Për Ramën, tani nis e përpjeta

Postuar në 06 Gusht, 2013 11:23
Alqi Koçiko

Qoftë dhe për hir të seriozitetit që ma do mendja se të imponon veshja institucionale, të njëfarë kornize protokollare a në respekt të publikut; me fjalë të tjera, për shkak të pjacës së lartë prej nga flet dhe audiencës së sigurtë që të ofron kjo pjacë, nuk kam parë në ndonjë vend “të hajrit” që kreu i qeverisë në largim, të hedhë rromuze e të bëjë batuta gjimnazistësh live, në adresë të qeverisë pasardhëse, formimi i së cilës sapo është anonçuar. Kryeministri Berisha na e bëri edhe këtë dhuratë të fundit, dhe është e kotë t’i rikthehemi historisë për t’u kujtuar se si është sjellë Fatos Nano para tetë vitesh. Në fakt, teksa kabineti i ri po negociohej mes aleatëve, kryeministrin në largim e kemi parë gjithnjë e më shumë në formatin e vet të shkruar, paralelisht me atë oral. Shumëkush besoj se mund të ketë qenë kurioz se si shkruan Berisha, meqë vazhdimisht dhe historikisht vetëm e ka dëgjuar të flasë. Paragrafet e hedhura shpesh prej tij në facebook këto kohë, na e shuan këtë kureshtje; dhe duhet thënë, në mënyrë zhgënjyese. Aureola e individit që përveçse politikan i sprovuar, është edhe i gjithëlexuar, erudit dhe me interesa intelektuale në shumë fusha (siç na është servirur), davaritet rëndshëm kur sheh se ai shkruan… siç flet.
Megjithatë, nuk është se përshtypjen e parë për kabinetin e ri të së majtës, shumëkush e priste ta krijonte prej kryeministrit në largim. Qeveria, emrat e së cilës Edi Rama i bëri publike këtë javë, të jep një mbresë përgjithësisht pozitive. Ndokush mund të ketë rezerva për emra të përveçëm, por të gjithë bien dakord se peshën e rëndë të pritshmërive ndaj kësaj qeverie, Edi Rama do të fillojë ta ndiejë vetëm tani.
Le të kthehemi një hap prapa dhe të kujtojmë ndjesitë (këtu afërmendsh nuk e shmang dot subjektivizmin) që shkaktoi fitorja elektorale e Berishës në vitin 2005, dhe pritshmëritë e rikthimit të tij në pushtet. Ishte një përzierje përshtypjesh, që në varësi të segmenteve të elektoratit fillonin nga dëshpërimi përse Nano e kishte trashur aq shumë zullumin e korrupsionit (dhe nuk e kishte gjetur akordin me Metën), deri tek shpresa se me njerëzit e rinj që kishte afruar rreth vetes, kryeministri Berisha kishte realizuar ëndrrën për një shans që të fshinte për mirë nga memoria kombëtare, vitet e para të pushtetit të tij dhe pasojat që kulmuan me 97-ën. Nuk mungonte sigurisht, edhe njëfarë pakënaqësie me “këtë popull, që shkon dhe i beson prapë Berishës”.
Po zbulojmë të surprizuar se ashtu siç Berisha nuk e fshihte dot një dimension të vetin në raport me historinë, po kështu bëri së fundi Rama, kur në një intervistë të huaj pohoi nevojën e brendshme të angazhimit politik “për të sfiduar vdekjen” dhe “për të lënë një emër të mirë në histori”. Le të shtojmë gjithashtu, se për meritë të Berishës apo për arsye thjesht kalendarike, disa arritje si NATO, liberalizimi i vizave, disa rrugë (të shumëpërfolura për abuzime) etj, e tretën disi portretin e tij negativ të pushtetit të parë. Paralelisht, ikona me emrin Edi Rama si ministër Kulture e më pas, kryebashkiak jetëgjatë i Tiranës, u zbeh nga disa gabime e keqkalkulime të tij si politikani i parë i opozitës. Por krahasimet mbarojnë këtu.
Më në fund, Edi Rama është kryeministër. Nëse për Berishën kryeministër, njerëzit e paangazhuar politikisht që shohin hallet e dhe jetën e tyre (dhe që janë shumicë) mund të shpresonin “të ketë vënë mend, të ketë nxjerrë disa mësime dhe mbase nuk do heqim picir si herën e parë”, steka për Ramën është krejt tjetër. Dhe këtë ai e di dhe e shpreh, kur flet për votën e një milion shqiptarëve dhe peshën e rëndë të përgjegjësisë. Ka premtuar “rilindje”, duke e projektuar veten mbase, tek gjurma që la pas si ministër e kryetar bashkie (megjithë njëmijë e një akuzat); një gjurmë që tashmë ka një detyrë shumë herë më të vështirë: Të printohet jo në një ministri, as në një qytet qoftë ky edhe “krye”, por në shkallë kombëtare. Pra, rasti i tij nuk është “do zoti nuk e katranos prapë”, por “shpresojmë që të performojë akoma më mirë se atëherë”.
Rama padyshim që ka bërë kompromise, diku është tërhequr, diçka ka lëshuar, mbase kabinetin qeverisës do të kishte dashur ta bënte paksa ndryshe. Po ashtu edhe ndonjë vendim përgjatë rrugëtimit opozitar. Por kemi mbërritur këtu ku jemi: Është vetë ai që e ngriti stekën në një nivel të atillë pritshmërish, që tashmë i duhet një punë kolosale për ta justifikuar. Sfidat që ka përpara, duke nisur nga ekonomia, janë tejet serioze, dhe e përpjeta sapo ka filluar. Nuk e dimë nëse ka nisur të ketë dyshime që tani, apo mezi po pret t’ja nisë punës. Me shpresë, për të mirën e të gjithëve, këtu do jemi dhe do të shohim.

 

Revista Klan

Comments

Submitted by ILIRET (not verified) on

<p>&nbsp; &nbsp;Eshte rast unikal qe nje kryeminister ne ikje, lutet e hedh fall qe populli i tij te vuaje dhe mundesisht te vdese fare, nen qeverisjen e te majteve, me qellim te vetem qe ai te vije ne pushtet pas kater vitesh.</p><p>&nbsp; Ndryshe do te ishte qe ai ti uronte suksese me te medha qeverise se ardheshme dhe populli te arrinte perparime te medha gjate qeverisjes se majte, dhe po qe keshtu ai nuk donte te vinte kurre ne pushtet, pasi ai duhet te mendoje se si ti behet mire vendit.</p><p>&nbsp; Ndersa ai pa mare ende pushtetin e majta ka filluar ti vere kercunj ne rrota, &nbsp;dhe duke e ditur se ngecja ne vendnumero eshte ne dem te popullit shqiptar. &nbsp;Ja ky eshte, hipokriti dhe individualisti Sali Berisha...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.