“Jam penduar që kam vrarë; kam bërë dhe burg për këtë; por mbetem në gjak”

Postuar në 27 Gusht, 2012 11:39

Ka vrarë dikë kur ka qenë i ri, 18 vjeç. Dhe prej asaj kohe, për plot 22 vjet, nuk guxon të shkelë në shtëpinë e vet. Ka ndërruar vendbanim. Është në një qytet të largët, në periferi të vendit. Dhe nuk del prej shtëpie. Është martuar ndërkohë. Ka qenë i ngujuar, por ka gjetur shoqen e jetës. Kush ëhstë ky? Ku banon? Si quhet e shoqja? Nuk thuhet asgjë, nuk jepet asnjë info e tillë në shkrimin e Adelajda Xhamanit, në Panorama. Ndryshe, ai, dhe familja, do të rrezikohej.

Por një intervistë e ka dhënë; tok me të shoqen. Është shumë interesante:

Si ndodhi ngjarja?

Isha i ri, në shkollë. Pata një ngatërresë me një djalë aty, e ramë në gjak. Nuk desha ta vrisja, se për mua ishte sikur të kisha vrarë një njeriun tim, vëllain tim, por mosha ishte e re. E godita vetëm një herë me thikë e më mbeti në dorë. U dorëzova në polici. Kam bërë rreth shtatë vjet burg. (Na tregon tatuazhin që kishte bërë në burg ditët e para. Aty kishte shënuar ditën dhe vitin që ia ndryshuan përgjithmonë jetën).

Që prej daljes nga burgu je i ngujuar?

Po. Kur dola nga burgu nuk u ktheva në shtëpinë time, po bashkë me nënën u transferuam në shtëpi me qera. Kam qenë 18 vjeç, tani jam 40. Edhe kur vdiq gjyshja, edhe kur vdiq babai nuk shkova t'i shoh. Në shtëpinë time të lindjes, nuk jam kthyer më kurrë qysh prej ditës që ndodhi vrasja.

Nuk ke dalë fare nga shtëpia?

Jo, nuk mund të dal se më vrasin. Del nëna që kujdeset për mua dhe me pensionin e saj jetojmë.

I ke kërkuar falje familjes së viktimës?

Po, i kemi dërguar disa herë ndërmjetës, po nuk kemi marrë falje. Sipas ndërmjetësve një pjesë e familjarëve edhe mund të bien dakord, por nëna e djalit nuk ka pranuar të falë. Pas kësaj ngjarjeje i ati i viktimës pësoi infarkt kur mori vesh se i kishin vrarë të birin. Edhe nëna e tij ka vdekur, e sipas atyre që na kanë thënë ndërmjetësit, ajo ka lënë amanet që gjaku të mos falet.

Si i kalon ditët i mbyllur në shtëpi?

Gjithë ditën brenda, me nënën, me nusen. Shoh televizor, rri.( mezi përmban lotët).

Para sa kohësh jeni martuar? Keni bërë dasmë?

Akoma s'kemi mbushur vitin. Jo, dasmë nuk kemi bërë. Unë nuk mund të dal nga dera e kësaj shtëpie.

Si e ke njohur nusen?

Një i afërm i yni është bërë sebep për këtë martesë. Jam martuar me shkuesi. I kemi treguar më parë se kush jam unë dhe çfarë familje kam. Ia kemi thënë që jemi në gjak dhe ata ranë dakord. Nusen e mora se nëna është grua plakë dhe kur të mos jetë ajo, unë do kem nevojë për një njeri që të kujdeset për mua e për shtëpinë. Fëmijë nuk mund të bëjmë se kemi frikë.

Nusja lëviz nga shtëpia?

Shumë rrallë dhe gjithmonë e shoqëruar.

Po sipas kanunit femrat nuk preken, apo jo?

Është e vërtetë që femrat nuk preken, por rreziku është gjithsesi.

Ke shokë?

Nuk kam. Edhe sikur të kisha, secili ka jetën e vet e s'ka njeri kohë të vijë të rrijë këtu me mua. Pastaj nuk mund të mbaj shokë se s'kam besim. Në situatën time nuk mund t'i besosh askujt përveç familjes.

Mendon se një ditë do të të falin?

Shpresoj. Nuk e di a do më falin apo, po them ishalla. Unë nuk kam dashur ta vras e jam penduar që në atë moment që ka ndodhur. E di se dhe për ata nuk është e lehtë, e kuptoj po s'kam çfarë të bëj. Koha nuk kthehet më pas.

Intervista me të shoqen

Si po shkon martesa? Jeni të lumtur?

Ne shkojmë mirë me njëri-tjetrin, po të rrish mbyllur brenda katër mureve nuk është e lehtë. Është një hall i madh që nuk të lë të jetosh si duhet.

Ti e dije që yt shoq ishte i ngujuar. Pse pranove?

Pranova se është njeri i mirë. Ai ma ka treguar historinë se si ka ndodhur dhe unë e di që nuk ka dashur ta vriste, por fatkeqësisht ndodhi.

E ke të vështirë që nuk mund të lëvizësh lirshëm? Ke frikë?

Unë lëviz rrallë për të shkuar tek njerëzit e mi, por gjithmonë e shoqëruar. Frika është po duhet të mësohesh se nuk ke ça bën.

Ku jeton familja jote? Ju ndihmojnë ata ekonomikisht?

Unë jam rritur në fshat dhe atje jeton familja ime. Jemi dy motra e pesë vëllezër. Ata na ndihmojnë me prodhimet e fshatit, na sjellin bulmetin e gjëra të tjera se vetëm me pensionin e nënës nuk dilet. Po sado që ata na ndihmojnë jetesa është shumë e vështirë kur asnjëri nga familja nuk punon.

