shqipëria vazhdonte të ishte nën diktaturë. Një ndalesë e shkurtër në Shijak u prit me protestë. Udhëtimi duhet të vazhdonte. Ndërsa në Portin e Durrësit ndodhi habia. Ata që do të linin Atdheun, të çliruar nga makthi, hiqnin bluzat, orët, unazat e çmuara dhe i hidhnin në rrugë me ndonjë mbishkrim të thjeshtë: “Nënës sime si kujtim” apo  “Për vëllanë tim”, duke shkruar gjithsesi dhe ndonjë adresë mbi to. Të tjerët, lekët që u ndodheshin nëpër xhepa ua dhanë plot bujari shoferëve të autobusëve. Kjo ishte ndarja...

 

...Çdo ditë e vitit 1990 kishte nga një lajm të ri. Shqiptarët nuk ishin më aq të izoluar sa pesë vjet më parë, atëherë kur Enver Hoxha kishte lënë trashëgim pushtetin. Madje, mund të guxonin dhe të ngrinin krye ndaj një sistemi diktatorial që deri në atë kohë vetë u kishte shtypur kokën mes masave të rrepta: dënimeve, internimeve dhe ekzekutimeve të pashembullta. Por mesa dukej gjithçka kishte ndryshuar. Muri i Berlinit kishte rënë. Në Rumani, kryengritësit kishin ekzekutuar udhëheqësin komunist Nikolai Çausheskun. Kurse në Shqipëri, proceset demokratike ishin ende të vonuara. Megjithatë hapat e para ishin bërë. Dyert e ambasadave u shpërthyen dhe pas kësaj të paktën 5000 shqiptarë morën një tjetër status.

 

Tentativat e para

Në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar ditë më parë, jo në 2 korrik, por që më 20 qershor 1990. Atë ditë, një autobus fizarmonikë “Shkodra” me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi si rastësisht pranë ambasadës greke. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, dy persona kapërcyen murin rrethues. Më 23 qershor, Skoda tip “Liaz” e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane. Ndërsa pasditen e të nesërmes një tjetër “Skoda” e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Më 1 Korrik, mbas ceremonisë së një dasme, 9-të vetë u hodhën nga muri i kësaj familje në territorin e Ambasadës Turke. Nga data 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja. Bënë përjashtim vetëm  ambasada kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan “rebelët”. Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. 2 ditë më pas u dha një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t'u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t’u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: “Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit”.

 

Historia e Xhuljanës

Xhuljana Derani, kapërceu hekurat e Ambasadës Gjermane kur ishte vetëm 17 vjeç. Nga ajo ditë kanë kaluar plot 25 vjet. Në një intervistë që kam bërë me të disa vite më parë, ajo më tregoi se për shans familja e tyre jetonte në një apartament pranë Ambasadës Gjermane. Ajo kujtonte se babai i saj, Parid Derani, një ish i përndjekur nga regjimi komunist dhe i cilësuar si “Mandela i Shqipërisë” për shkak të dënimit 26-vjeçar në burgje, kur hyri në shtëpi iu drejtua gruas dhe dy vajzave: “S’kemi më se çfarë të humbim, ne të vdekur e të vdekur jemi në Shqipëri, ndaj të provojmë të futemi në Ambasadën Gjermane për një jetë më të mirë”. Në atë kohë Xhuljana ishte vetëm një adoleshente. Nga bagazhet e saj në shtëpi mori vetëm fotografitë dhe rrobat e trupit. Asgjë tjetër...

