Pickimet e tërthorta të Olldashit

Postuar në 16 Korrik, 2013 10:23
Alqi Koçiko

Zakonisht, një përballje brendapartiake për postin më të lartë, që ta meritojë termin në fjalë (pra përballje), mbart me vete pritshmërinë e kuptueshme që dy kandidatët përveçse të ofrojnë platformat e tyre dhe në bazë të tyre të kërkojnë konsensusin e anëtarësisë, të pikasin dhe veçojnë edhe momentet ku secili syresh nuk bie dakord me rivalin. Është normë kjo në garat “primaries” brenda republikanëve apo demokratëve në SHBA, apo parti të mëdha europiane. Në fushatën që po zhvillohet me ngut për kreun e ri të Partisë Demokratike, afërmendsh që do të ishte luks të shikonim një ballafaqim frontal alternativash, kur gjithë procesi drejtohet dhe monitorohet nga kryetari në detyrë. Packa se kjo do të ishte normale (fjala vjen, nëse Sokol Olldashi do të thoshte: Konkurrenti Basha thotë kështu për një çështje të caktuar, por unë e mendoj ndryshe këtë punë). Nga ana tjetër, sa i vërtetë është perceptimi i përgjithshëm se Basha është i përzgjedhuri i kryetarit në detyrë, po aq e vërtetë është dhe teza se kjo garë, është ku e ku më reale se përballja e Edi Ramës me Maqo Lakrorin brenda PS-së (meqë ra fjala, ç’u bë Lakrori?), qoftë dhe për faktin e vetëm se të dy kandidatët janë përfolur në kohë të ndryshme, si zëvendësues potencialë të Berishës në PD. Basha, shumë më tepër se Olldashi.

Analiza e humbjes së thellë elektorale të PD-së, nëse do të ketë ndonjëherë, tashmë është thënë se do të bëhet nga lidershipi i ri. Një tezë e opinionistëve të djathtë se analiza direkte pas zgjedhjeve do ta shkërrmoqte partinë dhe do nxirrte djajtë nga shishja, nuk është e papërfillshme. Të gjithë kritikët që shkruan e folën këto njëzet e ca ditë, duam apo s’duam, janë emra më pak a më shumë të spikatur të së djathtës, që megjithatë kanë vulën e të pakënaqurit me Berishën: Nuk i ka vënë në listë, apo i ka përjashtuar a degraduar më herët. Por ama fushatat e deritanishme të Bashës dhe Olldashit, kanë përvijuar edhe etiketimet për secilin: Basha, populist dhe pragmatist, ndërsa Olldashi konservator dhe i djathtë doc. “Avantazhi im është njohja kapilare e strukturave të PD dhe e jetës opozitare”, hodhi ai një kunj ndaj Bashës. Dhe nëse ka një lajm të mirë për opinionin e gjerë publik kjo fushatë, ky nuk është fakti që dy kandidatët e glorifikojnë non stop Berishën, nën hijen të cilit po kryhet ky tranzicion; por që Olldashi, brenda limiteve dhe kornizave që ai e di mirë se nuk duhet t’i kapërcejë, po i bën disa vërejtje indirekte ndaj Berishës dhe vendimeve të tij politike para zgjedhjeve.  

Le ta nisim nga intervista televizive me Blendi Fevziun menjëherë pas shkalljes së kandidaturës, ku Olldashi ja njohu një “difekt” Berishës: Është shumë “pasionant”. Ky përcaktor merr shumë interpretime, dhe Olldashi nuk u ndal gjatë tek zbërthimi i termit. Pasionant, dmth që e ekzagjeron me gjithçka, me akumulim pushtetesh e vendimmarrjesh, me premtime, e tepron me retorikë? Rrëmbehet nga pasioni dhe bie në gabime, që më pas kushtojnë shtrenjtë? Kuptojeni si të doni, nënkupton Olldashi. Jo më pak i rëndësishëm është qëndrimi i tij për riformatimin e bazës historike të PD-së dhe për aleancat e ardhshme. “Partia Demokratike duhet t’u rikthehet fort shtyllave ekzistenciale që janë: shtresa e të përndjekurve dhe e pronarëve. PD është një parti ku duhet të vijnë të gjithë por pa humbur referencat”, deklaroi ai në Shkodër. Se si është sjellë Berisha në qeverië me këto dy shtresa, nuk ka nevojë për koment. Dhe më tej: “Partia jonë nuk duhet të bëjë aleancë me parti dhe individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mund të krijojë shumica në bazë të kleringut të deputetëve, pasi kjo nuk është më politikë, por aritmetikë”. Kjo rikoshetë, veç kritikës për Berishën, shkon edhe tek mirëkuptimi i heshtur Basha-Meta që komentohet jo pak nëpër Tiranë. E ironikisht, një ditë më pas pikërisht deputeti demokristian që fitoi nga lista e PD-së në Shkodër, Nard Ndoka, deklaroi se do ta votëbesonte qeverinë e majtë nëse merrte një ministër. 

Një tjetër moment që Olldashi e preku me elegancë, është “vendosja e një ekuilibri mes mekanizmit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës brenda partisë, bazuar tek një inventar i kontributeve të çdo anëtari të Partisë Demokratike”. Si interpretohet kjo gjeagjëzë? Mendja sërish të shkon tek një kunj për Bashën, i katapultuar në PD në 2005-ën dhe i ingranuar menjëherë në sferat e larta të pushtetit: Ministër, ministër, ministër, kryetar bashkie. 

Të gjitha këto momente lënë të kuptohet se kjo garë nuk është pa gjë. Olldashi e ka një profil të vetin, ashtu si dhe një grupim real mbështetësish në PD, nga lart deri në bazë. Por kapaku i çeliktë i tenxheres me presion që quhet PD, mban emrin Sali Berisha. Jo më kot ai kërkoi zgjedhje partiake me urgjencë: Për ta shfryrë tensionin brenda grupimeve, ndoshta me kompromisin e njëfarë roli nr.2 për Olldashin në të ardhmen. Ama, e keqja e djajve që nuk dalin nga shishja, është se ata mbeten e aty, brenda.  

 

Revista Klan

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Olldashi tha dhe dicka qe mund te meret si nje sulm mjaft i eger per Bashen:</p><p>-Un nuk do te lejoja akend te hynte brenda murit te Kryeministris-Me nje fjal- do vrisja kedo qe hynte brenda rrethimit, por qe hynte brenda rrethimit ama, kuptohet kjo fraze.</p><p>A mos eshte kjo fraze e Olldashit nje ndarje nga pergjegjsia e PD nga 21 janari dhe varja e kesaj pergjegjsie direkt mbi Bashen, sic dhe eshte ne te vertete?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.