Si shkon me vjehrrën dhe me burrin?

Shkoj mirë. Janë njerëz të mirë e hallexhi. Me mua sillen shumë mirë po me hallin që na ka zënë nuk jetojmë dot si gjithë të tjerët.

Mërzitesh që nuk ke mundësi të dalësh qoftë edhe për një shëtitje me bashkëshortin tënd?

Sigurisht që mërzitem po s'kemi ç'të bëjmë, këto janë kushtet. Ankthi me të cilin jetojmë është i tmerrshëm. Unë jam dobësuar shumë vetëm nga ky hall, se nuk kam qenë kështu. Kam qenë më e shëndoshë e dukesha më mirë.

Dëshiron të kesh një fëmijë?

E dëshiroj shumë po nuk mund ta kem. Të gjithë më pyesin se pse nuk bëjmë fëmijë, po ne kemi vendosur që është më mirë kështu. Edhe nëse e bëjmë një fëmijë, ai nuk do dalë kurrë nga shtëpia, nuk do e çoj dot në shkollë si gjithë të shokët, kështu që më mirë të mos e kemi fare.

Comments

Submitted by anon (not verified) on

Per ke bien keto kembana tr ndryshkura ?! A ka kush veshe atje lart ?! Dridherimat nga leximi do na kalojne shpejt, qofte dhe me nje paracetamol, po ethet e kombit 'europian' kush do i sheroje drejt te nesermes se gjymtuar ?!...U bini kambanave e tupanave dite e nate,deri sa t'u plase koka atyre lart !

Submitted by Anonim (not verified) on

Gjaku lahet me gjak! Te vritet me plumb ballit siç e do kanuni.

Submitted by Gjon (not verified) on

Anonim,

mjaft me keto evokime te kanunit per cdo gje.  Gjaku nuk lahet me gjak pasi keshtu hyhet ne nje spirale te pafund vrasjesh pa asnje fitimtare midis paleve. Vetem ligji i shtetit mund te vere ne vend drejtesine e te ndeshkoje fajtoret.

Submitted by Anonim (not verified) on

Ligj shteti ka, por nuk i zbaton. Ky zotnia paska vrare nje adoleshent per motive banale, qe paska qene shkaku i infartit te babait te viktimes dhe nena ka lene amanet qe mos falet gjaku. Dorasi ka bere vetem 7 vjet burg dhe tani eshte i lire, e i martuar, 40 vjeç, ndersa viktima(t) dergjen nen dhé. Me duket tejet e padrejte!

Gjaku lahet veç me gjak!

Submitted by Gjon (not verified) on

po ja anonim, e mori hakun, e pastaj, do te presi i ngujuar  derisa tjeterkush te qelloje mbi te, kjo eshte zgjidhja?

Per fat te keq artikulli eshte i cunguar,  ne artikullin e plote flitet se pikerisht nje grup misionaresh po perpiqet qe te pajtoje gjaksit mes tyre dhe disa rezultate pozitive qe kane arritur ndezin  nje rreze shprese.

Submitted by Dritani (not verified) on

Nuk cuditem aspak qe mund te kete te tille tipa si ky i shkrimit, sepse ka dhe te tjere qe i mbajne iso me komentet e tyre te felliqura. Ne fatkeqesisht jemi nje komb me shume probleme ku nje nga me te rendesishmit eshte dhe kjo semundje e ndyre e gjakmarjes, eshte nje ligji pervers i pashkruar qe do te bente cdo njeri me sadopak civilizim te qeshte dhe te qante njekohesisht. Dhe ajo cka te ben te ulerish per kete plage eshte qe dhe qeveria dhe drejtesia e kane pranuar kete ligj pervers te denje per nje popull taleban. Ironia vazhdon me dekorin e maskarenjeve qe i bejne elozhe kanunit, keta njerez me psikologjine e tyre te urrejtjes jane nje kancer per cdo shoqeri te civilizuar.

Submitted by Anonim (not verified) on

Pse me 7 vjet burg do ja hedhe ky? Po jo or trim, prandaj duhet zbatur kanuni ne kte rast! Apo nuk lexove edhe se si kishte vdekur babai i viktimes nga infrakti nga lajmi i vdekjes te se birit? Mendo çfare jete ka kaluar e ema, nderkohe qe ky zotnia eshte martuar e bere burre.

Gjakun ta lajne me gjak, mu ne lule te ballit!

Submitted by Afrimi (not verified) on

Po avash o ANONIM se eshte kollaj te flasesh maje plepit. Ne rradhe te pare ne nuk e dime pse e ka vrare ky ate bashkemoshatarin tjeter. ndoshta i ka ra ne qafe tjetri e ky s'ka pase ca me ba. Ne ato vite aq e kane pare te rruges ta denojne. Per fat ne ate kohe akoma korrupsioni s'kishte arritur ne kete gjendje qe eshte tani.

Une e shof riaktivizimin e gjakmarrjes (edhe pse une them qe nuk po kryhet gjakmarrje por hakmarrje ne shumicen e rasteve dhe sipas meje ka ndryshim te madh mes ketyre te dyjave) mungese te shtetit te se drejtes, sepse ta vret vellane tjetri dhe del per 1 vit nga burgu (paguan taksen qe i kerkohet), kjo nuk durohet pastaj dhe merret drejtesia vete ne duar.

Nje ligj i forte dhe zbatim rigoroz i tij do te reduktonte/shuante relativisht shume shpejt (sic edhe ka ndodhur ne komunizem) fenomenin e vetgjyqesise/gjakmarrjes.

PRrofte rikthimi i denimit me vdekje!!!!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.