Rrotacioni dhe rritja ekonomike afatgjatë

Postuar në 19 Qershor, 2013 10:12
Eduard Zaloshnja

Në një shkrim të vjetshëm në respublica.al (http://respublica.al/opinion/2012/6/28/berisha-apo-rama-krye... ), argumentoja se shteti shqiptar, pavarësisht se kush e fiton pushtetin në 23 qershor, do ta ketë të vështirë të bëjë ndërhyrje kundërciklike në ekonomi brenda një horizonti kohor afatmesëm (2-3 vjeçar), sepse do t’i duhet të përballet nga njëra anë me FMN-në, BB-në, OBT-në, BE-në etj., në lidhje me ndërhyrjet fiskale, dhe nga ana tjetër, me shumicën e konsumatorëve shqiptarë dhe kreditorët e huaj, në lidhje me ndërhyrjet monetare. Një alarm rreth rreziqeve afatmesme për ekonominë shqiptare e dha së fundi edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili paralajmëroi se “rreziqet kryesore që kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit lidhen me rritjen ekonomike, pasi një sërë sinjalesh që vijnë nga sektori real dhe ai financiar tregojnë që tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe njëkohësisht ngadalësimi i investimeve të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë si masa mbrojtëse ndaj krizës mund të kthehen në një dëm të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike

Po në një horizont kohor afatgjatë (4-20 vjeçar), çfarë perspektive ka ekonomia shqiptare? Për të hamendësuar se ku mund të shkojmë, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër rrugës që kemi bërë për të mbërritur këtu ku jemi.

Pas trazirave të viteve 1996-98, situata politike e Shqipërisë pati një normalizim relativ – opozita e atëhershme vazhdonte ta quante Kuvendin e Shqipërisë “parlamenti i kallashëve”, por të paktën nuk vazhdonte të sulmonte institucionet me kallashë. Ai normalizim relativ u pasua me zgjedhjen konsensuale të presidentit në vitin 2002 dhe me ndërrimin e parë normal të pushtetit në historinë e shtetit shqiptar në 2005-ën. Dhe jo rastësisht, periudha 1999-2009 ishte dhe dekada e një bumi të paparë ekonomik për Shqipërinë – rritja mesatare e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë asaj dekade ishte mbi 6% në vit.

Ndërtimi dhe sektorët e lidhur me të u bënë lokomotiva e atij bumi ekonomik. Rritja mesatare e PBB-së vetëm në sektorin e ndërtimit ishte tre herë më e lartë se ajo e gjithë ekonomisë – plot 18% në vit! Kjo rritje spektakolare e ndërtimit u financua kryesisht nga valuta e ardhur në Shqipëri prej emigrantëve dhe prej trafiqeve ilegale, valutë e cila u përdor për blerje apartamentesh ose ndërtime shtëpish dhe objektesh private. Ndërkohë, një rol jo të vogël në rritjen e ndërtimit luajti edhe financimi i shtetit për përmirësimin e infrastukturës (rrugë, ujësjellsa, godina publike, etj.), i bazuar kryesisht në huamarrje të jashtme.

Por ne 4 vjetët e fundit, prurjet e valutës nga emigrantët dhe trafiqet ilegale janë pakësuar ndjeshëm, gjë që reflektohet në deficitin e bilancit të pagesave të raportuar nga Banka e Shqipërisë, si dhe në zhvlerësimin e lekut në këto 4 vjet (kursi i këmbimit Euro-Lek ka shkuar nga 1 me 123 në mesin e 2009-ës, në 1 me 141 aktualisht). Ndërkohë, edhe huamarrja e qeverisë nga burime të jashtme është vështirësuar së tepërmi pas 2009-ës, ngaqë borxhi publik ka shkuar në nivelin e rrezikshëm 64% të PBB-së. Dhe nga ana tjetër, kërkesa për ndërtime të reja ka rënë në krahasim me periudhën 1999-2009, gjë që e tregon edhe përqindja e lartë e banesave të pabanuara, që raportoi Censusi 2011 – plot 33%!

Duke shikuar përpara, për dekadat në vijim, lokomotivë e ekonomisë mund të bëhen sektorë si turizmi, agrobiznesi, industria minerare-përpunuese dhe sektori energjitik. Dhe kjo lokomotivë mund të tërheqë vagonët e tjerë të ekonomisë si tregëtinë, shërbimet, ndërtimin, sektorin financiar etj.

Që sektorët e mësipërm të bëhen lokomotivë e ekonomisë, kërkohet një infuzion serioz investimesh në to. Por investitorët seriozë i hedhin paratë e tyre atje ku perceptojnë se ka garanci institucionale dhe politike për investimet. Dhe fatkeqsisht, të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria mbetet ende vendi me nivelin më të ulët në Ballkan për investimet e huaja direkte për frymë në çdo vit të dekadës së fundit.

Që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që në Shqipëri të arrihet një konsensus i gjerë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, në përputhje me eksperiencën e vendeve të ngjashme ish-komuniste. Investitorët seriozë nuk para investojnë në një vend ku konfliktet e pronësisë shkaktojnë hedhje në erë apo djegje të objekteve, si në Fushë-Krujë apo Kakome, për shembull.

Që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që të arrihet një konsensus i gjerë për domosdoshmërinë e funksionimit të shtetit ligjor. Investitorët seriozë nuk para investojnë në një vend ku gjykatat janë të korruptuara, ku tenderat janë të korruptuar, ku administrata është arbitrare, ku krimi nuk ndëshkohet.

Së fundi, që perceptimi i mësipërm i investitorëve të krijohet, duhet që të arrihet stabiliteti politik, kaq i munguar në 100 vjetët e shtetit shqiptar. Gjatë një shekulli, rrotacioni i pushtetit në Shqipëri ka qenë gjithnjë traumatik, madje disa herë, edhe i përgjakur. I vetmi rrotacion normal i pushtetit është kryer në vitin 2005. Dhe një tjetër i tillë, i njëpasnjëshëm, do t’u jepte investitorëve seriozë sinjalin se stabiliteti politik, më së fundi, është arritur edhe në Shqipëri. Historia ka treguar se stabiliteti politik ka qenë gjithnjë një magnet i fuqishëm për investime serioze afatgjata kudo në botë.

Po a do të mjaftonte plotësimi i këtyre tre kushteve që investitorë seriozë të investojnë në mënyrë masive në Shqipëri? Fatkeqsisht, këto janë kushte të domosdoshme, por jo të mjaftueshme…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.