Prishtinë – njerëz, mallra dhe ide

Postuar në 05 Mars, 2013 02:53
Natasha Lako

Nuk e di se cilit gazetar të huaj, përveç ndonjë eksperti të cështjes shqiptare, mund t'i shkonte ndërmend të zbërthente dialogun e heshtur te Prishtinës mes vendosjes së flamurit të vjetër dhe flamurit të ri. Republika e Kosovës e shpallur pesë vjet të shkuara ka zgjedhur, për t'u mbajtur më këmbë, vizione skënderbejane.

Ndoshta në sajë të flamurit me shqiponjë, kur ndodhesh në Prishtinë të duket sikur ke hyrë në një qytet që sapo ka hapur krahët. Ne duhet të tregojmë për Kosovën nëpërmjet flamurit europian të verdhë dhe blu, shembëlltyra e të cilit të shfaqet deri te shportat e thurrura enkas me lule për këtë përvjetor. Shpresa lexohet në një ditë feste kudo dhe kjo shpresë lexohet deri te pastërtia e një qyteti

Ka dyer shitoresh, si te "Parajsa" e bukës, ku është vendosur flamuri i kaltërt pesëvjecar, ka fasada ku është imponues flamuri tjetër. Vetëm shumica e taksistëve, si gjithnjë, më praktikë për punët e tyre private, i vendosin të dy flamurët bashkarisht. Ka shumë mundësi që me një taksi të tillë të hysh edhe në Europë. Sado që të flitet, të paktën sipas agjensive të huaja, për vështirësi artikulimi të plotë dhe të hapur, në Prishtinë ngërthehen të gjithë llojet e pikëpyetjeve, pa të cilat nuk mund të ketë pikëpamje. Të paktën figurativisht, deri në ndërtimin e shtëpive të stilit gjermanik, të ndryshme  nga ndërtimet e tipit tjetër mesdhetar shqiptar dhe deri te mungesa e vazove me lule në ballkone.

Qarkullimi dhe valëvitja e ngatërruar e dy flamurëve shqiptaro-kosovarë tregon se sa i veshtirë dhe i befasishëm është edhe qarkullimi i ideve. Por në Kosovë embargot e ideve i kishin kaluar të gjithë përmasat. Ato ishin kthyer në diskriminime dhe shtypje kombetare, nga ato që në një ditë feste nuk dëshiron t'i nxjerrë më goja. Një miku im i njohur, personalitet i kulturës shqiptare, më tregon se si në ditët e para të ndërhyrjes së Natos, paramilitarët serbe i plaçkitën edhe markën e fundit, duke qënë të lumtur dhe të sigurtë se po i dëbonin njëherë e mirë kosovarët nga shtepitë e tyre… Dhe që atëhere, dhjetëvjecari i parë i kapërcimit të luftës është gërshetuar me pesëvjecarin e një prej shteteve më të reja të botës, që si një  ogur i ri lirie ka zgjedhur si presidente një çikë të saj. Nuk e di sa zemërgjerë do të jemi të pimë një gotë verë qoftë për këtë fakt. Dhe të mendojmë pozitivisht, si thonë qytetarët e vjetër. Ndoshta mund të ngushëllohesh duke menduar pozitivisht për shumë probleme që ka ende Kosova. Por është e sigurt që Valoni, i ardhur së bashku me nusen e tij të bukur shqiptare të lindur në Norvegji, ka blerë një banesë të qetë në një lagje të Prishtinës, ku shitoret e vogla karakteristike vazhdojnë t'u bëjnë karshillëk këmbëngulës marketeve të mëdha. Dhe megjithëse kudo rreth e rrotull, deri te kapakët e shisheve të ujit të Pejës, mbizotërojnë simbolet e Shqipërisë së parë dhe të vjetër, simbolet më "vulgare", siç mund të quhen ato të tregut të përditshëm, i takojnë ende Serbisë, ose republikave te tjera rreth e rrotull. Edhe preshi dhe spinaqi vjen prej përtej kufirit më të diskutueshëm të sotëm në Europë, që do të bëhet së afërmi temë e problemeve edhe më të mprehta. Vetëm fiqtë mund të jenë nga Turqia ose Shqipëria. Ndërsa mandarinat nuk kanë kurrfarë kombesie. Të bën përshtypje sa pak qarkullojnë mallrat mes Republikës së Shqiperisë dhe të Kosovës, pavarësisht rrugës së madhe të kombit, që gjallërohet herë pas here. Por vetëm për pushime afatshkurtëra dhe afatgjata që kanë të bëjnë me detin Jon a Adriatik. Sa për festën e pesëvjetorit, mund të ngresh dolli me çfarëdolloj vere ndërkombëtare, por verë të Shqipërisë nuk ka. Si duket, nuk e njohin ende as ndërkombëtarët e shumtë.

