Nuk kanë fuqi as të shohin, as të dëgjojnë

Postuar në 06 Mars, 2013 04:10
Skënder Minxhozi

Baret në Tiranë kanë nisur të vendosin sërish hapur, pa merakun e dikurshëm formal, tavllat e duhanit. Tani nuk ka më nevojë të pyesësh kamerierin nëse lejohet të pihet ndonjë cigare fshehurazi. Thjesht mund ta nxjerrësh paketën dhe ta ndezësh cigaren e radhës pa u preokupuar fare. Askush nuk do të vijë të të kapë për xhakete. Ligji për duhanin është në fuqi, por ai shkelet hapur, në mes të kryeqytetit. Për pjesën tjetër të territorit, si zakonisht, s’ia vlen të vrasësh mendjen. Andej ka qenë dhe është tokë e askujt.

Ky detaj në dukje anësor, është në fakt një ndër sinjalet e alarmit për një fenomen tejet më të madh e përfshirës. Qeverisja në Shqipëri ka hyrë në një fazë ku e ka të vështirë të pulsojë, të reagojë ndaj së keqes. Vidhen afresket nëpër kishat e vjetra, shteti thotë se nuk mund të vendosë nga një polic pranë çdo monumenti, rrezikon të bjerë mozaiku i Muzeut Kombëtar në qendër të Tiranës, sërish përgjigjja është e njëjta: s’kemi ç’bëjmë. Më tej akoma, vriten pafund shqiptarë e shqiptare nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave, qeveria numëron të vrarët dhe ngre supet, shpërndahen diploma false që plasin si skandale edhe në shtypin e huaj, universitetet në fjalë vijojnë të qeta punën, grabiten edhe shinat e trenit për skrap, prapë nuk përgjigjet askush, plas korrupsioni në mes të ditës në të gjitha poret e shtetit, asnjeri nuk mban përgjegjësi, shiten hormone të ndaluara që e kthejnë mishin e qumështin shqiptar në bartës potencialë të sëmundjeve kancerogjene, institucionet e shtetit fshehin kokën si struci dhe ankohen, pasi Kosova “po na bën konkurrencë”.

Komisioneri europian, Fyle, tha para tri ditësh, se mbajtja e një referendumi për tri ligjet e paaprovuara, shkon kundër skenarit që kishin ofruar vendet anëtare, për të gjetur zgjidhje kompromisi e për të shmangur tensionet politike. Para tij, ambasada amerikane ishte shprehur e tronditur, sesi mund të jepej pafajësi për persona me pushtet, për të cilët kërkoheshin 48 vjet burg nga prokuroria. Që të dy, edhe Brukseli, edhe Uashingtoni, mësuan e po mësojnë përditë se çfarë do të thotë të kesh të bësh me një qeveri që nuk është e aftë të reagojë për zullumet që shkakton rrugës.

Papërgjegjshmëria është një simptomë e rregullt e qeverisjeve që ndodhen në kurbën rënëse dhe që s’kanë më për t’u thënë ndonjë gjë shtetasve të tyre. E kemi parë këtë fenomen në mesin e viteve 2000, kur socialistët e lodhur e të përçarë, si në fabulën e ujkut me gomarin, kujtonin se ishin në një ëndërr të keqe dhe se nuk do t’i humbnin zgjedhjet e radhës. I humbën edhe zgjedhjet, edhe përkrahjen popullore, sepse nuk patën fuqinë dhe kurajën që të luftojnë të keqen që i kishte mbështjellë. Një panoramë identike po na shpaloset sot para syve. Qeveria aktuale po na tregon përditë se nuk ka fuqi as ta shohë, as të dëgjojë dhe aq më pak ta luftojë të keqen që e ka kapur atë dhe vendin për fyti.

Katër zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit u shfaqën në foto, teksa pinin raki e hanin turshi me një person të cilin aktualisht e akuzojnë edhe ata vetë, si autorin e vrasjes së një kolegu të tyre. Që të gjithë dolën me vrap në media dhe dhanë variante të ndryshme për momentin e fotove dhe arsyen e prezencës së atij personi në tryezë. Vetë personi i akuzuar i përgënjeshtroi të gjithë, kur tha se nuk ishte rastësisht në atë tavolinë dhe se i kishte miq zyrtarët në fjalë. Pak orë më vonë, ministri i brendshëm doli e hodhi akuza të rënda për deputetë të opozitës, përfshirë aludimet për sëmundje të rënda ngjitëse si AIDS(!), por ç’është më skandalozja, zbuloi indirekt se opozita përgjohet e ndiqet gjatë gjithë ditës. Akrobacitë e Flamur Nokës ishin jo vetëm vështirësia e një zyrtari në hall, por edhe prova e radhës, se shteti ka humbur sensin e masës dhe të orientimit.

Kësaj qeverie nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të bëjë atë që në fakt Berisha e ka bërë që nga dita e parë që është ulur në poltronin e Kryeministrit: të merret me opozitën. Opozita e opozitës është faktikisht një fenomen mjaft i përhapur, si në jetën politike, ashtu edhe në atë mediatike. Përkundër sloganit “Fajin e ka Saliu” (që do të kishte kuptim në një masë të konsiderueshme të rasteve), dëgjohet dendur prej vitesh edhe slogani “Fajin e ka Rama”. A thua se pozita dhe opozita janë dy realitete identike, që i dallojnë vetëm disa detaje të parëndësishme.

Në këta muaj kotësie qeveritare, kur shifrat nuk përputhen, kur kriza rëndon mbi financat e xhepat e shqiptarëve dhe kur imazhi i qeverisjes vlen sa një shami e përdorur, ashpërsimi fals i luftës me opozitën po rezulton si e vetmja “gjetje” për qeverinë tetëvjeçare, që sot s’ka ç’t’i ofrojë më askujt. Përveç ministrave dhe zyrtarëve të lartë të saj, që në këto dy mandate shtuan vilat dhe majmën kontot bankare.

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.