 

Terrori i urisë

Për peripecitë e ditëve kur ata hynë në territorin e “gjermanes”, në kujtimet e saj që tashmë duken të largëta, Xhuljana thotë se jeta brenda kangjellave të ambasadës ishte shumë e vështirë. “S’kishim asnjë mjet të zakonshëm jetese, kushte banjoje, higjiene dhe ushqimi ishte i pakët. Njerëzit filluan të sëmuren, u binte të fikët nga vapa e madhe. Nëna dhe ne dy motrat ndihmonim kryesisht gratë e moshuara dhe gratë me fëmijë të vegjël, në mënyrë që të përballonin situatën e rëndë brenda mureve të ambasadës. Për arsye se ishin shumë veta, personeli i Ambasadës Gjermane na hidhnin bukën në ajër dhe ne ziheshim me njëri-tjetrit se kush ta kapte atë. Dalëngadalë njerëzit filluan të ndërgjegjësoheshin dhe të ndanin ushqimet në rregull ndaj njëri- tjetrit. Policia dhe sigurimi komunist i bënin thirrje njerëzve që ishin brenda në ambasada që të dilni, duke u sjellë dhe familjarët e tyre me qëllim që ata të tuteshin e të dilnin nga territori. Motivi ishte se, gjoja Partia do t’i falte ata. Por sa më tepër ditë kalonin aq më i lartë bëhej morali dhe besimi i të ngujuarve në ambasada se do të shkonin në Gjermani”, thotë Xhuljana në kujtimet e saj. Por duket se vizita e të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peres De Kuelar, ndihmoi në shpërnguljen e emigrantëve drejt Perëndimit.

 

Ditë Kampionati

Ishin ditët e Kampionatit Botëror: “Itali 1990”. Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në një kryeqytet sportdashës si Tirana, u përcoll me një interes të vakët. Zërat e njerëzve ishin mekur nga zhvillimet e fundit. Shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Kur gjermanët shënuan gol, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi. Por pikërisht që nga ambasada gjermane, papritur oshtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin “Gjermani, Gjermani”.  Pikërisht atëherë njerëzit që banonin në qendër apo te “Rruga e Kavajës” dolën jashtë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollit, dëgjonin oshtimat e të ngujuarve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë. Nëse Italia do të ishte në finale, ata gjithashtu do të ishin të gjithë me Italinë. Dhe po kështu me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë e Bullgarinë, në ambasadën e të cilës gjithashtu kishte shqiptarë që kishin kërkuar strehim.

 

Heronj në Brindisi

Në rrëfimin e saj të mëpasëm Xhuljana Derani ka vazhduar: “Atë natë që ikëm me autobusë rreth orës 23:00 unë me motrën dhe nënën duke parë shtëpinë për herë të fundit qanim me lot se po linim gjithçka në Shqipëri. Babai ynë na thoshte një shprehje italiane “Chi spera egli vive” apo “Kush shpreson ai jeton”. Dhe kjo shprehje profetike italiane ishte e vërtetë. Kur hipëm në traget, ne na ndanë sipas vendeve ku do të iknim. Mjaft gazetarë të huaj të mediave prestigjioze të botës si BBC, CCN, DW, RAI etj., e mbytën me intervista Parid Deranin. Ai u tregonte atyre për krimet e komunizmit dhe cilat ishin arsyet e vërteta politike dhe ekonomike që e detyruan me mijëra shqiptarë të linin atdheun e tyre dhe të shpërngulen në vendet perëndimore. Është e papërshkrueshme, por kur mbërritëm në portin e Brindisit na pritën me ovacione dhe brohoritje me mijëra njerëz. Shumë prej nesh puthnin tokën italiane dhe qanin me lot duke bërtitur: Jemi të lirë, jemi të lirë. Aty e kuptova se liria është gjëja më e shtrenjtë pas jetës dhe shëndetit”.

 

Eksodi në vazhdim...

Ky ishte vetëm fillimi. Tronditja e fortë e shtetit shqiptar, që përjetoi më shumë se 45 vite regjimin totalitar ishte padyshim eksodi i parë përmes ambasadave. Por shumë më i madh eksodi do të vijonte në muajt pasardhës, në mars dhe gusht 1991. Shqiptarët u turrën të etur mbi bordet e anijeve. Dhe ikën...

 

 

Leonard Veizi

 

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.