Festimet e këtij pesëvjetori të republikës se re, ku Newborn, i mbushur me simbolet e 98 shteteve që kanë njohur Kosovën, shoqërohet edhe me shenja të tjera të reja të qarkullimit mendor. Nuk flasim për kanalet televizive, ku qarkullimi i lirë njerëzor bëhet më lehtë. Në sektorin mediatik, presioni më i madh vjen natyrisht nga shteti amë, pasi historia dhe tradita deri më sot është një. Që të krijojnë një republikë më vehte, kosovarët duhet të krijojnë edhe historinë e tyre dhe kulturën e tyre të vecantë, gjëja më e vështirë dhe më e paarritshme. Ky kontrast midis kulturës së mallrave dhe komercit ku vlojnë mallrat e ish Jugosllavisë me në krye Sërbinë dhe kulturës të thellë dhe të patundshme shpirtërore, që i takon identitetit  kombëtar, tregon se sa e komplikuar do të jetë ende ndërlidhja më e plotë e qarkullimit të lirë, midis njerëzve të një gjaku.

Por le të kthehemi te qarkullimi më i sotpërsotshëm i njerëzve, të paktën në një festë të tillë si ky pesëvjecçar i parë përpjekjesh për konsolidimin e një shteti, për të cilin po investon e gjithë bota demokratike apo edhe jo aq demokratike.

Sa për veten time mund të quaj pararojë të gjithë botës shqiptare këngëtarin e palodhur Avni Mula, gjakovarin-tiranas që i ka kapërxyer 80 vjetët, i cili mori pjesë në koncertin e madh festiv, krahas një trupe  të teatrit të Operas dhe Baletit, me Zhani Cikon në krye. Dihet që këngëtarët kanë qenë gjithnjë të parët në qarkullimin e melodive. Por u dashkan gjithnjë papijonët e dirigjentëve dhe këngetarëve, që ta bëjnë një feste solemne. Dhe në ka ndonjë gjë pozitive nga koha e përndjekjeve, papijonët e muzikantëve të Kosovës kanë shprehur ndoshta krenarinë e pacënueshme.

Krenaria është gjithnjë e nevojshme… Por kësaj here do të përshkruaj krenarinë e një autobuzi me targë të Lezhës, që sillte me rastin e festës në Prishtinë përfaqësuesit e LSI-së. Në daç më besoni, në daç mos më besoni, ishte automjeti i vetëm që shkonte mes qytetit me tërsellimë, flas për kohën që ceremonia zyrtare kishte filluar. Dhe ka qënë i vetmi automjet që deri tani kam parë në Prishtinë, pranë udhekryqit të Sllovenia Sport, të cilit as i binte ndërmend që të ndalonte para vijave të bardha. Vërtet ia bënte fora LSI-ja prej Lezhe. Të tjerë që ja bëjnë fora janë sigurisht djemtë e fort motoçiklistë të mbërritur  prej Shqipërie, por ata madje për këtë edhe egzistojnë, që të demostrojnë kudo guxim dhe krenari të shfrenuar. Fora e ka bërë edhe prefektura e Vlorës, që solli një autobuz me përfaqësuesit e vet, së bashku me Erjonën përmetare të martuar me një tropojan. Sigurisht që organizimet janë të bukura, por më të bukura janë mbërritjet personale si ta do zemra dhe sigurisht sa ta mban xhepi.

