Partitë politike në Kosovë ende në kërkim të identitetit

Postuar në 19 Dhjetor, 2012 05:04
Augustin Palokaj

Në kohën kur Hashim Thaçi kishte ideal ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, PDK-ja kishte filluar kontaktet me Partinë Socialiste Evropiane dhe ftohej shpesh në takime të këtij grupi, që është grupi i dytë për nga madhësia në BE dhe në Parlamentin Evropian. Në atë kohë LDK-ja merrej me “dardha turshi”, ndërsa presidenti i saj i ndjerë dr. Ibrahim Rugova ftohej në takimet e grupit më të madh partiak në Evropë, Partisë Popullore Evropiane, në cilësinë personale, duke pasur parasysh popullaritetin që Rugova gëzonte edhe në mesin e liderëve evropianë.
Para tri ditësh Isa Mustafa ka marrë pjesë në takim të shefave të shteteve apo qeverive evropiane që vijnë nga grupimi i qendrës së djathtë, PPE. Ai ka qenë i pranishëm në diskutime, ku për të ardhmen e Evropës kanë folur Angela Merkel, Van Rompouy, Barroso dhe shumë liderë të tjerë evropianë që janë pjesë e këtij grupi. Tradicionalisht grupet politike në nivel më të lartë takohen para secilit samit të Bashkimit Evropian. LDK-ja tash e disa muaj është bërë anëtare vëzhguese e PPE-së, grupit më të madh partiak evropian që ka më së shumti vende në Parlamentin Evropian dhe ka ndikimin më të madh në BE. Për dallim nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shefi i LDK-së nuk e ka bërë të madhe pjesëmarrjen në këtë takim. Me anëtarësimin në PPE në cilësinë e vëzhguesit (anëtare mund të bëhen vetëm partitë e shteteve anëtare të BE-së), që ka rezultuar pas një analize dhe verifikimi të gjatë që i ka bërë LDK-së ky grupim partiak evropian, mund të thuhet se LDK-ja përfundimisht është profilizuar si parti evropiane e qendrës së djathtë, ngjashëm me partitë demokristiane, popullore apo konservatore në vendet e BE-së. Kështu kësaj partie i janë hapur mundësi të jashtëzakonshme të kontakteve me liderë evropianë, me parti me ndikim në vendet anëtare që do të ndihmojë ndërtimin dhe evropianizimin e mëtejmë të kësaj partie. Në fund kjo do t’i sjellë dobi edhe Kosovës, sepse pa pasur parti politike të profilizuara dhe me orientim dhe sjellje vërtet evropiane, as Kosova nuk mund të lëvizë drejt integrimeve në BE.
Çfarë u bë me PDK-në, sot partinë më të madhe në Kosovë dhe parti e cila është në pushtet. Kjo parti që „sjell e pështjell“ në Kosovë, nuk ka vendosur as vetë se në cilin grupim partiak evropian do të bëjë pjesë. Ajo, bazuar në deklaratat e njerëzve kryesorë të saj, tash e konsideron veten si „parti të qendrës së djathtë“. Një deklaratë të tillë e ka dhënë kur është bërë „anëtar i thjeshtë“  Kadri Veseli, që pa dyshim pritet të jetë ndër figurat kryesore të PDK-së. Edhe Hashim Thaçi ka habitur jo pak njerëz kur para më shumë se një viti pati thënë se „PDK-ja është e djathtë“. Kjo dukej si një kthesë, sepse PDK-ja është perceptuar si parti e qendrës së majtë. Ky perceptim ka qenë pa kritere, por më shumë në bazë të së kaluarës së lidershipit të saj. Pasi në PDK kishin hyrë njerëz të UÇK-së dhe të ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës, përfshirë edhe ish-pjesëtarë të Lëvizjes marksiste-leniniste, dhe pasi kishin raporte të mira me Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, PDK-në në Kosovë e perceptonin si të majtë. Por Hashim Thaçi duket të jetë një njeri jo shumë i guximshëm kur duhet të përballet me perceptimet e qytetarëve dhe që potencialisht mund t’ia humbë popullaritetin partisë së tij. Në Kosovë injorantët e lidhin orientimin e majtë socialist me komunizëm. Harrojnë se shpesh në Evropën Perëndimore partitë socialiste ose janë grupim i parë ose i dytë. Madje luftën e NATO-s në Kosovë e bënë të majtit evropianë, si Shroeder në Gjermani, Blair në Britani të Madhe, e për sistemin amerikan atje më afër të majtës konsiderohen demokratët, ndërsa të djathtë republikanët, edhe pse nuk ka ndarje të ngjashme me Evropën.  Prandaj është e pakuptueshme pse PDK-ja e ka parë të nevojshme që të heqë dorë nga orientimi i saj i majtë. Anëtarësimi i sajë eventual në grupimin e socialistëve evropianë do ta kishte ndihmuar shumë edhe këtë parti, edhe Kosovën. Ka pasur kontakte për ta bërë PDK-në anëtare të kësaj familjeje të madhe evropiane por, për arsye që nuk i dimë, ato janë ndërprerë. Tash të ndërtohet si „parti e qendrës së djathtë” PDK-ja nuk do ta ketë lehtë. Edhe nëse me rregullim të brendshëm, me program  dhe ideologji e bën një gjë të tillë, nuk do ta ketë lehtë që si parti të depërtojë në skenën evropiane. Pasi që LDK-ja tashmë është pjesë e PPE-së për anëtarësimin e çfarëdo partie tjetër nga Kosova, në grupim do të kërkohet vendimi i LDK-së.
