Shkolla e Enverit

Postuar në 24 Mars, 2013 07:50
Imer Mushkolaj

Vlerësimi për “rock’un kriminal” është vetëm një pikë uji në detin e pafund të injorancës akademike në Kosovë. Model i Shkollës së Enverit

 

Bajram Shatrit e Erlehta Matos mund të mos iu pëlqejë muzika rock, por kjo nuk ua jep të drejtën që të të njëjtën ta klasifikojnë si kriminale në tekstin shkollor nga i cili mësojnë nxënësit kosovarë.

U deshën tetë vjet që më në fund të dalë në shesh “gabimi teknik”, siç u kualifikua nga Shatri. Për gjithë këto vjet nuk doli profesor, prind, nxënës a zyrtar ministrie që të vërejë maskarallëkun. Për më tepër, vetë Shatri pranoi se nuk e kishte lexuar atë pjesë, gjë që të bën të dyshosh se ai, thjesht, e ka vënë emrin në një tekst të servuar nga kolegia e Tiranës.

Më shumë se shfryrjen e mllefit nga rockerët dhe rockdashësit, skandali i “rockut kriminal” nxjerr në shesh probleme të tjera shumë më të mëdha. Athua sa e sa të tilla “gabime teknike” zënë vend në tekstet shkollore, çfarë përmbajtje edukative iu servohet nxënësve, kush janë ata tipa recensentësh e redaktorësh të cilët japin nënshkrimet që libra të tillë të publikohen, kush janë ata tipa zyrtarësh ministrie që, gjithashtu, me lehtësi të padurueshme japin dritën e gjelbër dhe kush janë ata profesorë që nuk dinë ose nuk duan të reagojnë në të tilla raste. Pra, debati rreth një pasusi të vetëm në një tekst libri është vetëm maja e ajsbergut, në kohën kur mungojnë debatet e domosdoshme për çështje të ndryshme të rëndësishme të shoqërisë.

Më skandaloze sesa vetë përmbajtja e pasusit që fliste për kriminalizimin e rock’ut ishin arsyetimet e autorëve të librit - njëri tha se kishim të bënim me një gabim teknik dhe se në vend të fjalës “kriminale” do të duhej të ishte “komerciale”, kurse tjetri se teksti qenka keqinterpretuar. Arsyetime fëmijërore që ta fyejnë inteligjencën dhe nuk iu beson askush, ashtu siç askënd nuk e bind reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe premtimi se ajo pjesë teksti do të hiqet nga libri, thua se me këtë veprim përmirësohet gabimi.

Në këtë rast kemi problem me konceptin e aurorëve ndaj asaj që kanë shkruar, e jo me gabime teknike a logjike. Kemi problem me qasjen e dikujt që shkruan libra, e që në shekullin XXI merr guximin të trajtojë diçka në mënyrën siç është trajtuar shekullin e kaluar. Kemi problem me qasjen e Ministrisë së Arsimit, e cila mjaftohet me një reagim të thatë e kurrfare, në vend që ta inicojë debatin e hapur për problemet e mëdha me të cilat përballet sistemi arsimor në vend.

Nuk ma heq kush nga mendja se pasusi i shumëdiskutueshëm nuk është gjë tjetër veçse copy-paste i ndonjë pasusi nga librat e kohës së Enver Hoxhës, kur rock muzika konsiderohej e rrezikshme, dekadente. Ashtu si nuk mund ta kuptoj se si dikush mund ta vendos emrin si bashkautor në një libër, e të mos e ketë idenë se çfarë ka shkruar tjetri. Siç nuk më hyn në kokë se si ka mundësi që profesorët të shpjegojnë atë njësi mësimore pa pikë problem dhe nuk kërkojnë zgjidhje alternative, në kohën kur mundësitë janë më të mëdha se kurrë.

* * *

Libri i Edukatës Qytetare për klasën e dhjetë është botuar në vitin 2004, në kohën kur Ministria e Arsimit udhëhiqej nga Rexhep Osmani. Por, për mua pak çon peshë se kush ka qenë ministër atëherë ose pas tij.

Problemi nuk është te personat, por te sistemi - te një sistem vlerash të dyshimta, të paqëndrueshme, vlerash të përmbysura. Te sistemi që nuk njeh debatin si mënyrën më demokratike të sjelljes së vendimeve, te sistemi i cili lejon që fëmijët të edukohen me urrejtje, dezinformata e rrena.

Problemi qëndron te ndjenja e inferioritetit e provuar te shumë autorë tekstesh nga Kosova, karshi kolegëve të tyre nga Tirana. Siç është edhe rasti i Abetares unike, të shumëreklamuar, e në të cilën kontributi i autorëve kosovarë është i papërfillshëm, për të mos thënë se mungon fare. Siç mund të jetë rasti edhe me librin Edukata Qytetare. Sepse, ekziston bindja se gjithçka që vjen nga andej është në rregull, pavarësisht se mund të jetë huqje e madhe.

Është e dhimbshme që në vend se për arritje shkencore, në Kosovë diskutohet për përmbajtje skandaloze tekstesh mësimore, për diploma e tituj shkencorë të falur a të blerë, për injorancë akademike e akademikë injorantë, për ndryshim historie me dekrete politike e për politikë arsimi me protagonistë politikanët, e jo shkencëtarë e akademikë të mirëfilltë.

Është e dhimbshme që në vend se të shkojë përpara dhe t’i ndjek trendet bashkëkohore, shkolla kosovare ushqen modelin e Shkollës së Enverit - modelin e shkollës së mbushur plot klishe, paqartësi, paradokse e injorancë, që funksionon në një sistem thuajse të izoluar, veç në letër demokratik, por jo edhe në praktikë.

Modelin e shkollës ku ligjërojnë plot partizanë partish, shokë drejtorësh e ministrash dhe ish-komandantë, për të cilët deri vonë shkolla ishte gogoli vetë. Modelin e Shkollës Enver. / EXPRESS

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Ha...ha...ha... ! Si eshte puna e ketyre cakejve qe ushqehen me mish te vdekur ! Jane gati te hane edhe kermat e babait te tyre ne rast se kjo do te merret si servilizem nga shefat ! Kjo eshte dhe historia e ketij Mushkut !</p><p>Po pse more gazetar Mushk-ola , kur rroku sihte si shprehje e revoltes ndaj shoqerise kapitaliste ne shekullin e kaluar (XX) , ishte vertet dekadente sepse na i kundervihej &quot;dhimokracise&quot; perendimore , ndersa sot qe eshte kthyer ne vegel te percarjes se kohezionit individual te shoqerise njerezore dhe ndihmon sundimin e &quot;dhimokrateve&quot; eshte bere rryme frymezuese dhe gjeneruese ?</p><p>Rrocku , me qellimin qe lindi , po me ate qellim jeton ! Pra dekadent ka qene dhe dekadent mbetet ! Problemi eshte qe nga &quot;armik&quot; i &quot;dhimokracive&quot; si fillim levizje eshte bere aleat i sundimit dhe kjo na e paska bere te &quot;mire&quot; ?</p><p>Ne rast se propoganda shtypese e &quot;dhimokrateve&quot; miliardere , qe sundojne boten dhe jetet njerezore i trajtone si statistike&nbsp; , i ka mbeshtetur shpresat tek mushkat , duhet te trembet nga shterpesia e tyre !</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.