Se fundja me se fundi, vetëm njëherë në njëqind vjet mund të udhëtosh përsëri me kuaj, si bënë kosovarët që mbërritën ne Vlorë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Nuk pashë kurkund rreth e rrotull  autobuzë kosovarë që të organizonin ardhje pompoze. Ndoshta gaboj. Kam qenë edhe në vitin 2001 a 2002, kur u soll monumenti i Skënderbeut dhe kur sapo kishin zbritur fitimtarët e UÇK-së dhe ishte ende mes njerëzve si përmendore Ibrahim Rugova. Nuk pashë as atëherë që njerëzit të organizoheshin me autobuzë që lëvizin sa andej kendej si në Shqipëri.

Në Prishtinën e sotme nuk shfaqej ndonjë mani e madhe për te festuar me pompozitet. Gjithçka ishte tepër njerëzore. Madje kishte asosh që quanin festë më të madhe vetëm clirimin, pasi nënvleftësojnë  njohjet dhe legalizimet e mëdha, njësoj si ndoca gazeta shkodrane që nuk duan t’ia njohin Korçes legalizimin e parë zyrtar të shkollave shqipe.

Por festa është gjithnjë festë dhe të fton të marrësh emocione të përbashkëta. Ka ndër njerëzit edhe prej tyre që nuk mungojnë të jenë të parët, ka prej tyre që shpejtojnë të arrijnë të fundit. Ca me qeleshe a plis me shkabën e rivendikuar të ballistëve të djeshëm, e ca me femijë, te cilëve u kanë venë maska të flamurit të vjetër shqiptar ne fyt. Jam e sigurt se kanë arritur të gjithë në festë me këmbët e tyre dhe me zemrat e tyre. Dhe nuk e di përse më kujtohet papritur bukuria e Hekuran Dedës, njërit prej katër te vrarëve, që shkuan me këmbët e tyre dhe me zemrën e tyre, për t'u bashkuar me një protestë nëpër rrugët e Tiranës për të respektuar lirinë.

Liria është respektuar këtu në mënyrë triumfale që nga dita kur një familje  kosovare nxori dhe rivarrosi me nderime trupin e pajetë te Azem Galicës, të hedhur që ditën e vdekjes  në një shpellë të Drenicës në shtatëdhjetë metra thellësi. Dhe kështu u ndez edhe shkëndia e Adem Jasharit.

Të mëdha dhe të rënda janë ngjarjet historike, madje dhe moskuptimet e sotme. Por pesë vjet të njohjes së pavarësisë së Kosovës, i ngjasin vetëm peshës së një kthelltësie tjetër qiellore, që meriton  një gotë vere, a fishekzjarr në zemër. Që të festosh tamam, duhet diçka që i përket vetëm Kosovës. Por historia e saj nuk është historia e saj, por e gjithë Europës. Dhe letërsia e saj nuk është vetëm letërsia e saj, por e të gjithë nesh. Dhe fëmijët e saj janë fëmijë të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë njërëzimit.

Une nuk kam gjë tjetër ç'të them pikërisht nga ajo që ka ndodhur vetëm një çast dhe për Kosovën vërtet, vetëm nga kjo festë.

Fliste presidentja Jahjaga përpara dhjetra kamerave. Dhe pastaj fjalimi i saj po përkthehej anglisht.

Po flet ajo amerikanka - dëgjova unë. Ndoshta nuk ishte fjala per ndonjë përkthyese, por për ambasadoren e një vendi që punoi dhe punon aq shumë për lirinë e Kosovës. Ishin dy zëra dhe dy kuptime që bëheshin njësh dhe që unë që isha larg e nuk mund t'i kuptoja. Por isha e lumtur. Përse do te thoni ju? Se m'u duk sikur dëgjova që amerikanka të quhej sipas dialektit të Korçës sime. Mbase më kishin bërë veshët vërtet. Sidoqoftë, kishte ndodhur diçka prej Kosove. Në 17 janarin tim, brenda Prishtinës. Sigurisht që njerëzit presin të përsëris çfarë thonë për qumështin e kontaminuar gazetat. Dhe të përsëris pa pushim fjalën turp, që ne kemi filluar ta shqiptojmë për ditë. Por më është krijuar përshtypja se kosovarët nuk e pinë shumë qumështin në mëngjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.