Qartë Kosovës i mungon në skenën politike një grup  i fortë i orientimit socialist. Agim Çeku me Partinë Socialdemokrate dështoi, sepse ai pranoi të hynte në koalicionin më të çuditshëm që ka parë ndonjëherë Kosova, me „liberalët“ e AKR-së së Bexhet Pacollit dhe me islamikët e Partisë së Drejtësisë. Çeku ia arriti ndoshta të realizonte aspiratat e tij personale për t’u bërë ministër, por këtë e arriti më shumë falë votave të atyre që kërkojnë mësimin fetar në shkollë, sesa mbështetjes për idetë e socialdemokracisë.
„Vetëvendosja“ tash mund të ketë një shans për ta zënë këtë hapësirë, dhe nëse profilizohet në mënyrë të duhur, atëherë, me disa kushte, edhe asaj mund t’i hapen dyert për t’u bashkuar me grupimin socialist evropian. Për këtë “Vetëvendosja” duhet të heqë dorë nga metodat e antiglobalistëve dhe më shumë të përdorë në veprimet e veta mjetet jo vetëm legjitime, por edhe legale. Gabimisht në Kosovë mendohet se „Vetëvendosja i ka dyert e mbyllura në Bruksel“. Nëse kontaktet e zyrtarëve të PDK-së në nivel evropian kuptohen ashtu siç duhet, pra si kontakte të përfaqësuesve të shtetit e jo të partisë, atëherë lirisht mund të thuhet se në skenën evropiane “Vetëvendosja”, krahas LDK-së, aktualisht është partia më aktive  nga Kosova. Para disa ditësh në Belgjikë, në Parlamentin Evropian dhe në Francë kryetari i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, dhe zëvendëskryetari Shpend Ahmeti kanë pasur dhjetëra takime, përfshirë edhe me deputetë të Parlamentit Evropian. Pos takimeve me deputetë që merren me Kosovën, pa marrë parasysh përkatësitë e tyre partiake, ata janë pritur edhe nga Hanes Swoboda, kryetar i grupit socialist në Parlamentin Evropian.  I takon “Vetëvendosjes” të deklarohet apo jo se a është duke punuar që t’i bashkohet qendrës së majtë evropiane, por indikacionet e para tashmë ekzistojnë.
Partia e katërt për nga votat në Kosovë, AAK-ja, duket po ashtu një rast i paqartë sa i përket profilizimit të saj. Ajo që e identifikon jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë është se kjo është „partia e Ramushit“ dhe në Evropë pak dinë për të. Madje edhe kur përmendet nëpër biseda me shkurtesën e saj AAK, duhet shtuar se „fjala është për partinë e zotit Haradinaj“ nëse doni që bashkëbiseduesit të kuptojnë se për cilën parti është fjala.
Kjo parti edhe para PDK-së e kishte shprehur orientimin e saji si parti e qendrës së djathtë. Një kohë si slogan në fushatë zgjedhore ajo ka pasur parullën „as majtas, as djathtas, por drejt!“. Tash AAK-ja është duke shkuar „drejt“ koalicionit me PDK-në, por pakkush beson se fjala është për afrim ideologjik apo afrim të programeve. Sa i përket ndonjë përpjekjeje të AAK-së për t’u lidhur me partitë evropiane, nuk ka shumë indikacione e as informata eventuale për to.
Është interesante të thuhet se në grupimin e  tretë partiak evropian, në atë të liberalëve, Kosova ka hiç më pak se dy përfaqësues. Në takimet e tyre vazhdon të ftohet Gjergj Dedaj, dikur shef i Partisë Liberale të Kosovës, dhe Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka arritur të kalojë provimin për t’u pranuar si parti e orientimit liberal. Nuk e di se çfarë do të mendonin liderët e liberalëve evropianë për koalicionin e AKR-së me Partinë e Drejtësisë në Kosovë.
Në këtë kohë kur pritet që PDK-ja të mbajë kongresin e saj zgjedhor, ndoshta ajo edhe do të profilizohet dhe ta gjejë identitetin e saj, jo në bazë të saj se kush me kë „sjell e pështjell“, por në bazë të parimeve demokratike evropiane, përfshirë dallimet rreth çështjeve kryesore, si taksat, ndarja e parasë publike, politika sociale, ekonomia. Në kohën kur Kosova si shtet formalisht i ka të mbyllura shumë dyer në BE, për shkak të mosnjohjes nga 5 shtetet anëtare, secila parti e Kosovës ka mundësi që, në interesin e saj por edhe të Kosovë, të depërtojë më shumë në Evropë. Kjo deri më tash ka qenë një mundësi e pashfrytëzuar për të cilën në të ardhmen partitë politike në Kosovë duhet të mendojnë mirë. 
 

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.